Zoti Bajo, juria e Konkursi për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë që u shpall më 22 dhjetor 2011 ka nisur punën në datë 18 Mars dhe sapo ka vlerësuar 5 bocetet më të mira, të cilat do t'i paraqiten Komisionit Shtetëror pranë Kryeministrit, për të përcaktuar bocetin fitues. Ju jeni një ndër skulptorët më të njohur, mendoni se koha e krijimtarisë artistike ka qenë e mjaftueshme?
-Aspak. Problemi më i madh i konkursit për monumentin e pavarësisë është koha e shkurtër e konkursit dhe mosdhënia që në fillim e sheshit ku do të vendoset.
Në ministrinë e kulturës kanë pohuar për gazetën se sheshi do të vendoset në përshtatje me bocetin fitues. Sa e mundur është kjo?
-Kjo puna e përshtatjes është si puna e pantallonave të grisura që duhet t'iu gjesh arnat e duhura për t'i modifikuar. Nuk është normale. Në këtë rast ajo që do të përcaktonte konceptin e skulpturës është zgjedhja e sheshit, që do të bëhet konform simbolikës historike dhe funksionit publik që ka ky shesh. Prandaj, monumenti duhet të projektohet në harmoni me projektet që ka përreth, në harmoni me fasadën, me rrugët. Në qoftë se është ndonjë shesh që mund të ketë pemë, edhe kjo duhet marrë parasysh. Kjo është një gjë që patjetër duhet të kihet parasysh prej artistit që në themelet e krijimtarisë, por gjithmonë në Shqipëri gjërat i mendojnë nga fundi. Është fiksur të inagurohet një gjë që bën bujë, nuk ka rëndësi se ç'është ajo. Ndaj unë për këtë gjë ngurova të marrë pjesë vetë në këtë konkurs, sepse çdo gjë është totalisht e paqartë, koha është e shkurtër. Për të bërë një punë serioze duhet të kesh të paktën një vit kohë për të bërë bocetet. Duhet të ishte i përcaktuar sheshi që të punohet me ide të qarta në kokë. Kështu mendoj se bëhet në gjithë botën?
A mendoni se do të ketë shumë probleme në përzgjedhjen e boceteve fitues. Sa dijeni keni për mënyrën sesi është zhvilluar ky konkurs?
-Unë nuk di gjë se nuk kam qenë aty brenda, ku ka një komision që përzgjedh. Janë rreth 60 artistë pjesëmarrës, që me siguri do të kenë sjellë gjëra të mira, por mendoj se do të zbehej vlera e veprës, sepse nuk punohet duke menduar se puna që secili do të bëjë, të realizohet e përshtatur në një shesh imagjinar, i cili ende nuk dihet sesi e se ku duhet të jetë.
Nëse ju kujtohet kohë më parë ka qenë e vështirë të gjendet sheshi i duhur edhe për monumentin e Nënë Terezës, statuja qëndron në cepin e Universitetit pa asnjë lidhje konceptuale me ixhinierinë e degët e tjera politeknike që studiohen aty. Më tepër duket si një plakë e vetmuar, cilat janë defektet konceptuale midis veprës dhe sheshit ku është vendosur kjo shtatore?
-Shtatorja e Nënë Terezës është një vepër e mirë e artistit Thoma Thomai. Është një vepër intime, e cila më parë u mendua që të vendosej në një shesh të vogël pranë Piramidës dhe unë si shumë artistë të tjerë mendoj se tek sheshi Universitetit statuja është vendosur nga nguti. Unë di që sot për sot për shumë vepra monumentale nuk është e lehtë të gjenden vendet e sheshet e duhura. P.sh., busti i Azem Hajdarit ka vite që është përfunduar nga skulptori Hektor Dule dhe po mbahet ende në fonderi. Nuk ia kanë gjetur ende sheshin. Dihet se ky është një problem që duhet të zgjidhet nga pushteti vendor, bashkia, ministritë, që e kanë zakon t'i lënë të gjitha të pazgjidhura, sepse zakonisht qeveria i bën këto gjëra me fushata. Sa herë që bëhet një fushatë politike, shpejtohet të argumentohet me një vepër, ose me prerje shirititash të bujshëm. Sigurisht që do të sjellin shumë pasoja gjërat e nxituara, edhe kur bëhet fjalë për ndërtime të thjeshta, e jo më për monumente, që jo vetëm nuk sjellin rezultatin e duhur, por edhe kushtojnë shumë më shtrenjtë më pas.
Cili është mendimi i juaj si përfaqësues i skulpturës moderne, kur bëhet fjalë për zhanret historike të skupturës, duhet të jenë në stilin modern apo klasik?
-Në gjithë botën është pothuajse koncept unik që kur bëhet fjalë për figurat historike, të ngresh monument të stilit klasik. Ismail Qemalin, ti do të paraqesësh si Ismail Qemalin, nuk mund të lozësh me imazhin e tij. Në qoftë se flasim për një monument që përkujton diçka, po, mund të jetë shumë mirë dhe një obelisk modern. Nuk kam asnjë kundërshtim.
Nëse do të kishit pranuar të merrnit pjesë në konkursin për monumentin e pavarësisë, si do ta konceptonit ju vetë?
-Kjo është një pyetje e vështirë, sepse nëse do vërtetë të bësh një vepër arti të duhet kohë e gjatë edhe për sjellë konceptin në varësi të shumë rrethanave e faktorëve. Unë vetë nuk mora pjesë sepse është vështirë ta konceptojë një gjë që të mos ketë lidhje me sheshin që do të japin. Unë mund të konceptojë një skulpturë me 20 figura dhe sheshi që do të japin mund të jetë një shesh i vogël. Po marr një shembull, unë mund të konceptoj një gjë moderne, por në atë shesh që konceptojnë ata mund të mos rrijë fare. Të gjitha elementet sesi e ku duhet të bëhet duhet të jenë të përfshira më parë në organikë të projektit.
Monumenti i pavarësisë, a duhet të ishte bërë më përpara, dhe a duhej të bëhej patjetër në Tiranë me rastin e 100 vjetorit?
-Unë nuk kam paragjykime për numrin e monumenteve që kujtojnë pavarësinë. Mund t'ju them që Vlora, vendi ku u shpall pavarësia e ka një monument të mirë. Është një punë e madhe voluminoze dhe mendoj se ata tre skuptorët e kanë ndërtuar shumë mirë atë monument. Por edhe në Tiranë, pse jo, mund të ishte një monument që përkujton pavarësinë, por duhet thënë se nuk duhet të bëhen monumente në mënyrë kaq të nxituar, duhet gjetur motivi i saktë pse bëhet. Dhe nëse ka një motiv, duhet të ishtë shpallur konkursi para dy vjetësh, jo tani.
Opinioni i disa skulptorëve shkon më tej me kritikat mbi këtë çështje. Ka nga ata që prekin jo vetëm çështjen e kohës së shkurtër të konkursit, por edhe atë që mund të ishte jo shumë i dmosdoshëm në Tiranë, ndërsa ekziston në Vlorë?
-Jo, jo, unë vetë nuk kam gjë kundër monumentit të pavarësisë edhe në kryeqytetin tonë. S'ka asnjë gjë të keqe. Koha e përgatitjes dhe vendi janë më problematiket...!
Ju thatë më sipër se konkursi kërkon dy vjet kohë për përgatitje, nuk janë shumë?
-Dy vjet kohë janë pak, duhet edhe më tepër. Por, në qoftë se qeveria do të kishte menduar të paktën pak vite më parë se po vjen 100 vjetori i pavarësisë, nuk mendohet para gjashtë muajsh, kur ky 100 vjetor ka ardhur. Edhe të shpall një konkurs u lë dy muaj kohë artistëve, kjo është e gabuar, sepse nuk ka gjithmonë një çelës magjik artisti të ketë gjithmonë frymëzim. Duhet t'i lësh një kohë të gjatë që ideja të piqet mirë bashkë me konceptet që ka artisti, duhet të gjendet vendi, duhet parë në hapësirë, nuk mund të konceptosh një vepër skulpturale, pa ditur hapësirën ku vihet ajo.
Por, që të bësh veprën e duhur, në kohën e duhur dhe me cilësinë e nevojshme, ndoshta përcaktohet nga fondet që vë në dispozicion qeveria. Fondin bazë për finalizimin e monumentit e përcaktojnë vetë autorët apo institucionet përgjegjëse?
-Kostot e monumenteve përcaktohen zakonisht nga koha, nga materialet në të cilat do bëhet ky monument. Nëse do të bëhet në bronz bronzi ka një kosto. Dhe mermeri po ashtu. Materiali varet nga përzgjedhja e artistit, sepse edhe materiali varet nga koncepti, por dihet që një monument nuk mund të bëhet me materiale të lira. Kostoja nuk mund të konstatohet që në fillim. Ajo varet nga dimensionet dhe hapësirat përreth. Çështja e kostos është pak e ngatërruar.
Projektet e ardhme qeveritare për ngritjen e monumenteve të Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut e disa figurave të tjera, a mendoni se janë të menduara mirë?
-Unë nuk jam kundër ngritjes së monumenteve të figurave historike, por mendoj se ky vend nuk ka nevojë vetëm për skulpturat e figurave historike, por ka nevojë edhe për skulpturën e parqeve, që skulptura të mos kushtëzohet vetëm nga figurat historike vend e pa vend. Dikur në kohën e komunizmit ishte pushtuar çdo cep parku e lulishteje me figurat historike me partizanë e figura heroike, që shprehin një lloj patetizmi që iu bën keq dhe ndjesive të të pranishmëve në një lulishte. P.sh. Është shumë bukur që në një park një fëmijë të luaj në praninë e një skulpture lirike, apo jo. Këto lloj skulptura të zhanrit historik duhet të jenë se është historia jonë, por duhet të mendojmë edhe për skulptura arreduese të parqeve, që nuk ekzistojnë fare, janë zhdukur. Janë dy-tre skulptura nga liqeni artificial që shumë mirë mund të ishin në qytet, në parqe. Kjo ka lidhje me politikën që bën bashkia, urbanistika, shteti.
Me sa dini ju, bashkia me projektet e reja për Tiranën, a u kanë lënë shumë hapësira këtyre elementeve simbolikë e artistikë, siç janë monumentet dhe parqet për to. Nëse ne aktualisht nuk po ruajmë fizionominë e Tiranës me identitet të qartë si Roma apo Parisi, a u bëhet eklipsim i vlerave artistike figurave historike, kur i shohim pas cepave të kullave shumëkatëshe në mes të qytetit?
-Kjo është gjithmonë në varësi të përzgjedhjes së vendit për çdo objekt që ngrihet prej atyre që merren me urbanistikën e këtij qyteti. Do të ishte mirë të kuptohej se më mirë do të përfaqësohej identiteti ynë nëse do të kemi një shtatore të një poeti, p.sh. të Naim Frashërit apo të një rilindësi, që për mua janë aktorë më të rëndësishme në aspektin heroik e historik sesa politikanët e asaj kohe?
Ju vetë, për cilin personalitet do të donit të ngrihej një shtatore?
-Për Naim Frashërin. Nuk ka shtatore për të, janë vetëm ato bustet poshtë hijes së kullave. Pra, si në çdo gjë edhe për bustet ka një pamundësi të përshtatjes me vendin e duhur.
Janë shumë në projekte, dhe shumë shtatore janë bërë, ndërkohë që po mbipopullohen me to vendet dhe sheshet e pakta publike. Dihet që nuk është e lehtë për t'u lënë hapësira, ç'mendoni ju?
-Gjetja e vendit për shtatoren e pavarësisë mendoj se do të jetë akoma më vështirë, ndërkohë që dihet se ka shtatore të ngritura, të përfunduara dhe ende nuk u është gjetur vendi. Problemi i skulpturës është i lidhur me urbanistikën, ndaj unë kam rastin të bëjë apel që duhet parë me seriozitet edhe skulptura e parqeve, që të mos priremi me teprim të simboleve dhe figurave historike. Luigj Gurakuqi është në Shkodër. Ahmet Zogu është në Mat, Ismail Qemali është në Vlorë, ndaj unë mendoj se duhet lënë vend që të ketë edhe shtatore të tjera siç janë rilindësit që i dhanë kuptim e identitet këtij kombi. Rilindasit na frymëzuan që të ishim këta që jemi për 100 vjet të pavarur. Mos mendoni se jam kundër ndonjë figure historike, por figurat duhet të mbartin edhe madhështinë e përfaqësimit të një epoke dhe për këtë duhet menduar e duhet punuar gjatë. Kur bëri Skënderbeun, skulptori Janaq Paço punoi dhjetë vjet. Të njëjtën gjë bëri edhe Paskali kur është bërë Skënderbeu i Tiranës. Madje u është dhënë shumë kohë për të bërë një kuestor (kuestor quhen skulpturat me kuaj). Gjërat e nxituara nisin e prishen prapë, siç ndodhi me Heronjtë e Vigut.
A mund të argumentoni pse ju jeni kundër veprimit të prishjes së monumentit të Heronjve të Vigut?
-Në fund të fundit ata ishin personazhe historike, u vranë në rezistencë... Skulpturat i morën e i çuan në plehra. Si mundet të harrosh që ajo është një vepër që ka një autor. Ti s'ke nevojë që t'i fshish personazhet nga historia... Historia nuk zhbëhet njëherë në katër vjet. Është e tmerrshme në fakt. Me këto qëndrime janë bërë mjaft dëme. Janë humbur skulptura të mrekullueshme. Ka qenë e arrirë edhe vepra Heroinat e Mirditës, e mrekullueshme nga ana artistike dhe është shkrirë, është çuar për skrap. Është e tmerrshme...!
A nuk mendoni se ato kanë zënë një hapësirë sunduese, ngaqë ishin me orientim ideologjik?
-Kjo sigurisht që ka ndodhur, por nuk justifikohet shkatërrimi final i tyre. Do të ishte mirë të bëhej një park, siç është bërë në Hungari, ku janë janë të gjitha veprat e realizmit socialist dhe tashmë ky është park muze. Shkon turisti, paguan e viziton dhe shikon utopinë e asaj periudhe. Besoj këtu nuk asgjë të keqe. Ti nuk ke të drejtë të prishësh veprën e një njeriu që ka besuar tek ajo dhe ka shkrirë jetën për këtë punë. Ideolgjia të detyron, por skulptura është skulpturë. Ne po vazhdojmë ende sot me moton e Realizmit Socialist, mendojmë të bëjmë njerëz të mëdhenj dhe jo të bëjmë skulptura të mira. Po bëhen vepra me direktiva si në kohën e komunizmit.