Artan Hoxha: Protestuesit i drejtuan fishekzjarrët si grykë topi! Dhunën e kërkojnë organizatorët (VIDEO)

Artan Hoxha: Protestuesit i drejtuan fishekzjarrët si grykë topi! Dhunën e kërkojnë organizatorët (VIDEO)

Gazetari investigativ i Report TV, Artan Hoxha

Ish-drejtuesi i Policisë së Shkodrës, Arben Hajdarmataj dhe gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha diskutuan në studion e Report Tv lidhur me protestën e opozitës jokuvendore të 2 qershorit, e cila shpërtheu në dhunë tek Parlamenti. 

Gazetari Artan Hoxha foli foli për rrezikun e përdorimit të fishekzjarrëve dhe kapsollëve nga ana e protestuesve të opozitës, të cilat u përdorën si armë duke shënjestruar policinë. Por rreziku mund të ishte edhe më i madh duke lënë të plagosur protestues të tjerë dhe përfaqësues të medias, pasi fuqia e shpërthimit të tyre është mjaft e madhe dhe duke i mbajtur në duar apo duke i vënë nën këmbë mund të dalin jashtë kontrollit duke 'humbur' shenjëstrën.

Sipas Hoxhës, dhunën e kërkojnë organizatorët e protestës për të bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
Hoxha: I drejtuan fishekzjarrët si grykë topi...Mund të ishin plagosur rëndë protestues dhe kameramanë

Gazetari Artan Hoxha foli në studion e Report Tv, për rrezikun e përdorimit të fishekzjarrëve dhe kapsollëve nga ana e protestuesve të opozitës në tubimin e 2 qershorit. Ai tha se fishekzjarrët u përdorën si armë duke shënjestruar policinë. Hoxha komentoi momentin kur një protestues vë nën këmbë një fishekzjarrë të fuqishëm, duke e drejtuar drejt policisë. Në rast të ndonjë incidenti, për shkak të fuqisë së shpërthimit, ai mund të ndërrojë drejtim dhe të lë të plagosur protestues në mesin e turmës dhe veçanërisht edhe kameramanët të cilët qëndrojnë shumë pranë këtyre situatave për të përcjellë atë se çfarë po ndodh.

1559670336_fishekjzjare.jpg

Artan Hoxha: Fishekzjarri është barut. Nuk mund të vihet këmba mbi fishekë, sepse nuk dihet nga shkon. Kjo është shumë e rrezikshme. Kur hidhen fishekzjarret ka shumë fuqi të madhe, dhe e ka drejtuar si grykë topi drejt policëve të paarmatosur me pajimet për të përballur situata të tilla. Atij po t'i lëvizë drejtimi dëmton protestuesit e tjerë, edhe kameramanët të cilët janë shumë afër. Në një nga protestat u përdor molotov, dhe ndërkombëtarët u shqetësuan duke kërkuar të evitohet molotovi. Tek kryeministria i hodhën pas shpinës së policisë, dhe kishin efekt zhurmues, ndriçues, dhe nuk të dëmton.

Arben Hajdarmataj: Të palejueshme dolën sepse këta vendosën ligjin. Unë nuk mund ta di se nga i siguron opozita. Sot me kufi të hapur, me hyrje dalje të lira, nuk është vështirësi e madhe për të gjetur fishekzjarre dhe kapsolla.

Artan Hoxha: Në Shqipëri ka pasur firma për prodhim fishkzjarresh. Mund të prodhohen edhe vetë.

PAMJET E PLOTA që shfaqin përdorimin e fishekzjarreve si armë tek Kuvendit

Ora 19:35
Artan Hoxha: Plagosja e rëndë në protestë për militanten e LSI...Fake News me 'qytën e pistoletës dhe të infiltruarit'

I ftuar në studion e Report Tv, gazetari Artan Hoxha ka treguar me detaje incidentin e dhunshëm në protestën e 2 qershorit, ku mbetën të plagosur Ymer Çela, ish-truprojë i Sali Berishës, dhe djali i tij, Erjon Çela. Hoxha tha se shkak është bërë kalimi i një militanteje të LSI-së e cila kishte ngritur flamurin e partisë që mbështet. Babë i bir i kanë kërkuar të ulë flamurin dhe në mbrojtje të militantes ka dalë një person invalid me patericë nga Shijaku. Aty kanë ndërhyrë edhe të njohur të tij nga e njëjta zonë të cilët dhunuan me shufra hekuri Ymer dhe Erjon Çalës.

Artan Hoxha: Incidenti që ndodhi ishte me pasoja për ta. Edhe prokuroria e ka vlerësuar plagosje me pasoja të rënda, në bazë të vlerësimit të mjekësisë ligjore. Goditja ndaj tyre ishte shumë e rëndë. Ka pasur edhe raste të tjera kur brenda turmës ka pasur njerëz të infiltruar, pjesëtarë të veçantë të turmës kanë reaguar dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, por kjo ishte më e ekspozuar. Sepse sulmi ishte nga një grup i madh njerëzish, dhe sulmi ishte me mjete të rënda. Incidenti ndodhi kur ende nuk ishte ndezur protesta, sepse nuk është tek parlamenti. Babë e bir, Erjon dhe Ymer Çela, që kishin dalë në protestë si gjithë të tjerët. Një militante e LSI ka qenë me flamur. Një person nga Shijaku, që ka qenë invalid, me patericë, i ka dalë në mbrojtje militantes, sepse asaj i kanë kërkuar të heqë flamurin. Për shkak të fjalorit, në mbrojtje të invalidit nga Shijaku ka ardhur një grup personash që e njihnin, nga e njëjta zonë, dhe me mjete të forta kanë goditur barbarisht babë e bir. Zoti Ymer largohet një herë, dhe detyrohet të kthehet sërish për të mbrojtur të birin. Dhuna e ushtruar aty, ku nuk kishte polici, protestuesit ishin indiferencë se nuk e dinin çfarë po ndodhte. Problemi qëndron në faktin që u paraqit situata sikur punonjës të policisë kriminale ushtruan dhunë. Kjo ngjarje u përdor. U tha që është goditur me qytë pistolete, ja kanë çuar të gabuar informacionin zotit Berisha. Aty nuk ka qytë pistolete. Personat u identifikuan nga kamerat që faktuan se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Do të ishte shumë e rëndë nëse kontingjenti informator i policisë të përdorte dhunë. Në këtë vend e vetmja forcë që e mban rendin dhe sigurinë është Policia e Shtetit.

Ky incident u kthye në akuza të rënda politike, pasi ish-kryeministri Sali Berisha tha se Çelat u dhunuan nga efektivë të infiltruar. Por pamjet e transmetuara ekskluzivisht në Report Tv zbardhën sherrin e ndodhur, ku përmes tyre policia dhe prokuroria arritën në identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës. Njëri prej tyre u arrestua ditën e sotme, Zamir Sijani 43-vjeç nga fshati Xhafzotaj i Durrësit.

Ora 19:19
Artan Hoxha: Policia përdor gazin për të shmangur përplasjet fizike...mund të shkohet në jetë të humbura

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka shpjeguar strategjinë që Policia e Shtetit ndjek për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e protestave të opozitës jokuvendore. Gazetari i Report Tv tha se policia ka zgjedhur të dalë krejtësisht e paarmatosur në protestë, për të shmangur përplasjet fizike me turmën, situata që nëse përshkallëzohen mund të çojnë edhe në jetë të humbura. Edhe gazi lotsjellës, tha Hoxha, përdoret në momentet që rrezikohet përplasja fizike.

Hoxha sqaroi përballë ish-drejtuesit të policisë së Shkodrës, Arben Hajdari, se gazi është blerë në Izrael nga qeveria "Berisha" pas protestës së 21 janarit ku u shënuan 4 jetë të humbura, dhe gjithçka është bërë konform ligjit.

Arben Hajdarmataj: Deri më sot kemi gjithë këtë sasi gazi që është hedhur dhe nuk kemi një sqarim publik, nga një mjek apo kompetent për termat teknik të gazit dhe efektet anësore. Ato kanë gazin që është blerë në kohën e Berishës, ne nuk e dimë, por po e pranojmë këtë fakt. Gazrat janë të ndryshme që përdoren në rastin e goditjeve të rasteve kriminale, dhe gazrat në tubime. Pse duhet të merret Garda me këtë pjesë, sepse garda ruan objektin.  Nëse një grua që është shtatzënë dhe nuk e di që është i dëmshëm gazi, duhet informuar.

Artan Hoxha: Kemi edhe faturat dhe kontratat ku është blerë gazi. Në Izrael i blerë në mars 2011, pas protestave të dhunshme të 21 janarit. Izraeli njihet për prodhimin e mjeteve të gazit. Çdo gjë që përdoret nga policia është në inventar. Edhe prokuroria nisi një hetim dhe nuk shkoi askund se rezultoi të ishte një lëndë e marrë konform legjislacionit që ka Shqipëria. Pastaj përdorimi në zona të ngushta, ku ka edhe qytetarë që nuk kanë lidhje me protestën, kjo është tjetër çështje që ha diskutim. Por duke pasur parasysh se çfarë ndodhi me protestat e dhunshme, policia ka ndjekur një strategji. Së pari, nëse nisën fillimisht me vendosjen e vajzave police, patëm plagosjen e një efektiveje. Mbasi u larguan vajzat nga reshti i parë, u vendosën policet e komisariate, që detyra e tij nuk është menaxhimi i protestave, të paarmatosur. Një gazetar gjerman thoshte që nuk kam parë në asnjë vend të botës që policët mos të kenë armë dhe mburoja, dhe e vetmja gjë që dispononin ishte kundragazi. Policia e Shtetit del pa armatim në protestë, kjo është taksative në mënyrë kategorike. Ka vetëm shkopinj gome, skafandra, mjetet shihedhëse dhe bomblat e gazit. Taktika që ka zgjedhur policia, është taktikë për të mos pasur përballje fizike me protestuesit, me një grup të urdhëruar që nuk ka lidhje në vetvete me protestën, dhe që pas atij grupi mund të vijë turma, dhe turma të fshin. Policia ka zgjedhur të dalë e pambrojtur, për t'i bërë protestuesit të mos konfliktohen me policinë. Janë policë të pambrojtur përballë turmës.

Kur përballja fizike është bërë e pashmangshme, policia ka përdorur gazin në sasi të mëdha.  Nëse ka përplasje, nëse përdoren mjete të forta, mund të shkohet në jetë të humbura. Askush nuk ka garanci a mund të humben jetë qytetarësh në të tilla përplasje. 

Ora 19:11
Ish-drejtuesi i Policisë: Protesta e opozitës nuk ishte e dhunshme! Artan Hoxha: Incidente të organizuara

Ish-drejtuesi i Policisë së Shkodrës, Arben Hajdarmataj tha në studion e "Report Tv" se protesta e opozitës jokuvendore më 2 qershor, nuk ishte e dhunshme.

Arben Hajdarmataj: Protesta nisi si paqësore. Nuk është e dhunshme. Dhunë e quaj që me shkopinjtë e banderolave, me gurë, me pjesë betoni qëllohen policët. Një shishe bosh që hidhet ndaj policisë, nuk quhet pjesë e dhunshme. E dhunshme është kur objektiv janë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, gazetari Artan Hoxha foli për një skenar të orgnaizuar të dhunës, dhe sqaroi edhe argumentet pse sipas tij, opozita do që protestat të jenë të dhushme. Sipas gazetarit Hoxha, opozita kërkon vëmendjen ndërkombëtare, dhe do të tregojë forcën.

Artan Hoxha: Incidentet nuk vijnë nga masa e protestës, por vijnë në mënyrë të organizuar. Në protestën e gjashtë ishin paqësore, sepse organizatorët donin të ishte paqësore. Ata që e kërkojnë dhunën duan ta mediatizojnë protestën. Një protestë e zakonshme merret me fjalimin e liderit. Tek protesta e 16 shkurtit tërhoqën vëmendjen e mediave botërore, pamjet që u panë aty tërhoqën vëmendjen. Kapsollët dhe flakadanët përdoren në stadium për ta bërë atmosferën sa më interesante. Ndërsa në protestë janë përdorur për një mesazh: Gjuha që përdoret para protestave, na lë të kuptojmë si do të jetë protesta. Gjuha para protestës së gjashtë na la të shohim një protestë më balona dhe paqësore, na u duke si 1 maji. Shqetësimi që ata kanë kërkon edhe një element për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare nga opozita. Për të treguar që opozita ka fuqi, është e fortë, populli e ndjek, ka pjesëmarrje masive. Ndërsa termat para protestës së 7, do vijë tsunami, etj, ishte një gjuhë që çoi në një protestë të tillë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Uliks: 05/06/2019 05:31

    Ky gazetari e quan veten si "investigariv". Pse nuk "investigoi" banden e T. Doshit me 21 janar per te kuptuar se cfare donte: te ngrohej duke vene zjarrin makinave apo te bente jehone te mediat nderkombetare.

    Përgjigju
  • Halt: 05/06/2019 02:10

    O Tano kaq shpejt u korruptove dikur kishe qene me PD, me te degjuar sot i mban anen qeverise

    Përgjigju
  • Sauxburg: 04/06/2019 19:52

    Hajdarmataj eshte cun i mire. Nuk merr vesh fare nga policia sepse eshte diplomuar ne degen Sigurimi i Shtetit!! Drejtor policie eshte bere si shumica, per shkak te lidhjeve politike me PD!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja