Një 32-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se furnizonte me fishekzjarre personat e maskuar që morën pjesë në protestën e së shtunës, për t'i përdorur në veprime të dhunshme.
Në pranga ka rënë D. B., në banesën e të cilit, në rrugën “Zela”, policia gjeti 47 pako me fishekzjarre, të cilat u sekuestruan.
Sipas policisë, 32-vjeçari i shiste fishekzjarret pa pasur licencë dhe pa dokumentacion që vërtetonte blerjen e tyre.
Arrestimi u bë gjatë operacionit “Fireëorks 2”, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në furnizimin me lëndë piroteknike të pjesëmarrësve në tubime.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Zbulohet një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, për t’ua shitur shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve.
Arrestohet pronari i banesës ku u gjetën 47 pako me fishekzjarre, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks 2”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 32 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Zela”, u gjetën 47 pako me fishekzjarre.
Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk ishte i pajisur as me licencë për shitjen e tyre dhe as me dokumentacionin shoqërues të blerjes.
Ndërkaq, nga hetimet dyshohet se ky shtetas iu ka shitur shtetasve të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e ditës së shtunë, lëndë piroteknike, për përdorim për veprime të dhunshme.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas në tjerë të mund të jenë përfshirë në të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento