Kjo konferencë është organizuar nga Instituti i studimeve ligjore “Benussi”, Universiteti i Tiranës, Akademia e Shkencave e institucione të tjera.
Kryetari i Akademisë Myzafer Korkuti ka theksuar se “arbëreshët e Italisë kanë mundur të mbajnë dhe të përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj”.
Por historia dhe kontributi i pandërprerë i arbëreshëve për Shqipërinë nuk është e shkruar ende në tekstet shkollore dhe universitare. Kjo ka qenë tematika e diskutimit në kumtesën e profesor Ferid Dukës
Nga kumtesa e Francesko Altimarit ka dalë në dritë marshimi i gjatë i arbëresheve për autonominë. Qëndrojmë me Altimarin para ekspozitës së çelur në kuadër të konferencës dhe zbulojmë kontribute të panjohura të arbëresheve për Shqipërinë.
Fotografitë tregojnë sesi kanë kontribuuar arbëreshët për pavarësinë në 1912-n, e më tej janë dokumentuar përpjekjet e tyre për ruajtjen e kufijve të Shqipërisë.
Altimari rrëfen disa nga arsyet e njohurive të kufizuara ne Historinë e Shqipërisë.
I pyetur se si ka mundësi që të jetë ende i panjohur kontributi i arbëreshëve të Italisë për Pavarësinë, Altimari përgjigjet se u la në harresë më një qëllim të mbrapshtë.
"Keni të drejtë se edhe këtu ka një prapaskenë që nuk njihet dhe është shënuar kohët e fundit se arbëreshët zhvilluan një mision të veçantë brenda Evropës sonë. Nuk ka pakica si arbëreshët që kanë luftuar për dy rilindje, luftuan për rilindjen e vendit të ri ku ata konsiderohen qytetarë të barabartë me të tjerët që është Italia por luftuan edhe për rilindjen e vendit të tyre për të parët e tyre", tha Altimari.
Profesorë të Universitetit të Tiranës dhe studiuesit e njohur arbëreshë Francesko Altimari e Matteo Mandala kanë risjellë në kujtesë historinë e10 periudhave të valëve emigruese masive të shqiptarëve drejt Gadishullit të Apenineve.
Ndërsa profesor Irakli Kostallari ka rrëfyer kontributin e arbëresheve të Greqisë në çështjet më të mëdha të kombit shqiptar.
Konferenca u moderua nga Ajola Xoxa, drejtore ekzekutive e institutit Benussi.
[gallery]21701[/gallery]
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com