Arbëreshët ndalen në varrin e Dritëro Agollit/ Një këngë dhe letër nga Vorea Ujko për të

Arbëreshët e Italisë janë ndalur në varrin e poetit të madh Dritëro Agollit. Vizita e tyre në Shqipëri vjen në kuadër të projektit  “Të dua Arbëri”, një bashkëpunim shqiptaro-italian mes dy shoqatave Albanian Excellence dhe Vorea. Presidentja e shoqatës Albanian Exellence, Flora Nikolla tregon për Report Tv raportin që poeti Dritëro Agolli kishte me arbëreshët.

Unë isha fëmijë dhe kujtoj me shumë mall dhe me shumë nostalgji dashurinë e madhe, duke e njohur personalisht, mik i familjes sime...dashurinë e madhe që kishte për Arbërinë dhe Arbëreshët.

Presidentja e Albanian Exellence, Flora Nikolla.

E bija e Dritëroit, Elena Agolli zgjodhi që në këtë ditë të lexohej letra që poeti arbëresh Vorea Ujko i ka dërguar Dritëroit në vitin 1981.

“I dashur Dritëro,

Unë e ndiej largësinë nga ju . Jam gjithmonë i detyrueshëm për mikëpritjen vëllazërore dhe nuk di si t’ia shpërblej mëmës Shqipëri . Po unë e di se ti je i kënaqur kur unë i shërbej atdheut . Unë jam poet si edhe Ti je poet .Po , je poet . Kam rilexuar në këto ditë “Nënë Shqipëri” e më qan shpirti dhe m’u mbush me gëzim . Ajo është historia gjeologjike , panoramike , legjendare, heroike, filozofike, kombëtare, politike, shoqërore, popullore e gjithë Shqipërisë. E ti askurrë s’je spektator por jeton me çdo çast të kësaj historie, je i ngatërruar me çdo ngjarje dhe mishëron në vjershat dashurinë për atdheun , ndjenjën e dëshirat e njeriut shqiptar.

E gjithçka janë mish e gjak . Ti je plot nerva , zemër e tru. Je i rreptë dhe i butë , krenar i përvuajtur , i përflaktë e i akullt, serioz e sarkastik , i trishtuar dhe i gëzuar. Nëse isha një romantik do të thoja engjëll e demon. Me ty Shqipëria bëhet zemra e botës.

Mes dy malesh me dëborë,

 Ka një trim vetullhollë

 O ju korba, mos më ngani

Sytë e zez ju mos m’i hani…

Sigurisht ashtu këndonte De Rada e kjo është një raspodi e shkëlqyeshme arbëreshe. Cila letërsi vallë e ka këtë perlë?

E tashti si kritik do të doja që Dritëroi ta shpinte vëmendjen , që askurrë s’është skeptike, por përherë serioze dhe e angazhuar , rreth temave të njeriut e të jetës, rreth temave të Lorkës , Pasternakut, Nerudës, Quasimodos, Montales, etj Do të ishte një ndërprerje mes luftës, pushimi i luftëtarit . Jam i bindur se do të fitosh çmimin Nobel. Ndryshe i vë zjarr Suedisë. Tani jam duke shkruar një kritikë mbi Dritëro Agollin , por nuk e harroj poezinë. Akoma nuk e kam lexuar as te Drita as te Nëntori poezinë që të kam kushtuar. Pse? Vallë s’të pëlqeu? Tuk-tuk ! Hape!Jam unë! As kamarad, as tavarish . Hape!

Jam Vorea Ujko e zemrën e kam të bardhë. Bëjani qejfin poetit.

“Drita” kërkon përshtypjet e mia për vendin tonë. Le t’i shkruajnë të huajt. Për mua Shqipëria është mëma e nuk shkruhen mbresa mbi mëmën . Mëma këndohet. Ti më kupton. Asgjë akoma nga vëllezërit Kosovarë . Unë i kam shkruar Esadit por nuk kam pasur përgjigje. Falënderime për Llazar Siliqin që shkruan bukur për arbëreshët. Të fala të përzemërta Vehbiut, Fatmirit , Ismailit , Fatosit , Aleksit , partizanit Andrea, Spahiut, Ibrahim Fehmiut, Bardhylit , Nasho Jorgaqit , L.Qafëzezit.

Kur do të takohemi ? Qofsh i lumtur me familjen!

Të përqafoj , Vorea Ujko 

Letra e poetit arbëresh Vorea Ujko për Dritëro Agollin

 



Edhe më emocionues  ishte teksti i këngës “Jetë e re” që arbëreshi Vorea Ujko shkroi për mikun e tij të veçantë Dritëroin. Një këngë që u këndua nga Santino De Bartolo.

“Të dua Arbëri” parashtron aktivitete shumëdimensionale deri më 6 maj, ku një grup prej 20 arbëreshësh do të realizojnë aktivitete shumëdimensionale me qëllimin e ruajtjes dhe përhapjes së traditës së të parëve të tyre.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë