Një gjyqtar i UEFA-s u arrestua për sulm të dyshuar seksual ndaj një djali, pasi arbitri fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar për të arbitruar një ndeshje. Zyrtari në fjalë, akuzohet se e ka prekur djalin në mënyrë të papërshtatshme dhe është munduar ta marrë në dhomën e tij të hotelit ku po qëndronte para ndeshjes ndërkombëtare që do të drejtonte.

Policia nisi një hetim pasi personi në fjalë, jo britanik, kishte shkuar të drejtonte në ndeshjen e mesjavës në të cilën ishte caktuar nga UEFA, ndërsa e kishte arrestuar atë në momentin e kthimit në hotel, në praninë e zyrtarëve të lartë të UEFA-s të cilët kishin mbetur të tronditur.

“Me sa duket ai kishte filluar t’i fliste djalit në një pjesë publike të hotelit”, tregoi një burim për “The Sun”. “Ai akuzohet se e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme djalin kundër dëshirës së tij dhe është munduar ta marrë në dhomën e hotelit. Është diçka tronditëse dhe e papranueshme, nëse vërtetohet ngjarja”, tha ai.

“Ai u kthye në hotel atë natë. Sapo hyri me delegacionin e UEFA-s, policia ishte duke e pritur dhe e arrestoi duke i lexuar të drejtat e tij. Ai u mor në pyetje dhe më pas u la i lirë me kusht”, vijoi i njëjti burim i cili tregoi se djali, apo një mik i tij, kishin bërë denoncimin pas ngjarjes duke sjellë reagimin e policisë e cila konfirmoi se një person “në të 30-at” ishte nën hetim dhe mund të ekstradohet nëse shpallet fajtor.

UEFA bëri të ditur se situata po monitorohej, ndërsa personit në fjalë i ishin hequr të gjitha ndeshjet e programuara të drejtonte derisa të sqarohej ngjarja. Zyrtari ishte një nga qindra të tjerë që ishin rreshtuar për të punuar në Kupën e Botës këtë verë. FIFA tha se ai nuk do të merret në konsideratë për asnjë nga garat e saj ndërsa hetimi vazhdon.