ANGLI - Chelsea është finalisti i dytë i FA Cup, pasi të dielën triumfoi minimalisht 1-0 kundër Leeds United në gjysmëfinalen e luajtur në 'Wembley' të Londrës.
Ndeshja nisi më mirë për Leeds, që rrezikoi i pari me Brenden Aaronson, por portieri Robert Sanchez reagoi në mënyrë vendimtare për të mbajtur portën të paprekur. Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 23-të, kur Enzo Fernandez realizoi me kokë nga pranë portës pas asistimit të Pedro Neto, duke i dhënë avantazhin 'Bluve'.
Në pjesën e dytë Leeds provoi të reagonte duke kërcënuar me Anton Stach, por sërish Sanchez ishte në formë të shkëlqyer për të ndalur tentativat kundërshtare. Në vijim, Chelsea administroi avantazhin duke u fokusuar në mbrojtje dhe duke ruajtur rezultatin deri në fund për të siguruar biletën për në finale, edhe pse disa ditë më parë shkarkuan trajnerin Liam Rosenior dhe nuk e kanë ende një teknik kryesor.
Në aktin final Chelsea do të përballet me Manchester Cityn më 16 maj në mitikun 'Wembley'. City eliminoi Southamptonin duke e përmbysur 2-1.
Komente


