Presidenti serb Aleksandër Vuçiç reagoi ditën e sotme, pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënuan me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së.

Vuçiç tha se e kishte planifikuar qëllimisht fjalimin e tij për në orën 18:30, në mënyrë që të priste reagimet e liderëve politikë nga rajoni, konkretisht nga Shqipëria e Kosovë. Ai i cilësoi si të papranueshme reagimet e liderëve të Shqipërisë, Kosovës, por edhe të rajonit.

Artikulli i medias serbe:

“Po prisja të shihja deklaratat e të gjithëve dhe që ju të shihnit se me çfarë problemesh po përballet Serbia sot dhe sa shumë hipokrizi po përballemi”, tha Vuçiç.

Fillimisht, ai lexoi reagimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e gjykatës dhe deklaroi se “për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë UÇK-në” dhe se “liria ka një emër”.

Deklarata e Begajt u publikua pas shpalljes së aktgjykimit.

“Vetëm imagjinoni sikur një prej zyrtarëve tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte cilindo serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, tha Vuçiç.

Ai përmendi gjithashtu reagimin e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili pas shpalljes së aktgjykimit publikoi në rrjetet sociale fjalën “turp”.

Duke folur për reagimet nga Prishtina, Vuçiç citoi Albin Kurtin, i cili e cilësoi aktgjykimin si “një padrejtësi të papranueshme” dhe “një dënim të rëndë”, duke thënë se ai duhet të ndryshohet në procesin e apelimit.

Presidenti serb veçoi më pas një deklaratë të Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Niko Đeljošaj, i cili e cilësoi aktgjykimin “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe tha se “çdo shqiptar e mban në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së”. Đeljošaj deklaroi gjithashtu se beson se vendimi do të ndryshohet përpara instancave më të larta gjyqësore.

Vuçiç pyeti nëse deklarata të tilla do të kenë pasoja për integrimin evropian të Malit të Zi.

“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse pështyjnë mbi aktgjykimin, mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti Presidenti.

Ai iu referua gjithashtu reagimeve të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Bekim Salin, Kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.

“Dhe unë mendoja se ata ishin kriminelë, të paktën të dënuar në shkallë të parë. Jo, ata janë të gjithë çlirimtarë, heronj dhe heroinat”, tha Vuçiç.

Ai iu referua gjithashtu qëndrimit të diplomacisë kroate, duke deklaruar se Zagrebi, ndërsa shprehu se “e merr në dijeni” aktgjykimin, në të njëjtën kohë theksoi qëndrimin e tij lidhur me kontekstin politik dhe historik të luftës në Kosovë.

Vuçiç vlerësoi se këto reagime tregojnë edhe një herë se viktimat serbe po shtypen nga narrativa publike dhe politike.

“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo komunikatë, në çdo deklaratë”, tha Presidenti.

“Nëse nuk i kujtojmë viktimat tona, askush nuk do t’i kujtojë”

Vuçiç  tha se reagimet që pasuan aktgjykimin përfaqësojnë, sipas tij, një mësim të rëndësishëm për Serbinë sa i përket kulturës së kujtesës.

“Ashtu siç kemi zhvilluar një kulturë përkujtimi, duke respektuar gjithmonë viktimat e të tjerëve, por duke zhvilluar gjithashtu një kulturë përkujtimi për viktimat tona, edhe në këtë çështje do të duhet të bëjmë ende shumë.

Sepse, nëse nuk i kujtojmë viktimat tona, askush nuk do t’i kujtojë kurrë. Askush nuk do t’i përmendë madje”, tha presidenti.

Ai vlerësoi se reagimet nga rajoni tregojnë ekzistencën e standardeve të ndryshme ndaj serbëve dhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë.

“Mund të kesh aktgjykime të formës së prerë dhe jo të formës së prerë, nuk ka rëndësi. Serbët do të jenë gjithmonë kriminelë, ndërsa të gjithë të tjerët do të jenë çlirimtarë, heronj dhe heroinat”, tha Vuçiç

“Dialogu është gjithmonë më i mirë se konflikti”

Presidenti e përfundoi fjalimin e tij me mesazhin se, pavarësisht gjithçkaje që kishte thënë, politika e Serbisë duhet të mbetet e përqendruar në ruajtjen e paqes dhe vazhdimin e dialogut.

Ai vlerësoi se ishte gabim që, sipas tij, komuniteti ndërkombëtar lejoi ndërprerjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve në Kosovë  përmes veprimeve të njëanshme dhe të dhunshme.

“Ne besojmë se dialogu është gjithmonë një zgjidhje më e mirë se çdo konflikt dhe duam që dialogu të vazhdojë”, tha Vuçiç.

Serbia, shtoi ai, do të vazhdojë të dialogojë me të gjitha vendet dhe popujt e rajonit, pavarësisht dallimeve dhe fjalëve të ashpra.

“Këta janë njerëz me të cilët jetojmë, disa së bashku, disa si fqinj. Do të duhet të përpiqemi t’i përmirësojmë këto marrëdhënie, por jo në një mënyrë që ne vetëm t’u shërbejmë atyre ose që ata të mendojnë se mund ta poshtërojnë dhe në fund ta mposhtin Serbinë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, marrëdhëniet në rajon mund të përmirësohen vetëm përmes dialogut të civilizuar dhe respektimit të interesave legjitime të të gjitha palëve.

“Çdo bisedë dhe çdo dialog është shërues dhe besoj se është gjithmonë më mirë se çdo gjë tjetër”, përfundoi Presidenti i Serbisë.


Lajmi kryesor:

Vuçiç i pakënaqur me vendimin e Hagës: Nuk janë dënuar për krime kundër njerëzimit, mos festoni ende! Sulmon reagimet e Begajt dhe Ramës