Cila është një parti e suksesshme: ajo që punon katër vite për ditën e zgjedhjeve, apo ajo që zgjohet tre muaj para tyre?

Pyetja duket retorike, por në politikën shqiptare është një nga pyetjet më serioze që mund t'i bëhet një force politike.

Një parti nuk ndërtohet në fushata. Fushata vetëm ekspozon atë që partia ka ndërtuar ose nuk ka ndërtuar gjatë katër viteve.

Partia serioze punon edhe kur nuk ka kamera. Është në terren edhe kur nuk ka zgjedhje. Dëgjon qytetarin edhe kur vota e tij nuk është urgjente. Ndërton organizatë, përgatit njerëz, prodhon ide, identifikon problemet, krijon alternativa dhe, mbi të gjitha, ndërton besim.

Kur nuk mjafton besimi blen votuesit.

Është ditë për ditë me njerëzit dhe elektoratin e vet.

Partia që punon vetëm tre muaj para zgjedhjeve bën të kundërtën. Hap zyrat, nxjerr flamujt, kërkon kandidatët, hedh disa statuse, mbush rrjetet sociale dhe zbulon papritur se qytetari ka halle.

Për katër vite nuk ka pasur kohë ta dëgjojë, ose ka dëgjuar e ka vepruar në mënyrë sporadike, populiste e pa strategji.

Pastaj, tre muaj para zgjedhjeve, kërkon që qytetari të ketë kohë ta dëgjojë atë.

Kjo është një nga patologjitë më të mëdha të jetës politike shqiptare. Fushata zëvendëson organizimin; propaganda zëvendëson programin dhe kandidati zëvendëson partinë.

Por zgjedhjet nuk fitohen vetëm me një komunikim të mirë në tre muaj. Fitohen me një marrëdhënie të mirëndërtuar gjatë katër viteve.

Një parti që punon katër vite nuk ka nevojë të shpikë një realitet të ri në prag të zgjedhjeve. Ajo thjesht paraqet bilancin e punës së saj.

Ndërsa partia që punon tre muaj duhet të bëjë mrekullira. Të bindë njerëzit se ka ndryshuar, pa u dhënë asnjë arsye pse duhet ta besojnë ndërkohë që qytetarët më së shumti pyesin se “Ku ishte kjo parti gjatë katër viteve të fundit?”

Një parti që shfaqet vetëm kur kërkon votën, nuk është një parti që punon seriozisht për zgjedhjet dhe fitoren. 

Dhe, jam apo s'jam dakord me patronazhistët e PS, me mënyrën si veprojnë, markojnë apo edhe monitorojnë trupën elektorale, mbase edhe opozita duhet  ta shohë e ta ndjekë si model.

Si modelin e një partie që nuk zgjohet para zgjedhjeve, por punon katër vite për zgjedhjet.