TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka dolë sot para komisionit të vettingut, i vetëm dhe pa praninë e një avokati. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, në analizim të të dhënave tha se kryepolici nuk ka probleme me pasurinë, pastërtinë e figurës, apo aspektin profesional. "Nëse komisioni do të më japë mundësinë të bëj serish punën time, jam udhëhequr nga ndershmëria dhe virtytet do i kem deri në fund të ditës sime në punë. Respektoj çdo vendimmarrje", tha Veliu, teksa vendimi për të do të jepet më 7 shkurt në orën 09:45.

Kryepolici Veliu ka deklaruar një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro. Aktualisht, së bashku me bashkëshorten e tij, Veliu ka deklaruar se jeton në një shtëpi me qira në Tiranë.

Veliu ka deklaruar dhe një kredi 5 milionë lekë, dhe të ardhura familjare. Mbi këto të ardhura, ai ka deklaruar 750 mije lekë të depozituara. Ndërkohë ka edhe 5 mijë euro në bankë nga shitja e një automjeti. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 2 milionë e 400 mije leke te dhuruara nga prindërit. Në deklaratën e prindërve të bashkëshortes së Veliut thuhet se shuma është dhuruar pas shitjes së një apartamenti në Vlorë. Sipas komisionit dhurimi është vlerësuar i ligjshëm.

Sipas komisionit të Jashtëm të Vlerësimit të efektivëve të policisë, ka përputhje të deklarimit të drejtorit të Policisë së Shtetit, me të dhënat e marra nga institucionet. "Subjekti ka kryer deklarim të saktë në perputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nu e ka fshehur pasurinë", u shpreh komisioni.

Lidhur me kontrollin e figurës, sipas DSIK, Veliu është pajisur me certifikatë sigurie dhe nuk ka procedime penale për të. Nga verifikimet e kryera, nuk rezulton që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të ketë qenë i dënuar apo i përfshirë në Sigurimin e Shtetit. KJV tha se Veliu ka plotësuar me vërtetësi formularin e pastërtisë së figurës dhe se nuk ka kontakte me persona me rekorde kriminale. Po ashtu në dosjen e tij nuk ka masa disiplinore.

Në vitin 2002 dhe 2003 dhe 2007 Ardi Veliu e ka ushtruar detyrën në Vlorë. Ka pasur informacione se ka qenë i lidhur me falsifikimin e vizave dhe ka favorizuar në kalimin e klandestineve. Por në denoncime nuk janë gjetur prova që të vërtetojnë përfshirjen e tij, raportoi komisioni i Vlerësimit. Ndaj Veliut në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit ka pasur dy denoncime: Nga një person me argumentin se nuk ka mbajtur qëndrim korrekt në detyrë dhe një denoncim nga Sindikata e Punonjësve të Policisë. 

"Duke vlerësuar gjithë raportin, doja të shtoja për transparencë diçka në lidhje me pastërtinë e figurës, në lidhje me një falsifikim pasaporte. Prej 15 gusht 2006 nuk kam qenë pjesë e Policisë Vlorë. Dua të hedh dritë mbi të vërtetën. Sa i përket pretendimit të Sindikatës së Punonjësve të Policisë, jam munduar të punoj me respekt ndaj ligjit. Drejtori i Policisë së Shtetit nuk merr pagesë për sindikatën sepse nuk e lejon ligji", u shpreh Ardi Veliu.

Ardi Veliu sot pas seancës së Vettingut

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Kreu i sindikatës së policëve: Emërimi i Veliut nga Rama i paligjshëm! Drejtori raport jo të mirë me vartësit, nuk respekton marrëveshjet (VIDEO)

Kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta, tha se do ta anikojë vendimin e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit nëse lë në detyrë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Në një prononcim për medias pas seancës, Fishta tha se Veliu ka bërë emërime të padrejta, të personave që nuk kanë pasur gradën e duhur, ndërkohë që shtoi se ai nuk bashkëpunon me sindikatën dhe nuk ka raport të mirë me vartësit.

"Marrëdhënia e sindikatës me drejtorin e Përgjithshëm, qëkur ka ardhur marrëdhëniet i ka pasur në nivel zero. Në sqarimin që i dha komisionit, u shpreh që unë si drejtor i Përgjithshëm, ligji parashikon të ketë shumë sindikata. Kjo nuk e ka ndaluar dr që marrëdhëniet me sindikatën t'i ndërtojë në sajë të marrëveshjeve në fuqi, dhe atë nuk e ka njohur. Dhe ka shkelur detyrimet që ka pasur. Drejtori i përgjithshëm ka larguar edhe drejtues sindikate nga detyra, që në sajë të marrëveshjes duhej të ishte marrë mendimi i sindikatës, ka emëruar në poste pa e merituar me grada. Këto janë më e pakte që ka bërë shkelje, ka pasur punonjës policie që kanë fituar gradë në gjykatë, dhe ka emëruar efektivë me dy grada më poshtë. Komisioni i quajti si ankesa që nuk qëndrojnë, nuk rrezikojnë pozitën e dr të përgjithshëm në raport me ligjin.

Me këto që dëgjuam nga raporti shohim që raporti është përpiluar kryesisht nga struktura shtetërore,se drejtorin e përgjithshëm e emëroi kryeministri, duke shkelur edhe ligjin në fuqi, pavarësisht se komisioni e quajti të ligjshëm. Edhe vendimi për emërimin e tij është i paligjshëm.

Raporti që ka ai me vartësit e vet është ajo që shpreh nëse ky drejtues duhet të jetë po jo në detyrë", u shpreh  kreu i sindikatës së punonjësve të policisë.