Ju e kundërshtoni Kujtim Buzën dhe thoni se Maks Velo, Ali Oseku dhe Edison Gjergo, nuk u dënuan nga regjimi për fjalë por për veprat e tyre. Ku bazoheni për këtë?
Është qesharake të thuash "sot" që Oseku, Velo dhe Gjergo u penalizuan me "burg"-im vetëm për disa "pakënaqësi". Me këtë formë rrëfimi Kujtim Buza jo vetëm që nuk ndihmon për të zbuluar të vërtetat e mëdha të frymës së re që përfshiu artistët e sipërpërmendur në fillim vitet '70, por me cinizëm tenton të sfumojë kontributin e këtyre artistëve, sepse dihet fort mirë që në atë periudhë u shtypën me forcë të gjitha tendencat dhe fenomenet, "risi" që tentuan të krijojnë debat të mirëfilltë mbi "Artin Modern" dhe kërkesat e reja që duhet të përballeshin artistët në atë kohë.
Natyrshëm në atë periudhë, kjo lëvizje sado në fillesat e saj (sepse vigjilenca e "artistëve" pranë Partisë së Punës nuk e la të zhvillohet më shumë se pak vite këtë fryme të re) pati rezultatet e saj në veprat e artit, ku këta artistë krijuan duke "e parë artin me sytë e tyre" dhe jo me sytë e Partisë.
Pra ata "guxuan" dhe vunë në diskutim nëpërmjet artit të tyre çështjet kompozicionale që dekonstruktonte parimet skematike të realizmit socialist. Ata ishin për orientimin drejt "individualizmin artistik", që po t'i jepej pak kohë do të kishte padyshim zhvillime të rëndësishme paralelisht me çfarë ndodhte në atë kohë në perëndim…
Kam pasur fatin të shoh disa nga veprat e këtyre artistëve të sipërpërmendur të asaj kohe që po flas dhe sinqerisht kam ndjerë brenda krijimeve të tyre Shagallin, Brakun, Pikason e të tjerë "heretikë" të dogmës së realizmit socialist dhe nuk kishte se si të ndodhte kjo nga disa njerëz të përciptë që hidhnin ndonjë fjalë pakënaqësie "andej-ketej" -sipas K. Buzës. Kjo kupton në thelbin e tyre dëshirën e madhe të disa artistëve të lirë (dhe jo të promovuar nga Partia e Punës) për t'u identifikuar me një art tjetër!!!
Nga këtu rrjedh edhe pyetja mbi disidencën. Në ç'forma u shfaq ajo, sipas jush ne artin pamor?
Për disidencën në artin pamor përgjigjja nuk mund të jetë "një" dhe përfundimtare, sepse duke e parë në këtë formë, bardhë e zi, biem në kurthin e njerëzve që duan t'i sfumojnë ngjarjet, pra disidenca nuk duhet parë thjesht si përkufizim, por si "fenomen" sepse e kam sipërpërmendur, që nuk ju la kohë të rritej dhe të zhvillohej në mënyrë të natyrshme.
Për të kuptuar më shumë ngjarjet dhe lëvizjet artistike të viteve'70, ka disa përthyerje që gërshetojnë aspekte jo vetëm artistike, por edhe sociale, shoqërore dhe politike sepse në atë kohë janë në diskutim jo vetëm çështjet artistike por edhe liritë dhe të drejtat e individit për t'u shprehur dhe për të qenë i lirë.
Gjithmonë duke dashur t'i referohem atyre që kërkojnë të sfumojnë lëvizjet moderniste në atë kohë ata justifikohen se nuk ka pasur disidencë të kulluar. Megjithatë ka disa forma dhe mënyra të të bërit disidencë nga ajo më klasikja me anë të manifesteve apo tubimeve kundër një politike të caktuar (gjë që nuk mund të ndodhte në Shqipërinë komuniste për shkak të një centralizimi të paparë, ku asgjësoheshe menjëherë edhe fizikisht) por ka dhe forma të tjera disidence, që metaforikisht po i përkufizoj "të heshtura" që vijnë jo nëpërmjet pjesës spektakolare të komunikimit, nëper media (totalisht e kontrolluar nga regjimi komunist) apo sheshe (ku nuk mund ta çoje dot nëpër mend sepse "dara" e hekurt e sistemit komunist ta shtypte kokën). Por kjo disidencë ishte "Gandi"-ane, pa shumë zhurmë në dukje por me përshtjellime intelektuale të jashtëzakonshme që rezonuan tek njëra-tjetra si në art pamor, teatër, muzikë, balet etj, ku në qendër të kësaj vorbulle ishte rrebelimi sado dhe për pak kohë për të qenë dhe për të bërë ndryshe.
Ju i përkisni nëj brezi artistësh më të rinj, pra nuk iu desh të përballeshit me Realizmin Socialist. Çfarë dini ju për Lidhjen e Shkrimtarëve, për vijën e partisë në art, për dosjet e artistëve...?
… jemi me fat që nuk u përballëm në mënyrë të drejtpërdrejtë me periudhën e Realizmit Socialist por kjo nuk na pengon të analizojmë atë kohë për shumë arsye. Së pari për të analizuar dhe kuptuar çfarë ndodhi në atë periudhë dhe për të nxjerrë konkluzionet e duhura për të ardhmen dhe së dyti për t'ju kundërvënë atij mentaliteti të errët artisik që fatkeqësisht vazhdon të jetojë në segmente të caktuara të shoqërisë tonë edhe sot, pavarësisht që "mitet" kanë rënë dhe arti shqiptar ka hyrë në rrjedhën e integrimit me kulturën perëndimore.
Ky mentalitet vazhdon, sepse nuk është bërë një punë e rëndësishme studimore dhe jo sporadike nga institucionet kulturore si Galeria Kombëtare e Arteve (që ka edhe në fondin e saj pjesën më të madhe të veprave të asaj kohe), ku duhet të kishte rolin kryesor, atë të evidentimit dhe analizës profesionale të asaj periudhe me rëndësi në zhvillimet e artit pamor përgjatë viteve të regjimit komunist dhe që fatkeqesisht të mos kemi edhe sot e kësaj dite jehonën e legjendave urbane që shpiku ai regjim me zyrën e tij "Lidhjen e Shkrimtarëve" që nuk ishte vetëm institucion propagandistik (sipas kujtimeve të K.Buzës na dilka se ky institucion thuajse u merrte vetëm me "statistika!?") por ishte paradhoma ku shumë artistë janë gjykuar dhe për pasojë internuar e burgosur pavarësisht që vendimin përfundimtar e bënte gjykata...
"Gjyqin e madh" ta bënin kolegët, shokët, kolektivi që dirigjohej nga "Lidhjen e Shkrimtarëve"!!!...Si përfundim për të kuptuar më mirë "Vijën e Partisë në Art" dhe "Dosjet e Artistëve" i sygjeroj publikut të lexojë librin "Koha Antishenjë" e Maks Velos, ku ka fakte dhe ngjarje reale. Atëherë do të kuptoni më mirë dhunën dhe represionin që i është bërë artistëve të sipërpërmendur (dhe jo vetëm atyre sepse ka dhe shumë e shumë të tjerë në gjitha fushat kulturore).
(s.g/shqiptarja.com)