Argatët e Putinit në Europë

Argatët e Putinit në Europë

Është e pabesueshme sa politikanë i ka blerë Kremlini në Europë (austriakë, gjermanë, francezë). Lexoni në vijim disa informata ekskluzive:

■ Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder është lobisti më i madh i Vladimir Putinit në Europë, paguhet nga firmat ruse të gazit. Përkundër presionit publik Schröder ende nuk ka dhënë dorëheqje nga mandatet e tij ruse.

■ Në shërbim të Rusisë është edhe ish-ministrja e Jashtme e Austrisë Karin Kneissl. Para një viti ajo u shpërblye me postin e anëtares së bordit të ndërmarrjes shtetërore ruse të naftës Rosneft. Kneissl, e cila ka qenë dikur gazetare, shfaqet shpesh edhe në televizionin propagandistik rus RT. Më 2018 Kneissl e ftoi Putinin në dasmën e saj dhe vallëzoi me shefin e Kremlinit. Në kujtesën e opinionit ka mbetur e fiksuar një skenë ku Kneissl i bie në gjunjë Putinit… Në fillim të kësaj jave Kneissl e nxori kokën në televizionin rus RT dhe tha se Putini e ka zgjedhur “formën më minimale të eskalimit”. Se sa ka pasur të drejtë kjo propagandiste po shihet në fund të kësaj jave.

■ Ish-kancelari austriak Wolfgang Schüssel është anëtar i bordit të koncernit rus të derivateve të naftës, Lukoil. Ai ka thënë se dëshiron të mbetet anëtar i bordit me arsyetimin se Lukoil nuk është firmë shtetërore ruse. Kjo është maksimalisht gjysma e vërtetës, sepse në Rusi asnjë firmë e madhe nuk është e pavarur nga Kremlini. Schüssel ka qenë edhe anëtar i bordit të kompanisë telefonike ruse MTS. Më 2019 është larguar nga ky bord.

■ Ish-kancelari austriak Christian Kern ishte deri të enjten anëtar i bordit të hekurudhave shtetërore ruse. Kern njëherë deklaroi se nuk e ka ndërmend të dorëzojë këtë mandat, madje tha se sanksionet kanë vetëm efekt simbolik, pastaj, sipas tij, jo gjithçka është gabim në argumentimin rus. Por pas eskalimit të agresionit rus kundër Ukrainës Kern dha dorëheqje.

■ Ish-ministri i Financave i Austrisë Hans-Jörg Schelling e ka këshilluar për disa muaj koncernin rus të gazit Gazprom. Tani nuk ka ndonjë angazhim në Rusi. Christoph Leitl, ish-kryetar shumëvjeçar i Odës Ekonomike të Austrisë, e quajti Putinin “shahist gjenial politik” dhe u deklarua kundër sanksioneve.

■ Ish-kryeministri i Francës François Fillon në korrik 2021 u zgjodh në bordin udhëheqës të firmës ruse të naftës Zarubezhneft. Pastaj edhe në drejtorinë e koncernit petrokimik rus Sibur. Pas telefonatave me presidentin Emmanuel Macron ish-kryeministri Fillon ka dorëzuar postet ruse.

■ Viteve të fundit Rusia ka themeluar disa fondacione kinse për dialog në Europë. Në këto fondacione janë angazhuar ish-politikanë dhe ish-ushtarakë. Vladimir Jakunin, njeri i besueshëm i Putinit, ish-agjent i KGB-së dhe ish-shef i hekurudhave ruse, themeloi më 2016 në Berlin një institut me emrin “Dialogu i civilizimeve”. Një fjalë përshëndetëse me atë rast e mbajti ish-shefi i armatës gjermane, gjenerali Harald Kujat. Javëve të fundit Kujat e mbrojti shefin e marinës gjermane, i cili tregoi mirëkuptim për Putinin dhe pastaj iku nga posti nën presionin e publikut.

■ Sipas hulumtimit të një rrjeti të gazetarisë së pavarur Jakunin ka qenë organizator i ndihmës financiare për ta bërë president të Çekisë Millosh Zemanin, i cili shquhet për deklarata proruse, antiperëndimore dhe proserbë (Zeman është deklaruar disa herë me tone toksike kundër pavarësisë së Kosovës).

■ Rusia njëkohësisht përkrah edhe shumë politikanë të ekstremit të djathtë në Francë, Gjermani, Austri dhe gjetiu. Shumica e këtyre politikanëve kanë qëndrime armiqësore ndaj demokracive perëndimore, supozohet se financohen pjesërisht direkt apo indirekt nga Rusia dhe të gjithë i bën bashkë edhe refuzimi i pavarësisë së Kosovës.

■ Njëri nga propagandistët më të neveritshëm pro Putinit në Gjermani është publicisti i ekstremit të djathtë Jürgen Elsässer, përndryshe kundërshtar militant i Kosovës dhe shpifës i ligës së parë kundër shqiptarëve.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rec2022: 28/02/2022 12:36

    Ilir metaj (meta) nje nga argatet dhe bythlepirsit me te medhenj te putinit

    Përgjigju
  • Tibor: 28/02/2022 09:45

    Nuk keni permendur Z. Viktor Orban dhe qeveria e tij. Ata kane shitur Hungari Putinit.

    Përgjigju
  • Tralala zura nje gale: 28/02/2022 00:52

    Shtoni ketu presidentin e Shqiperise Ilir Meta qe thote Arme ka NATO dhe SHBA ppr arme ka edhe Rusia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë