Aristide Maillol e Dina Vierny, një histori dashurie dhe arti (FOTO)

Aristide Maillol e Dina Vierny, një histori dashurie dhe arti (FOTO)

Luan Rama pranë skulpturës së Aristide Maillol

Trupa femërorë derdhur në bronx, në lëndinat e gjelbërta të Luvrit, në “Jardins de Tuileries” buzë Senës, mes asaj turme njerëzore e të pandalshëm ku njerëzit të ahnitur nga ato skulptura, ndalojnë për të parë disa çaste vepra që të ngjizin në kujtesë. Tri adoleshente, një grua e shtrirë në një estazë të bukur, një tjetër me kokën e lëshuar në atë shprehi sikur t’i thotë hyjnisë: «Ku vallë gjendem kështu, në ç’botë?»... Trupa nudo me një harmoni të mahnitshme çka i japin jetë këtij mjedisi e duke u afruar tek to, njeriu, vizitori, burrë apo grua, e ndjen se është i njëjti trup, e njëjta grua, te njëjtët gjinj e forma të kolme krijuar e derdhur nga dora e një njeriu, e një mjeshtri, e një artisti. Ky artist quhej Aristid Majol (Aristide Maillol), i treti mjeshtër i madh pas skulptorëve të famshëm francezë Roden (Rodin) dhe Burdel (Bourdell). Ndërsa kjo grua e derdhur në bronx me një sensualitet të veçantë quhej Dina Aibinder apo më pas Dina Vierny, muza e skulptorit, e cila që në lulen e saj të rinisë do të bëhej idhulli i tij. Thua se një dorë hyjnore ia kishte sjellë ne pragun e atelierit, duke i thënë: «Ja, kjo është muza juaj! Rikrijoje tani, dehu me të! … Pasi arti është një fakt një lloj ngazëllimi e dehje, një klithje arti, një përgjërim ndaj të bukurës. A nuk janë përgjëruar kështu një Botticelli, një Mozart, një Flaubert, një Rodin. Dhe Maillol, i cili më parë ishte piktor, më vonë iu drejtua skulpturës për të dhënë atë trup të kolmë, atë shpirt, që më vonë do ta rikrijonte dhe me sy mbyllur! C’ishte vallë?

Kthehem e rikthehem shpesh me miq të ndryshëm që vijnë nga Tirana në këto lëndina, me miq që ende nuk i kanë parë këto mrekulli ku ato shfaqen me hiret e tyre, skulptura që mjeshtri u dha emrat apo titujt «Tri hiret», “Ajri”, “Lumi”, “Mali”, “Harmonia”, “Mesdheu”… pasi ky gjeni i gjestit, që gjithë jetën kërkoi i etur në rrugën e perfeksionit të formës, zbuloi njëkohësisht dhe atë që një shpirt, një frymë, një dëshirë, mund ta ngjizësh dhe në gur, në mermer, në bronx… dhe atëherë vizitori pranë tyre mund të pëshpërisë: «Skulpturat marrin frymë!...» Sigurisht, Dina, me forcën, karakterin, inteligjencën dhe poetikën e saj do te kishte dashuritë e veta, dehjen e saj të rinisë dhe të pjekurisë, por dashuria e tyre, ishte dashuria e syve, e prekjes, e paqtimit, e dëshirës dhe rikrijimit. Nuditeti i saj u bë formë primare e të bukurës për Majol, formë e bukurisë pagane, e origjinës, e krijesës njerëzore. Dhe kështu ajo, me orë, javë, muaj e vite, qëndroi para tij, nudo, e shtrirë, në këmbë, përkulur, kruspull, ëndërruese, e dehur dhe në ekstazë, e lëshuar dhe stoike, gruaja në të gjitha format e saj.

Majol kishte lindur në vitin 1861 dhe vdiq në fundin e luftës, në vitin 1944, në jug të Francës, pa mundur ta shijonte ende jetën dhe muzën e tij që nuk iu shqit për asnjë çast. Dinën e kisha parë në fillimin e viteve ’90 në galerinë e saj «Dina Vierny» në «Rue Jacob», ku kishte një pjesë të veprave të mjeshtrit të saj dhe më vonë në kohën kur u inagurua Muzeu «Maillol» në Rue de Grenelle, ku banoja dhe unë. Ajo ishte 15 vjeçare kur erdhi në Paris, pas një peripecie të jashtëzakonshme duke u larguar më 1925 në fshehtësi nga Besarabia e më pas në Berlin, dhe që andej kohë më vonë, kjo familje hebre kishin kaluar kufirin francez drejt Parisit, ku i ati pianist u angazhua në një sallë kinemaje, ndërsa nëna e saj kishte qenë këngëtare. Pkërisht në atë kohë ishte një miku i babait të saj që ia prezantoi Dinën mjeshtrit Majol i cili menjëherë ra në sharmin e saj edhe pse ajo ishte ende një adoleshnte ndërsa ai një 73 vjeçar. Por dashuria e tyre ishte një dashuri e shpirtit. Në një film artistik me aktorin e njohur Jean Rochefort, kisha ndjekur këtë lidhje të habitshme por mjaft njerëzore… botën e artistit dhe modelin që i jepej me plot dëshirë.

Një histori Pigmalioni… Dhe kjo histori mes tyre do na kujtojë dhe plot histori të tjera siç ishin shkrimtarja Marguerite Duras me të dashurin e saj të ri Yan Andrea apo skulptorin Cesar me modelen dhe sekretaren e tij. Majol ishte i dashuruar pas trupit të saj, formës, atij pulsimi trupor që vetëm ai e ndjente. A mund të punohet me vite të tëra pa ndalur sipas një modeli të njëjtë? Ndryshe nga Botticelli me Simonetën apo Rafaello me Farnarinën, Matisse i ndërronte modelet e tij, por Lydia, një nga modelet e tij jetoi 30 vjet me Matisse gjer në vdekjen e tij. Ajo ishte zonja e shtëpisë dhe modeli, hiret e natyrës njerëzore, dhe frymëzimi i tij. Madje dhe vizatimi i tij i fundit ishte një portret i Lydias, ashtu siç do të ishte për Majol një etyd për Dinën, apo «Didi», siç i thërriste ai, ndërkohë që ajo e thëriste «Mon Patron» (Patroni im), pasi Majol ishte për të Ati i skulpturës. Auguste Rodin, që e kishte pikasur veprën e Majol që në vitet e para të shekullit XX, thoshte se “ Majol është një skulptor po aq i madh sa të mëdhenjtë… Unë jam i bindur dhe i qetë për avenirin e tij…” Roden shikonte tek ai pasuesin e vet, artin e madhërishëm.Dhe Majol nuk do ta zhgënjente me forcën e daltës së tij. Majol ishte një njeri i thjeshtë, ai kishte mbetur në natyrën e tij provinciale, atelieri i tij ishte gjithnjë një atelier i varfër, ku shkëlqenin kryeveprat e tij.

Gjatë luftës, Dina u arrestua dy herë nga Gestapo që përgatitej ta çonte me trenat e vdekjes drejt Auschvitz… Herën e parë, më 1943, por përmes një avokati, Majol i fshehu lidhjet e saj me rezistencën, ku në kufirin e Pirrenejve ajo dërgonte gjithë emigrantët hebrej apo antifashistë të kalonin drejt Spanjës dhe pastaj Amerikës. Dhe ajo u dënua thjesht me një gjobë për kontrabandë, edhe pse Gestapo do ta mbante në shenjestrën e vet. Më pas, Majol kërkoi ta merrte në jug të Francës dhe ta fshihte në Cimez, në zonën italiane por dhe aty, meqë ajo punonte për Rezistencën, e arrestuan përsëri. Mjeshtri e vuajti shumë burgosjen e muzës së tij. Si mund të punonte tani kur ajo muzë, ajo dashuri, kërcënohej të shuhej nën barbarinë naziste?... A mund ta shpëtonte ëngjëllin e tij? Por fatmirësisht në atë kohë në Paris erdhi një skulptor i njohur gjerman Arns Breker, që i njihte rrethet e larta të Rajhut të III dhe me ndihmën e tij, Dina përsëri i shpëtoi trenave të vdekjes. Por mjerisht, si pasojë e një aksidenti me makine, në shtatorin e vitit 1944, në vendlindjen e tij në Byulis-sur-Mer, Majol do të jepte frymën e fundit.

Mjeshtri kishte caktuar atë si trashëgimtare të veprave të tij dhe Dina do ta mbante gjallë kujtimin e tij përmes shumë ekspozitave, botimeve, retrospektivave. Duke folur për veprat e mjeshtrit të madh, ajo u tregonte shpesh miqve artistë, gazetarëve e kritikëve të artit një thënie të Majol mbi skulpturat e tij të cilat i konsideronte si «poezitë e jetës time… në vend që të shkruaj apo flas me vargje unë shprehem përmes pikturës». Dhe padyshim, skulpturat e tij janë dëshmi të një force, dashurie dhe gjenialiteti spikatës. Ai padyshim nuk e kishte imagjinuar se muza e tij do të ishte e pranishme kaq bukur mes këtij lumi njerëzor në mes të Parisit, në këtë fillim mijëvjeçari…

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë