Anëtari i Partisë Demokratike, Oresti Berberi, ka hedhur akuza të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha, të cilin e krahasoi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Berberi tha se Berisha i trembej garës me Ervin Salianjin, jo për shkak të frikës se do të humbte postin e kryetarit, por për shkak sepse sipas tij, ai ka frikë nga lindja e një lideri të ri.

“Frika e Sali Berishës nuk është se do ta mundi dikush. Frika e tij nuk është se dikush do ta mundë, sepse mjafton neni Paloka-Basha, që Berisha prap të bëhet kryetar me këdo që të ketë përballë. Ajo që është frika e Berishës është lindja e një lideri të ri. Ai kërkon të jetë lider suprem, si Kim Jong Un, Kim Berisha”, tha mes të tjerash Berberi.

Më tej Berberi tha se anëtarësia e PD-së ka ardhur në rënie në mënyrë drastijke. Sipas Berberit, në grupseksionet e lagjeve është shumë e vështirë mbledhja e anëtarësisë së PD-së.

“Në zgjedhjet e fundit dhe më pas anëtarësia ka rënë në mënyrë drastike. Sepse edhe në grupseksionet e lagjeve dhe në mbledhjet e selisë, me zor mblidhen anëtarësia dhe pjesët kryesore të saj”, vijoi më tej Berberi.

Më tej Berberi ka treguar edhe një episod në selinë e PD-së, kur dorëzoi dokumentat për kandidimin e Ervin Salianjit për kryetar të PD-së (por dokumentat nuk iu pranuan dhe u refuzua pjesëmarrja e tij në garë). Berberi tha se recepsionisti i partisë të cilin kishte takuar, i kishte thënë ‘e para nuk ka njeri nëpër zyra dhe e dyta Salianji është i përjashtuar. As nuk lejohet Salianji këtu dhe as dokumentat e tij’.

“Kur çova zarfin, i vetmi njeri që takova aty ishte recepsionisti i partisë. Recepsionisti i partisë në kompetencë të plotë të tij më tha ‘e para nuk ka njeri nëpër zyra dhe e dyta Salianji është i përjashtuar. As nuk lejohet Salianji këtu dhe as dokumentat e tij’. Në atë parti gjithsecili mund të thotë çfarë i del nga truri. S’kanë koherencë me njëri-tjetrin”, përfundoi Berberi.

Ish-deputeti Ervin Salianji i dërgoi një letër PPE-së, ku denoncon bllokimin e garës për kreun e PD-së dhe përjashtimin e tij nga kandidimi. Ai akuzon kupolën drejtuese të partisë për shkelje të statutit.

Nga ana tjetër Sali Berisha e cilësoi letrën e Salianjit për PPE-në “të shkruar nga zyra e Edi Ramës” dhe mbrojti procesin zgjedhor në PD.