Arjan Shehaj: “Gjeometri
Poetike" të artit shqipta

Arjan Shehaj: “Gjeometri<br />Poetike" të artit shqipta
Artisti i ri që sapo është specializuar në Akademinë e Artit të Brerës në Milano përfaqëson gjendjen e begatë që po përjeton arti shqiptar. Këtë mendova ndërsa po lexoja kritikën (Gaetano Centrone, Antonio d’Avossa, Daniele Capra, Alberto Mattia Martini) dhe ndërsa shihja veprat e tij.
Në veprat e tij më pasqyrohej arti shqiptar i viteve të fundit, si përfaqësim i lirisë së shprehjes artistike, kurajos si udhëtim brenda dhe drejt artit dhe mesazhin universal. Rrezatimi i artit shqiptar preku këtë vit Bienalen Stemperando me ndalesë në Shqipëri dhe pjesëmarrjen e 18 artistave shqiptar (isha përkthyesja e katalogut), ndërsa vlerësimet dhe ekspozitat e artistëve tanë vështirë t’i numërosh.  

Në veprat e tij shikoja një tkurrje që shpërthen -Big Bang- duke krijuar galaksi, një tunel të cilit i shihet gjithnjë e më shumë drita, një çlirim nga zgjedha ndaj një “kanuni” të ngushtë që pak i përshtatet shpirtit “ilir” shqiptar. Ashtu si në testet pamore psikologjike Rorschach, sytë e mi pane këto mesazhe në veprat e Arjanit, dikush mund të shohë gjeometri poetike, “përkëdhelje universi, të dritës dhe të jetës” (D’Avossa), një “tregim metapikturik” (Daniele Capra), apo “absoluten përtej kohës dhe hapësirës shqisore” (Alberto Mattia Martini).
 
Ndjenja varet nga sytë e atij që sheh, dhe sytë janë pasqyrë e shpirtit, ose të paktën e mendjes, sepse, siç shprehet vetë artisti, ‘kërkimi i tij artistik shkon nga klasiciteti në drejtim abstrakt, me qëllim universalizimin e veprës, që shndërrohet jo në një pamje apo në send, por në liri dhe nxitje për të përdorur fantazinë’. Studimet e Psikologjisë më thonë që çdo veprim e çdo krijim historik, letrar, artistik lidhet me psiche-n , shpirtin. Dhe libri që kam në duar, për një provim, “Hapa drejt një Ekologjie të Mendjes”, në lidhje me artin thotë që problemi më i madh njerëzor është kërkimi i hijeshisë, i puqjes së pjesëve të ndryshme, kundërshtuese: mendjes dhe zemrës, ndërgjegjes dhe nënndërgjegjies. Nëse e arrin këtë, atëherë është art, dhe arti është ndërkulturor, thotë Bateson.
 
Këtij procesi, individual dhe kolektiv njëherësh (nuk jemi ishuj, por pjellë dhe ndërveprues me kohën dhe vendin), i shkon merita e gjendjes së artit shqiptar, përfaqësuesit e së cilës, kanë bërë
të mundur që vepra, me mjete dhe mënyra të ndryshme, të kalojë përtej të brendshmes personale a kombëtare, për t’i folur gjithë njërëzimit. Mënyrë e të bërit art që i jep shikuesit rolin e ndërtuesit të domethënies së veprës. Ky është çelësi i veprës dhe i suksesit të këtyre artistave: thjeshtësim simbolik deri gati në abstraksion me qëllim përftueshmërinë nga të gjithë. Vepra e Arjanit ka bërë pikërisht këtë, dhe jo pa qëllim.
 
I lindur në Patos të Fierit, filloi të vizatonte në vitet 1997, kur gjendej me familjen në Stuttgart, në Gjermani. Pasi u kthyen në Shqipëri, në vitin 2000, talenti i tij u zbulua nga mësuesja Enkelejda Çapuri Selmani, e cila këshilloi familjen ta vazhdonte me mësuesin Dorjan Ikonomi. Liceun Artistik e ndoqi në Lodi, Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës në Milano. Kërkimi i vërtetë në art, dhe në rrënjët e tij, filloi që nga 2011, ku hollësitë ikonike të figurave i lëshuan vendin dora-dorës thjeshtësimit gjithmonë e më shumë në trajtë gjeometrike. Aty filloi edhe rrugëtimi nëpër ekspozitat e shumta, kolektive dhe vetjake, me piktura dhe instalacione ku, për shembull, i ftuar nga kritiku D’Avossa, mori pjesë në një ekspozitë që me rastin e EXPO-së afronte Akademinë e Milanos me atë të Washingtonit, pikërisht në Washington në vitin 2013. Pastaj kur u zgjodh si nga më të mirët në pikturë nga vetë Akademia për “Premio Nazionale delle Arti”, në Akademinë Albertine, ku drejtor ishte Nicola Maria Martino. Gruaja e tij, galeristja Marianne Wild, e mbajti mend veprën e tij dhe prandaj, në vitin 2014, me anë të Shoqatës Kulturore “Marianne Wild Arte Contemporanea UnicA” i propozoi të hapte një ekspozitë në Abruzzo.
 
Ishte një çast plot me projekte dhe një përvojë jete dhe artistike po e priste artistin: udhëtimin dhe qëndrimin prej disa muajsh në Berlin. Kthimi në Gjermani, ku kishte kaluar vitet e fëmijërisë së “pavetëdijshme” ndaj artit, ndarja e studios dhe të punuarit krah më krah me shokun dhe artistin serb Nebojsa Despotovic, pasurimi reciprok nga pikëvështrimet e ndryshme mbi artin, dhe njohja nga afër e jetës artistike berlineze, i dhanë linfë të re, duke treguar akoma më qartë se arti nuk njeh kufij apo paragjykime. Pas specializimit erdhi rradha e ekspozitës, që u çel më 25 Prill në Torre di Porta Gabella, një kullë e vjetër dhe magjepsës, kujdesur nga Marianne Wild dhe Shoqata e saj, përkrahur nga Bashkia e Ripa Teatinës, Provinca e Chietit dhe Rajoni i Abruzzos.
Kjo ekspozitë u bë shkas për të treguar marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore që ekzistojnë mes dy vendeve, dhe kryebashkiaku Ignazio Rucci ishte i ngazëllyer të vepronte në drejtim të një
binjakëzimi kulturor dhe sportiv, në çiklizëm, boks (krenaria e kësaj qyteze: i famshmi Rocky Marciano) dhe në art. Artisti italian Nicola Maria Martino dhe galeristja Marianne Wild flisnin për njohuritë e tyre rreth Shqipërisë, për të cilën kishin lexuar shumë dhe e kishin vizituar disa herë.
 
Ekspozita, bashkë me darkën vijuese tipike, u shndërrua kështu në një njohje të mëtejshmë dhe reciproke. Thjeshtësia e popullit dhe e kuzhinës vendase, pejsazhi sa i vrazhdë aq edhe i ëmbël me kodra, fusha, male me dëborë në largësi dhe lumenj të çonin mallin e Shqipërisë, të paktën ashtu si mund të ishte nëse ... dhe sikur...
Suksesi i tanishëm i Arjanit -dhe ai që i urojmë- po hedh shtat, dhe kjo edhe në sajë të rrënjëve të forta, të bazës së sigurtë siç do thonin psikologët, që e lejojnë të eksplorojë botën e artit bashkëkohor me besim dhe pozitivitet: kureshtja e tij ndërsa po mësonte në Akademi, ishte të njihte artin e vendit të tij, dhe duke mos u mjaftuar me atë që gjeti, iu kushtua kërkimit dhe intervistimit të artistave të shquar si Adrian Paci, Anri Sala, Artan Shabani, Venera Kastrati, kuratori dhe kryeredaktori Giancarlo Politi, i pari që bëri një Bienale në Shqipëri bashkë me kritikun Edi Muka dhe Ministrin e Kulturës të asaj kohe, Edi Ramën. Rezultatet e para kanë qenë pjesë e projekt të diplomës, por kërkimi vazhdon, sepse, përveç dy ekspozitave satelitore të
EXPO-së Universale që u hap më 1 Maj në Milano, Arjan Shehaj ka në plan një libër që flet, me gojën e protagonistëve, mbi Artin Bashkëkohor Shqiptar, emblemë e të cilit është ai vetë.


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

'Të dy kandidatët janë të importuar', Kikia komenton zgjedhjet: Problemi me kartat, përgjegjësi edhe individët! ID nuk shërben vetëm për votime

'Të dy kandidatët janë të importuar', Kikia komenton zgjedhjet: Problemi me kartat, përgjegjësi edhe individët! ID nuk shërben vetëm për votime