Intelektualët dhe specialistët parapëlqejnë të flasin në rrethe të ngushta, ose para filxhanëve të kapuçinove, por hezitonë të hapin bisedën, kur kanë pirë disa dopio raki se tremben mos ju ndizet gjaku dhe dalin e protestojnë para Bashkisë.
Ndonjë portali me qendër në qytet, duket që i është “zënë gryka” me ndonjë kockë të hedhur nga zv.kryeministri.
80 vite më parë, projekti i ndërtesës së Bashkisë, i finanacuar nga Qeveria e Mbretërisë, i ishte besuar arkitektit Italian Florestano Di Fausto, një arkitekt i mirë në vendin e tij dhe me shumë projekte në Tiranë(një pjesë e mire e ministrive kanë autorësinë e tij).
Ishte projektuar me frymën e neo-klasiçizmit, sikundër janë ministritë në Tiranë dhe me një dekoracion arkitekturor më të rënduar, që e bënte të ngjashëm me neoklasiçizmin e mëvonshëm sovjetik, që në Tiranë e ka shembullin në Komitetin Qendror.
Nuk përputhej me frymën lakonike dhe më moderne të ndërtimeve të Korçës.
Në Këshillin Bashkiak, e hodhën poshtë trajtimin e jashtëm dhe kërkuan, që për të njëjtën planimetri, të formuloheshin fasada më të kohës dhe në përputhje me racionalizmin e arkitekturës korçare. Ashtu u bë!
Sot, fryt i asaj rezistence, kemi Pallatin e Kulturës , që shumë shpejt do rikthehet në Bashki.
Pas tetë dhjetvjeçarëve, një volum i panevojshëm, i gabuar, tejet i shëmtuar po ngrihet jashtë çdo logjike urbanistike si Bibliotekë-Galeri, me qëllimin e vetëm, që disa fonde të akorduara nga Qeveria të sjellin një rotacion të çuditshëm të institucioneve.
Po pse është i gabuar vendosja e këtij vëllimi në Qendër?
Ajo pjesë e Qendrës së qytetit është e formuluar dhe qoftë shumë mirë, mirë apo disi jo keq, nuk mund të mbajë më volume të mëdha të përhershme. Ndërhyrjet mund të jenë ose me elementë arkitekturorë të përkohshëm, ose me struktura transparente, që gjithsesi nuk bëhen dominuese.
Vëllimi i ri, bllokon pamjen e Katedrales kur njerëzit shëtisin në bulevard “Republika” drejt jugut, duke pasur një mbivendosje të pakëndshme të dy njësive arkitekturore krejt të ndryshme.
Edhe në drejtimin tjetër, eliminohet pamja e një zgjidhje të logjikshme urbanistike, e arritur me projektin e banesës së shkallëzuar të vitit 1985, që lejonte nj[ shkrirje graduale me ndërtimet e ulta të qytetit dhe një kohesisht lejonte të soditej lindja e diellit mbi Moravë.
Ka edhe të tjera faktorë arkitekturorë dhe urbanistikë, që e bëjnë të gabuar këtë ndërhyrje.
Edhe në vetë projektin fitues të Qendrës së firmës gjermane në vitin 2009, nuk kishte një vëllim të kësaj madhësie në atë vend.
Mbi gjithë këto, trajtimi arkitekturor është jashtë çdo standarti bashkëkohor. Të kujton projektet e zyrave nëpër kooperativat e mëdha dhe Ndërmarjet Bujqësore të periudhës së Diktaturës.
I gabuar, i varfër, shterp!
Ka ende kohë kohë për ta ndaluar!
Mos lejoni Pit Uillësn (prë kompetencën profesionale të të cilit kam shumë rezerva)të lerë një vëllim tjetër betoni në qendër Korçës!
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com