Arkivat e Vatikanit e Kroacisë, zbulime për gramatikat e para të shqipes që më 1700-n

Arkivat e Vatikanit e Kroacisë, zbulime për gramatikat e para të shqipes që më 1700-n

Studiuesi Mark Palnikaj

Në shumë shkrime të studiuesve tanë është folur për shkrimin e pare shqip dhe për gramatikat e para të sajë. Kur është fjala për shkrimet e para në këtë gjuhë përmendet formula e pagëzimit e Pal Ëngjëllit e vitit 1463, Meshari i Gjon Buzukut, shkrimet e Bardhit dhe të Bogdanit, Nilo Katalano dhe në shekullin XVIII përmendet Maria Da Leçe si hartues i fjalorit dhe i një gramatike të gjuhës shqipe.

Në asnjë rresht të punimeve të realizuara mbi këtë temë nga studiuesit e fushës si Nilo Borxhia, Mario Roku, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Rexhep Ismajli dhe disa studiues të tjerë nuk përmendet emri i Don Pal Zogajt, i cili ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe për nevojat e shkollës ku jepte mësim në Osijek për fëmijët shqiptar nga Kelmendi që shkolloheshin në këtë qytet. Në disa punime të publikuara më parë nga ana jonë kemi publikuar se Nilo Katalano, prift i ritit greko latin në Himarë ka kontribute me rëndësi për gjuhën shqipe. Sipas burimeve të dokumentuara që ruhen në Manastirin e San Nilos në Grotaferrata, ky prift ka krijuar vetë një alfabet të shqipes me 54 karaktere, ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe dhe ka hapur një shkollë me 100 nxënës shqiptarë. 

I panjohur nga gjuhëtarët, zbulimi i një gramatike në Kroaci

Më vonë, Marija da Leçe, hartoi një gramatikë të gjuhës shqipe me titull “Osservazioni grammaticali della lingua Albanese”, Romë 1716.  Mbas kësaj date nuk flitet për ndonjë gramatikë të shqipes të hartuar nga ndonjë gjuhëtar shqiptar ose i huaj. Por studjuesi Don Frrok Zefi me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci, në studimet për shqiptarët dhe për traditat e tyre, ka zbuluar kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për shkrimin e gjuhës shqipe. Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç merret vesh nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij ishte Pal Brija, por mbasi ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe, sidomos të atyre me kombësi italiane që në 99 për qind të rasteve, në praktikën kishtare, përdornin si mbiemër të tyre fshatin e origjinës.

Për aktivitetin e Pal Zogajt do të botojmë një punim të veçantë por në këtë punim do të prezantojmë punimin e tij për gramatikën e gjuhës shqipe në Kroaci në vitin 1776. Pal Zogaj më datë 20 shtator 1752, mbas përfundimit të studimeve në Universitetin Urbaniana të Vatikanit në degët e gramatikës, filozofisë dhe teologjisë, bëri betimin në gjuhën latine dhe shkroi “… Dëshmoj se jam Pal Bria nga Zogaj”. Në përmbyllje të studimeve vlerësimi i tij nga eprorët ishte “Djalosh shumë i talentuar dhe me sjellje të mirë, dhe ka qenë gjithnjë shembullor”. Mbasi bëri mëtimin u caktua të punojë në Ipeshkvinë e Shkupit si klerik dhe mbas pak kohe caktohet në Janjevë ku shumë vite më parë ishte hapur shkolla shqipe për përgatitjen e studentëve për të vazhduar studimet në kolegjet e Vatikanit në Itali.

Dokumentet që datojnë shtypjen e gramatikës së Zogajt në Kroaci

Me vendim të Komandës kryesore të Sllavonisë në Osijek u vendos që të merren shtatë të rinj shqiptarë për t’u shkolluar në këtë qytet. Urdhri për hapjen e shkollës u formulua në Mitrovicën e Sremit me 18 gusht të vitit 1769 dhe u firmos nga fon Lojtner. Listën me 7 kandidatë Komanda kryesore e Oborrit e nisi për në Vjenë me 26 gusht, kurse Këshillit luftarak të Oborrit iu paraqit më 4 shtator 1769.

Në shkollën e re u konsiderua e domosdoshme të kishte një mësues që të njohë gjuhën shqipe dhe mbas ndërhyrjes së Oborrit perandorak pranë Kongregatës së Shenjtë për përhapjen e fesë në Vatikan, u përzgjodh Don Pal Zogaj si personi më i përshtatshëm për këtë detyrë. Ky person kishte nivelin e nevojshëm të arsimimit, kishte punuar në zonën e Kelmendit dhe të Rugovës prej nga ishin të gjithë nxënësit e tij dhe e njihte mire gjuhën dhe përveç kësaj, kishte punuar edhe në Janjevë. Me të filluar punë në këtë institucion, Don Pali kërkoi nga Kongregata e Shenjtë në Vatikan një pako me libra për nevojat e shkollës dhe kërkesa iu plotësua menjëherë.

Ai filloi hartimin e një gramatike të gjuhës shqipe për nevojat e shkollës dhe mbas një procedure burokratike shumë të gjatë dhe një kontrolli të imtësishëm nga organet perandorake austro-hungareze, ajo u miratua për botim. Më datën 13 maj 1776, në adresë të Këshillit Mbretëror Kroat, arriti vendimi me shkrim i Mbretëreshës në të cilin bëhej me dije se botuesi i Oborrit Mbretërorë Trattner është i detyruar që në shtypshkronjën e tij në Varazhdin të bëjë shtypjen e Gramatikës Shqipe të Zogajt.

Ne nuk kemi arritur të kemi një kopje të kësaj gramatike, as dorëshkrim, as të shtypur, por me kërkimet e mëtejshme mund të sigurohet kopja dhe të publikohet ky dokument me rëndësi kombëtare dhe gjuhësore për evolucionin e gjuhës shqipe ndër shekuj. Pal Zogaj, sipas dokumenteve që disponojmë deri më sot, është shqiptari i parë që ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe. Së shpejti do të publikojmë të dhëna më të hollësishme për jetën dhe veprimtarinë e Don Pal Zogajt.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë