Ndërveprimi i institucioneve të Drejtësisë me median, është një temë që vijon të jetë shpesh pjesë e diskutimeve, qoftë edhe debatesh, ngado. Në rastin tonë, këtu në Shqipëri, ky argument i zgjedhur nga Shkolla e Magjistraturës, ka ardhur në çastin e duhur, sepse ka një debat të hapur, pikërisht mbi qasjen e mediave, specifikisht në seancat gjyqësore.
Si gazetar, do të flas nga këndvështrimi i medias dhe ndoshta do të jem edhe kritik për disa nga vështirësitë që kolegët e mi, hasin në raportimin e proceseve gjyqësore. Megjithatë dua ta them që në fillim, se kritika ndaj gjyqësorit nuk duhet kuptuar si qëndrim kundër gjyqësorit. Ne nuk jemi në luftë me gjyqësorin.
Përkundrazi, media serioze ka interes që gjykatat të jenë të forta, të pavarura, profesionale dhe të besueshme, sepse pa një gjyqësor të tillë nuk mund të ketë as shtet të së drejtës, as liri reale të medias.
Nga ana tjetër, mendoj se të gjithë ne që përfaqësojmë median, e kemi dhe përulësinë profesionale të pranojmë se në raportimin mbi drejtësinë mund të mos kemi qenë gjithmonë të pagabueshëm. Ndonjëherë kemi nxituar. Ndonjëherë kemi thjeshtuar çështje juridikisht komplekse. Ndonjëherë kemi përdorur gjuhë, që mund të krijojë perceptim fajësie, përpara se gjykata të ketë dhënë vendimin e saj. Ndonjëherë kemi ngatërruar interesin publik me kureshtjen publike, apo shpejtësinë e lajmit me saktësinë e informacionit.
Por kjo nuk e zbeh rolin e medias. Përkundrazi, e bën atë më të përgjegjshme, sepse raportimi mbi drejtësinë nuk është si çdo raportim tjetër. Në një proces gjyqësor, fjala publike mund të ndikojë mbi reputacionin, dinjitetin, të drejtat dhe jetën e njerëzve. Prandaj, kur media kërkon transparencë nga gjykatat, duhet të jetë po aq e gatshme të kërkojë standard edhe nga vetja.
E përmenda dhe pak më lart, marrëdhënia ndërmjet medias dhe gjyqësorit nuk duhet parë si marrëdhënie përplasjeje, por si marrëdhënie “tensioni” të shëndetshëm demokratik. Në një farë mënyre, marrëdhënia mes nesh është gati gati si ajo e enëve komunikuese. Gjykatat kanë nevojë për kontroll publik dhe media është një nga instrumentet kryesore të këtij kontrolli. Ndërkohë media ka nevojë për informacion të saktë, të aksesueshëm dhe të përgjegjshëm nga gjykatat, në mënyrë që të mos mbetet peng i interpretimeve të pjesshme, burimeve informale apo perceptimeve të momentit.
Prandaj, ndërsa në vijim do të flas për vështirësitë që has media, për aksesin në informacion, për praninë e kamerave në seanca apo për nevojën që publiku të shohë më shumë nga ajo, që ndodh në gjykatë, dua të jem i qartë se qëllimi nuk është të dobësohet autoriteti i gjykatës, por të forcohet besimi i publikut te drejtësia. Thënë kjo, besimi nuk ndërtohet as me gjykata të mbyllura, as me media të pakujdesshme. Ai ndërtohet me gjykata që komunikojnë më mirë dhe me media që raportojnë më me përgjegjësi.
Të nderuar pjesmarrës,
Për të shmangur “paragjykimin”, se ato që do të them, janë thjesht mendimet e mia personale, kam zgjedhur të risjell një qëndrim të përbashkët të disa prej televizioneve dhe mediave kryesore të vendit, paraqitur pak javë më parë përmes një letre edhe KLGJ-së, e për dijeni dhe gjykatave të vendit, të të gjitha shkallëve.
Fatkeqësisht, në ndërkohë, kemi vënë re, një situatë të përkeqësuar.
Që prej vitit 2023, KLGJ, ka miratuar “Udhëzuesin standard të marrëdhënieve të gjykatave me publikun dhe median”. Thelbi i këtij udhëzuesi, për pjesën që i takon medias, është neni 14.
Po ndalem specifikisht në aspektet e këtij neni, dhe si konkretisht po gjen ose jo zbatim.
Në pikën 7, parashikohet se pjesa hyrëse e seancës “është e rregjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”. Kështu është e shkruar në udhëzim, dhe në këndvështrimin tim modest, kemi një përcaktim taksativ. Ku nuk ka vend apo hapësira për interpretime. Fakt është se ky përcaktim është injoruar haptazi deri vonë. Kohët e fundit, ndërsa në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, disa të pandehur, figura të rëndësishme publike, kërkuan praninë e kamerave, në disa prej këtyre seancave gjyqësore, kamerat u lejuan. Por dhe kjo zgjati vetëm për pak. Pse? Sepse kërkesat e mediave për të ndjekur me kamera seancat, një nga një u refuzuan, dhe disa gjyqtarë, kanë marrë vendimin se përgjatë gjithë procesit nuk do të ketë kamera, me përjashtim të dhënies së vendimit përfundimtar.
Dhe këtu, mesa duket kemi një interpretim të pikës 7 të nenit 14.
“Kërkesa (e medias) pranohet ose refuzohet plotësisht ose pjesërisht, vetëm në çelje të seancës gjyqësore, kur të pranishëm në sallë janë edhe përfaqësuesit e medias që bën kërkesën. Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”.
Qartazi përcaktimi që çelja e seancës është e rregjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim, po interpretohet e lidhur me faktin se në këtë pjesë të seancës përcaktohet pranimi ose jo i kërkesës se medias. Duke e refuzuar kërkesën për të gjithë kohëzgjatjen e procesit, po shmanget prania e kamerave dhe në hyrje të seancës.
Vijojmë më tej. Sipas udhëzimit, media është e detyruar të paraqesë 24 orë përpara çdo seance, kërkesën për praninë e saj me kamera. Kjo nënkupton automatikisht se gjyqtari duhet të jetë po ashtu i detyruar, ta vlerësojë atë çdo herë që ajo paraqitet, e të shprehet me vendim të arsyetuar për rrëzimin e saj (deri më tani çdo kërkesë është rrëzuar).
Cfarë po ndodh? Po sjell shembullin e disa kolegëve, që çdo ditë janë pranë dyerve të GJKKO-së. Ka patur raste kur kërkesa, mund të jetë bërë jo 24 orë përpara, por 23 orë e 40 minuta përpara. Dhe kërkesa është rrëzuar automatikisht. Sinqerisht nuk më duket aspak normale. Mendoj se afati 24 orë është parashikuar, për t’i lënë kohë gjyqtarit që të vlerësojë përgatitjet dhe kushtet për seancën. Se si 20 minuta më pak nga ky 24 orësh, apo qoftë dhe një orë po të doni, e bëjnë të pamundur këtë vlerësim, e kam të vështirë ta kuptoj. Për fat të keq, shija që një qasje e tillë lë, nuk është ajo e bashkëpunimit, por e gjetjes së cdo preteksti të mundshëm për të shmangur median nga proceset gjyqësore.
Kemi po ashtu raste, kur përgjigjet janë dhënë nga koordinatori i medias, e jo gjyqtari në sallë, e kur kërkesa për ta patur të arsyetuar vendimin, është trajtuar thjesht si kërkesë për informacion.
Po në nenin 14, pika 8/b, parashikimi për refuzimin e kërkesës “kur një nga subjektet në gjykim nuk dëshiron të regjistrohet seanca”, po përdoret gjerësisht si shkas për moslejimin e pranisë së kamerave, ndonëse i njejti nen, në pikën 6/b, i njeh të drejtën gjyqtarit “të lejojë ose ndalojë regjistrimin e pjesshëm të seancës”, pra ta zbatojë këtë të drejtë, kur të jetë rradha e dëshmisë së të pandehurit që nuk dëshiron të rregjistrohet, dhe jo ndalimin e rregjistrimit të të gjithë seancës. A nuk përbën ky rast, një cënim të të drejtave të palëve të tjera në gjykim që e kërkojnë rregjistrimin? E për më tepër të të drejtës së mediave për informim?
Publiciteti i seancës, është i sanksionuar në ligj, ndërkohë që i lihet palëve që ta pranojnë ose refuzojnë. Natyrisht që gjithkush ka të drejtë të kërkojë privatësinë, mbrojtjen e të dhënave personale, por a mundet që të jetë praktisht ai që të përcaktojë nëse duhet që publiku të informohet ose jo? Madje nuk kërkohet as që të shpjegojë se për cilin arsye nuk dëshiron praninë e kamerave, apo nëse kjo arsye hyn në ato kritere kufizuese, si rastet kur preket siguria kombëtare, apo cënohet ajo e një dëshmitari të drejtësisë e kur ka të mitur. Por e gjitha mbetet thjesht në dëshirën e tij të lirë. Një dëshirë që në këtë rast kapërcen dhe vetë ligjin.
Dhe pastaj arrijmë në pikën kur edhe përfaqësues të institucioneve të Drejtësisë, palë në një proces, nuk kanë dëshirë për praninë e medias.
Pra, publiciteti, nga një normë të cilin ligji e njeh si pjesë e garancive të një procesi, ngelet në dorë të pëlqimit të palëve. Por edhe kur palët, siç kemi patur rastin të verifikojmë, kanë kërkuar seancë publike, prapë dhe kjo është refuzuar.
Gjyqtarët, përveçse Udhëzimit të KLGJ-së, i referohen dhe neneve të Konventës Europiane për të drejtat e Njeriut, por pa specifikuar se cilit aspekt të këtyre neneve. Se për shembull, neni 6 të cilit i referohen, në pikën 1, vë në dukje ndër të tjera se “…prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë".
Tani, kur kërkesat e kolegëve të mi refuzohen, nuk dimë se cili nga këto interesa që u cënuakan, përbëjnë bazën e refuzimit.
Neni 2, pika 1, i Udhëzimit, parashikon se “Marrëdhënia e gjykatës me publikun dhe median bazohet në parimet e aksesit të barabartë në gjykata, karakterit publik të procesit gjyqësor, hapjes maksimale të veprimtarisë gjyqësore ndaj shoqërisë përmes komunikimit me publikun, së drejtës së informimit, mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, privatësisë dhe të dhënave personale, reputacionit, si dhe prezumimit të pafajësisë”.
Në balancën e këtyre parimeve, qartazi, ai i të drejtës së informimit, i sanksionuar në Kushtetutë, duket se renditet i fundit, nga trupat gjyqësore, pa asnjë përpjekje për të gjetur një ekuilibër të duhur me parimet e tjera. Në praktikë po ndeshemi, me referimin e cenimit të parimeve të tjera, për të penguar atë të së drejtës së informimit.
Të nderuar pjesmarrës, dhe magjistratë të ardhshëm,
Neni 13, pika 1, i Udhëzimit të KLGJ-së, referuar ligjit, përcakton se “seancat gjyqësore janë të hapura për publikun dhe median”. Megjithatë ky parashikim, mbetet i kufizuar në praktikë.
Seancat gjyqësore publike, nuk mund të nënkuptojnë vetëm publikun në sallë. Përndryshe, ky nocion do të ishte automatikisht i kufizuar, qoftë dhe vetëm për shkak të kushteve fizike të mjedisit ku zhvillohet procesi. Mediat, janë ato që shërbejnë në këtë rast, që ky nocion të përfshijë publikun e gjerë të interesuar.
Aq më i rëndësishëm bëhet ky rol i mediave, kur asnjë prej gjykatave shqiptare, me përjashtim të Gjykatës Kushtetuese, nuk ofron një sistem qendror transmetimi audioviziv. Pikërisht kjo pamundësi faktike e gjykatave, duhet të kompensohej, duke i dhënë medias hapësirat që i takojnë, asgjë më tepër, dhe jo duke ia kufizuar edhe ato.
Madje edhe rregjistrimi audio, i ofrohet, çuditërisht, vetëm palëve të interesuara në proces, ndërsa gazetarët nuk lejohen as ta bëjnë atë vetë në sallë. Një kerkesë minimale e cila vetëm sa do të përforconte garancitë për një pasqyrim besnik të deklarimeve të palëve në një proces gjyqësor. Regjistrimi audio i seancave gjyqësore përmes magnetofonit, të cilin çdo gazetar e ka mbajtur gjithmonë me vete, ka qenë një praktikë e zbatuar për vite me radhë nga të gjithë gazetarët shqiptarë, por që çuditërisht tani është ndaluar, bashkë me regjistrimet video.
E drejta e informimit dhe seancat publike, siç parashikohen parimisht si në ligj dhe në Udhëzimin e KLGJ-së, përfaqësojnë një rregull. Për fat të keq eksperienca e deritanishme, tregon se po trajtohen në një raport të përmbysur, si “përjashtim nga rregulli”.
Unë do të falenderoja kryetarin Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, apo dhe Drejtorin e Magjistraturës Arben Rakipi, të cilët sidoqoftë e cekën këtë temë duke theksuar se “marrëdhënia midis drejtësisë dhe medias nuk duhet ndërtuar mbi logjikën e kundërvënies, por mbi përgjegjësinë e ndërsjellë ndaj publikut” apo se nevojitet një “ekuiliber i qëndrueshëm, ku drejtësia nuk kerkon të kufizojë në mënyrë të panevojshme informimin publik ose të trajtojë median si kundërshtare”.
E po gjej rastin të citoj, dhe një përcaktim të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në një përgjigje dhënë kërkesës së një kolegeje, ku nënvizon “rëndësinë që ka transparenca me median, pasi nëpërmjet garancive dhe mundesive që u japim dhe krijojme gazetarëve për të kryer detyrën e tyre, ne garantojme jo thjesht gazetarët, por misionin e tyre, të drejtën e shoqërisë për të patur mundësinë për të gjykuar qeverisjen në cdo dimension të saj, perfshire dhe pushtetin gjyqesor. Shoqëria është dhe duhet të jetë ajo që vlerëson, nëse puna e sistemit te drejtesise apo një raportim mediatik i caktuar është korrekt dhe jo institucionet, duke kufizuar informacionin”.
Brenda listës së pengesave që rëndojnë çdo ditë punën e gazetarëve në pasqyrimin e seancave gjyqësore, duhet të rendisim edhe ndalimin e të drejtës për të studiuar dosjet gjyqësore, tashmë të disponueshme edhe në formë dixhitale. Ndryshe nga çfarë ndodh në vendet europiane, gazetarët nuk kanë të drejtë as t’i lexojnë dosjet e gjyqeve që trajtohen publikisht gjatë seancave. Të vetmet “letra” që kanë sot në dispozicion gazetarët janë ato që vihen në dispozicion në mënyrë tepër selektive nga njëra prej palëve në gjyq. Pork y eshte nje argument qe kerkon nje tjeter shtjellim.
Të nderuar pjesmarres,
Përveç proceseve të zakonshme, duhet ta pranojmë, se sot, nën akuzë janë vënë emra dhe figura të politikës aktive që kanë mbuluar deri dhe pozicionet më të larta shtetërore. Këto nuk janë procese si gjithë të tjerat. Ato mbartin një interes të lartë publik, ndërsa nesër do të duhet të jenë pjesë e arkivit historik të vendit, cilido qoftë verdikti. Prandaj dhe në këtë aspekt, kufizimi i pranisë së kamerave, po kufizon dhe dokumentimin e tyre.
Po e mbyll me fjalët e kryetarit të Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe Lord Reed, i cili përshendetjen e tij, një vit më parë në një përvjetor të Gjykatës së Lartë të Malit të zi e nisi duke shtruar dy pyetje:
“Së pari, çfarë nënkuptojmë kur flasim për transparencë në lidhje me gjykatat? Do të sugjeroja që kjo do të thotë që gjykata dhe puna e saj janë të hapura dhe të dukshme për publikun. Në shoqërinë e sotme, kjo kërkon më shumë sesa thjesht lejimin e aksesit të publikut në ndërtesat e gjykatave, megjithëse kjo është pjesë e saj. Do të thotë gjithashtu që puna e gjykatës të jetë e arritshme për publikun dhe të ketë mjete efektive komunikimi midis gjykatës dhe publikut.
Pyetja e dytë është edhe më themelore: pse ka rëndësi transparenca? Ka një numër arsyesh, por do të theksoja një në veçanti. Nëse pyetni pse publiku pranon vendimet e marra nga gjyqësori, përgjigjja, do të sugjeroja, varet nga besimi. Dhe besimi varet nga hapja dhe komunikimi efektiv me të gjitha pjesët e komunitetit të cilit i shërbejmë”.
*Fjala në Konferencën Kombëtare "Ndërveprimi i Drejtësisë me median, sfidat bashkëkohore"
Komente










