Janë diplomuar sot në një ceremoni të posaçme 38 gjyqtarë dhe 25 prokurorë të rinj të cilët do t’i bashkohen së shpejti sistemit të drejtësisë. Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silivio Gonzato apeloi magjistratët e rinj se në çdo vendim duhet të kenë ndershmëri por edhe guxim, ndërsa ligji është udhërrëfyesi i vetëm.
Teksa thekson mbështetjen e Bashkimit Evropian për shkollën e Magjistraturës, Gonzato thotë se ushtrimi i profesionit të prokurorit e gjyqtarit, kërkon integritet, ndershmëri ndërsa shton se çdo vendim i marrë prej tyre, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Prania ime këtu tregon mbështetjen tonë për Shkollën e Magjistraturës dhe rëndësinë që ajo ka. Festime dhe ceremoni të tilla janë momente lumturie. Është fantastike që gjithçka përfundoi, por është edhe një moment që shënon një tranzicion në jetën tuaj.
Ju do të keni pozicione të nivelit të lartë, por mbi të gjitha do të ofroni një shërbim publik. Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale.
Kjo kërkon integritet, ndershmëri dhe guxim, por edhe përulësi. Duhet të pranoni se ndonjëherë ideja juaj e parë mund të mos jetë e duhura. Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet.
Të arrish standardet europiane nuk bëhet vetëm me ligje por duhet jeni ju ata që do të jeni garantorët e zbatimit të ligjit me sjelljen dhe vendimet që do të merrni. Mendoj që është e rëndësishme të qëndroni mendje hapur dhe kureshtarë, që të mësoni, të ndani eksperienca jo vetëm me shqiptarë por edhe evropian. Shtëpia juaj do jetë pika e referencës nga ku do mësoni por duhet të jeni të hapur ndaj informacioneve nga kolegët europian.
Institucionet, në vetvete, nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj. Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi. Ne, në Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë të mbështesim Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, tha ndër të tjera Gonzato.
Lajmi në përditësim...
Drejtori i shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi në fjalën hapëse të mbajtur në konferencë, foli për marrëdhënien e institucioneve të drejtësisë me mediat.
Rakipi shprehu nevojën për disa kufij në raportimin e ngjarjeve, konkludimet apo publikimin e pamjeve e dokumenteve në media. Ai shtoi se informimi mbetet një nevojë e domosdoshme që i shërben transparencës dhe besimit publik.
“Ne, sistemi i drejtësisë, duhet të kuptojmë nevojën legjitime të publikut për informacion, thjesht për faktin se nuk mund të jemi të izoluar nga qytetarët, sepse paguhemi nga publiku taksapagues për t’i shërbyer pikërisht atij. Përbëjmë shërbimin publik gjyqësor dhe duhet, të paktën, të jemi të përgjegjshëm përkundrejt tij.
Një sistem drejtësie që komunikon pak, që shpjegon pak dhe që mbetet i mbyllur për publikun, krijon hapësirë për spekulime, thashetheme, interpretime dashakeqëse, dezinformim dhe/ose mosbesim. Besimi ndërtohet edhe përmes transparencës, komunikimit institucional dhe aftësisë për të shpjeguar proceset.
Megjithatë, në praktikë, shpesh përballemi me atë që ka filluar të quhet “gjykim paralel” ose “gjykatë publike”. Në momentin kur publikohet emri i një personi të dyshuar, kur transmetohen pamje nga arrestimi, kur komentues, analistë apo përdorues të rrjeteve sociale nxitojnë të japin verdikte, krijohet një realitet paralel me procesin gjyqësor. Dhe, në këtë realitet, perceptimi shpesh zë vendin e provës.
Marrëdhënia mes medias dhe drejtësisë është bërë edhe më komplekse për shkak të revolucionit teknologjik. Shumë më i thjeshtë është bërë përhapja e lajmit apo komenteve nëpërmjet teknologjisë së sotme, e cila përfshin miliona njerëz në fare pak sekonda, që ushqehen dhe, jo pak herë, i besojnë lajmit të parë të dhënë, edhe kur ai është pa cilësi apo në kufijtë e lajmit të rremë. Jo rrallë publikohen pamjet nga vendi i ngjarjes përpara se të arrijë policia atje, shpërndahen akte gjyqësore apo hetimore përpara se të paraqiten në sallën e gjyqit. Ndaj, nevoja për vetëpërmbajtje, për respektimin e standardeve etike dhe të kulturës apo përgjegjësisë profesionale, është e lartë, në proporcion të drejtë me mundësinë e ndikimit të lajmit te publiku.
Media inkurajohet të mos heshtë për çështjet, veçanërisht ato penale me interes publik. Është e shëndetshme për të gjithë që ajo të raportojë, sepse i shërben transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Por raportimi duhet të jetë i kujdesshëm, i balancuar dhe i mbështetur në fakte të verifikuara, me qëllim që informimi publik të mos rrezikojë dënimin publik”, tha Arben Rakipi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i paralajmëroi magjistratët e rinj për sfidat që i presin në rrugëtimin e tyre në një kohë kur teknologjia transformohet çdo ditë. Ai u tha se pavarësisht ndryshimeve të kohës, detyra mbetet e njëjtë: shërbimi ndaj ligjit.
“Media, rrjetet sociale dhe teknologjia do të vijojnë të ndryshojë. Detyra e magjistratit, megjithatë, mbetet e njëjtë. Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit”, tha Sadushi.
Më tej, kreu i KLGJ shtoi se autoriteti buron nga besimi që më pas forcon institucionin e me kohë drejtësinë.
“Besimi ndërtohet gradualisht, me mënyrën si i dëgjoni njerëzit, me sjelljen në sallën e gjyqit, me cilësinë e arsyetimit, me dinjitetin e qëndrimit dhe me aftësinë për të qenë të drejtë edhe kur kjo është e vështirë. Kur një magjistrat fiton këtë besim, ai nuk forcon vetëm autoritetin e tij. Ai forcon edhe institucionin që përfaqëson. Kështu ndërtohet, brez pas brezi, besimi tek drejtësia”, tha Sadushi duke përmbyllur se sistemi jep kompetencën, por besimin duhet ta fitojnë vetë.
Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela solli në vëmendje transformimin teknologjik dhe ndryshimet që ka sjellë ai në komunikimin publik të organeve të drejtësisë.
Çela tha se “dixhitalizimi shkundi drejtësinë e vjetër”, ndërsa shtoi se sistemi është ende në transformim dhe duhet përmirësuar i besimit të publikut.
“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Perceptimi publik arriti nivele rekord në 10-15 vitet e fundit dhe rikuperimi i besimit kërkon kohë të konsiderueshme. Modernizimi i formave të strategjisë së komunikimit është kthyer në domosdoshmëri. Është krijuar një mekanizëm koordinimi vertikal për të rritur cilësinë e njoftimeve”, u shpreh Çela.
Komente











Koha matet duke futur ne drejtesi persona me integritet dhe jo persona qe kane qene qe ne kohen e saliut si dado , dumani etj si dhe gjyqtare qe jane te pa afte te japin vendime te drejta .
PërgjigjuPopulli me teper ka besim tek gjenerata e re e prokuroreve dhe gjygjtareve se sa tek ato qe kane vite ne sistemin e drejtesise pasi kane me teper energji pozitive
Përgjigju