Armë dhe drogë në Durrës/ Drejtori i shkollës artistike u arratis nga avllia kur pikasi policinë! Zbardhen detaje nga dosja

Durres-  Drejtori i Shkollës së Muzikës “Jan Kukuzeli” në Durrës, Dashamir Mehmeti, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Summer” nga Antidroga e Durrësit, i iku policisë nga sytë këmbët në momentin që do të arrestohej.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv dhe shqiptarja.com thuhet se në momentin që policia hyri brenda pronës së tij për ta arrestuar, ai ndodhej në oborr, por sapo ka parë blutë është larguar me vrap duke kaluar avllinë e shtëpisë në drejtim të banesave të tjera në lagje dhe duke u humbur nga sytë policisë.

Por, nëse blutë e Durrësit nuk gjetën 41-vjeçarin, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për gjithë ato sende të gjetur në banesë gjatë kontrollit, më konkretisht 1 pistoletë, pranga, 3 targa makinash, celularë të ndryshëm dhe 2 makina, një Benz GLK dhe një Opel Corsa. Përveç tij, edhe dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. 

Këtë të hënë (8 korrik) në Gjykatën e Durrësit, 15 të arrestuarit e operacionit “Summer” u mësuan me masën e sigurisë. Në nisje të seancës, familjarë të disa prej të arrestuarve kanë shpërthyer në ulërima dhe të qara.

Në fund të saj në “arrest në burg” u lanë 4 persona, 7 të tjerë në “arrest në shtëpi” dhe 4 në “detyrim paraqitje”, nën akuzë për shitje droge dhe dy prej tyre për “armëmbajtje pa leje”.

Në një rast u arrestuan babë e bir nga Nishtulla, Durim Meta dhe i biri Muhameti. Atyre iu gjet në shtëpi një pistoletë, të cilën e mori përsipër ky i djali që u la në burg dhe babai në “arrest në shtëpi”. Gjatë seancës, një kamarier restoranti në Gjirin e Lalëzit, Xhuliano Xhaferri, pranoi që lënda narkotike e gjetur te vendi i punës, ishte e tija, 3,8 gramë kokainë dhe 150 gramë kanabis, duke i kushtuar masën “arrest në burg”, pronari i restorantit Mateo Jeshili u la në “detyrim paraqitje”. Në aksionin e një dite më parë, policia sekuestroi në total 1 kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte dhe municion luftarak.

Për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të shitjes së drogës, Antidroga e Durrësit mundi të gjejë jo vetëm një, por 4 burime konfidenciale, të cili ishin të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për të kryer blerje te stimuluara tek të gjithë persona e dyshuar të shpërndarjes së drogës. 

Diamant Shkina, 33 vjeç, në bashkëpunim me të tjerë, shpërndajnë kokainë dhe kanabis, pranë lokalit të tallavasë “Number One”. Shkina rezulton të jetë truprojë në këtë lokal bashkë me një tjetër. Çdo person merr kontakt me Shkinën, i cili qëndron pranë derës hyrëse të lokalit, ndërsa lëndën narkotike e mbajnë të fshehur në një ambient te mbyllur me derë druri pranë asaj kryesore, e ndarë në porcione 0.2 dhe 0.5 gramë, përkatësisht që kushtojnë 2.500 dhe 5.000 lekë. Në lagjen 13 Plazh, pranë pastiçeri Pelikanit ndodhet Florjan Karafili, i njohur ndryshe si "Danzi", i cili shpërndan kokainë dhe kanabis. Ai lëviz në këmbë dhe drogën e mban në një çantë marsup të zezë. Gjatë sezonit veror punëson dhe dy të tjerë për shpërndarjen e drogës. Ata qëndrojnë përgjatë vijës bregdetare në zonën e rërës, kryesisht tek çadrat e vendosura në rërë ku qëndrojnë ata që japin varka me qira. Karafili dhe bashkëpunëtorët drogën e sigurojnë nga një i paidentifikuar. Në lagjen numër 4, pranë Caffe Polis, Arbi Haxhiu, i njohur me nofkën Boli, shpërndan kokainë dhe kanabis me një makinë tip “Ford Fusion” dhe me motor “Skuter” pa targa. 

Katër personat që shërbyen si burime konfidenciale, me të cilët u lidh marrëveshje bashkëpunimi për të kryer blerje të simuluara të drogës, e kryen këtë aktivitet nga 20 maji deri më 30 qershor 2024. Ata fillimisht u treguan agjentëve të Antidrogës se narkotikët shiteshin pranë shkollave, qendra tregtare dhe lagje te ndryshme. Në vazhdën e punës së tyre për të blerë drogë me simulim, Durim Metës iu bënë 4 blerje të tilla të kokainës më vlera 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë dhe 5 mijë lekë për porcion, pranë zonës së Nishtullës. Florian Demirit, iu bënë 3 blerje te simuluara me shuma të ngjashme. Në këtë mënyrë, bashkëpunëtorët konficencialë bënë blerje të simuluara edhe te persona e tjerë të arrestuar.

Në kuadër të operacionit “Summer”, i cili u ndërmor më 7 korrik 2024 zhvillua pas dy muajsh hetime, ranë në pranga 15 persona, ndërsa 3 janë ende në kërkim, për armëmbajtje pa leje dhe drogë.

Masat e sigurisë, 8 korrik 2024: 
Durim Meta Arrest shtëpie
Florian Demiri arrest shtëpie
Flamur Tare arrest shtëpie
Diamant Shtina detyrim me paraqitje
Sadik Lako arrest shtëpie
Rustem Kolgjini arrest shtëpie
Zamir Hoxha arrest me burg
Marenglen Liçi arrest shtëpie
Saimir Sina arrest shtëpie
Klodian Seiti arrest me burg
Mateo Jeshili detyrim me paraqitje
Elgert Patlli detyrim me paraqitje
Gerald Tare detyrim me paraqitje
Xhuliano Xhaferri arrest me burg
Muhamet Meta arrest me burg

U shpallën në kërkim:
Dashamir Mehmeti, 41 vjeç drejtori i shkollës Jan Kukuzeli në Durrës,
Orgito Mema, 20 vjeç, 
Enis Piro, 46 vjeç, banues në Durrës.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Siguria në plazhe këtë verë në krahasim me vitin e kaluar është?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Mbappe mbetet pas, kush janë 10-të futbollistët që kanë dribluar më shumë në Evropian

Euro 2024/ Mbappe mbetet pas, kush janë 10-të futbollistët që kanë dribluar më shumë në Evropian