Duke i cilësuar deklaratat e kryesocialistit Rama të ulta dhe mashtrim, kreu i MTKRS-së theksoi se me 5 Maj nuk ka qenë në Peqin.
“Eshtë e turpshme të shikosh Kryetarin e Opozitës të përfshihet personalisht në përhapjen e mashtrimeve të ulta. Siç e kam deklaruar, ditën e shtunë kam qenë në tre aktivitete publike në Tiranë, festimin e ditëlindjes së Agim Krajkës në TKOB, në aktivitetin në nder të regjisorit Italian Bellochio që vizitoi Tiranën dhe në Teatrin Kombëtar për premierën “Henri VI”. Ministri nuk është fantazmë që të ketë qenë në Peqin dhe të mos e ketë parë askush!? Nuk jam shprehur për asgjë tjetër, kështu që nga e gjeti Ciu Ciu deklaratën time për fishekë manovër?! Kjo ngjarje flet shumë për Z. Rama” thuhet nw deklaratwn e ministrit Bumçi.
RAMA DJE: DEPUTETI QELLON, SALA LEJON, MINISTRI HESHT
Kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar pas incidentit të një dite më parë në stadiumin e Peqinit. Sipas Ramës, një deputet qëllon me armë në stadium vetëm nën qeverisjen e demokratëve.
“Vetëm në Shqipërinë e Saliut deputeti mund të qellojë me armë në stadium dhe ministri të thote mos ia vini re, kishte fishekë manovre!”, ka shkruar Rama në Twitter.
NGJARJA
Deputeti i PD-së në Peqin, Dashnor Sula është bërë sërish protagonist i skandaleve që ndodhin në futbollin shqiptar. Ndërsa më parë, kishte tentuar të rrihte arbitrin kryesor të takimit, kësaj radhe ka kërcënuar me një pistoletë nga tribuna VIP drejtuesin e takimit. Pas këtij kërcënimi ekipi i Shkumbinit fitoi me penallti, duke evituar rënien nga kategoria Superriore. Nga tribuna VIP e fushës së Peqinit, deputeti Dashnor Sula, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke tërhequr vëmëndjen e shumë personave. Jo vetëm para shënimit të golit, por edhe pas tij, zyrtarisht për të shprehur emocionet e gëzimit për fitoren e skuadrës së zemrës. Sipas policisë, fillimisht është dukur se arma ishte luftarake, por pasi kanë shkuar në vendgjarje efektivët e policisë, ata thanë se ajo ishte një pistoletë sportive ose siç njihen ndryshe, imituese. Pavarësisht kësaj uniformat blu kanë bërë sekuestrimin e armës sportive me qëllim kryerjen e ekspertimit balistik të saj pranë laboratorit të policisë shkencore. Ndërkohë që deputeti i Partisë Demokratike nuk është shoqëruar për të dhënë deklarime rreth këtij “incidenti”, por uniformave blu i kanë mjaftuar vetëm disa nga deklarimet e tij, në momentin kur i kanë marë pistoletën imituese. Ky veprim është konsideruar nga tifozat vlonjatë si një kërcënim me armë ndaj treshes së arbitrave, të cilët kanë dhënë penalltinë për Shkumbinin, duke e dhënë kështu tre pikët, të cilat e ndihmojnë për të mos rënë nga kategoria.
PS: DEPUTETI TE IKE NGA KUVENDI
Partia Socialiste reagoi sot pas incidentit, të një dite më parë në stadiumin e Peqinit në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Flamurtarit. Deputeti Fidel Ylli në një reagim për gazetarët tha se, “deputeti Dashnor Sula dhunon gjyqtarët, arbitrat, gazetarët, gjithçka që i del përpara, duke prishur imazhin e tij si deputet dhe imazhin e qytetit të Shkumbinit, qytetarët e të cilit janë dashamirës ndaj sportit dhe që kanë nxjerrë edhe kampionë.”
“Unë habitem me kryetaren e parlamentit, që pretendon të bëhet edhe deputete, që nuk e ka thirrur ndonjëherë këtë deputet, që ka mbi 4-5 raste që krijon dhunë në stadiume. Habitem me kryeministrin që na flet për 12 prioritetet, si nuk e thërret këtë deputet. Habitem me grupin parlamentarë që nuk mban një qëndrim mbi këtë deputete”, tha Ylli.
Deputeti Fidel Ylli shprehu indinjatën e tij ndaj kolegut Sula, duke denoncuar edhe deklaratat e tij, që e gjithë kjo histori qenka thashethem.
PRECEDENTI
Për të disatën herë me radhë, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, është bërë protagonist i dhunës në futbollin shqiptar. Pak kohë më parë gjatë ndeshjes Shkumbini-Laçi, Sula i është lëshuar arbitrit Albano Janku, të cilin ka tentuar që ta godasë me grusht, por që për fat, punonjësit e policisë kanë reaguar në kohë dhe kanë shmangur dhunimin e arbitrit. Ky nuk është rasti i parë që përfaqësues të Federatës Shqiptare dhe arbitrat të kërcënohen, me qëllim favorizimin e skuadrës së Shkumbinit gjatë zhvillimit të lojës sportive. Në vitin 2010, pikërisht në këtë fushë futbolli, kryebashkiaku i Peqinit Ilir Rushaj ka rrahur ish-trajnerin e Kavajës Shpëtim Duro. Ky i fundit iu drejtua me një kallëzim penal prokurorisë së Elbasanit, por më pas mendohet se ndryshoi thënie dhe çështja u pushua.
NËNDREJTORI NË VENDGJARJE
Sapo kanë marë njoftimin se në stadiumin e Peqinit ku zhvillohej ndeshja e futbollit Shkumbini-Flamurtari, ka pasur të shtëna me armë, është nisur për në vendin e ngjarjes zëvendësdrejtori i policisë së Elbasanit. I shoqëruar me disa hetues të kësaj drejtorie, nëndrejtori ka mbërritur në fushën e Peqinit ku ka marrë informacion se personi që kishte qëlluar me pistoletë ishte deputeti i Partisë Demokratike Dashamir Sulaj. Nga burime pranë policisë, mësohet se Sula i është bërë sekuestrimi i pistoletës dhe se gjatë kqyrjes me sy të lirë të saj, është konstatuar se ajo nuk ishte luftarake, por sportive ose imituese. Duke ju referuar gjithmonë këtyre burimeve, mësohet se fishekët e këtyre lloj armësh, janë të mbushur me gaz dhe se nuk kanë predha. Këto pistoleta në dukje janë origjinale me ato luftaraket për shkak se dhe kur qëllojnë krismën e kanë të njëjtë, por vetëm që nuk arijnë të nxjerrin predhën. Pavarësisht këtij konstatimi mësohet se me urdhër të prokurorisë së Elbasanit, policia e këtij rrethi do ja dërgojë pistoletën për ekspertizë balistike laboratorit të Policisë Shkencore.
HETIMI I NGJARJES
Pas ngjarjes të ndodhur në stadiumin e Peqinit, është ngritur një grup hetimor, ku një oficer i prokurorisë në prani edhe të specialistëve të policisë kanë bërë shoqërimin për në Elbasan të tre arbitrave si dhe përfaqësuesve të tjerë të Federatës Shqiptare të Futbollit që ishin caktuar për të vëzhguar mbarëvajtjen e ndeshjes që zhvillohej mes Shkumbinit dhe Flamurtarit. Në ambjentet e Drejtorisë së Policisë, tre arbitrat dhe vëzhguesit e FSHF-së janë marrë në pyetje nga hetuesit me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime pranë kësaj drejtorie, nuk pranojnë të japin të dhëna rreth deklarimeve të të shoqëruarve, për shkak të kompleksitetit të çështjes por dhe se në këtë ngjarje protagonist është deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj. Pritet që sot aktet hetimore t’i kalojnë prokurorisë së Elbasanit, ku pas studimit të materialet do vendoset nëse do vijojnë ose jo hetimet rreth kësaj ngjarje.
(aq/shqiptarja.com)