Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka komentuar marrëveshjen e dakordësuar mes SHBA dhe Iranit për një armëpushim dyjavor.

Duke e cilësuar si vendim të duhur, presidenti ukrainas thekson se armëpushimi mund të çojë në fundin e luftës. Ai bëri thirrje që edhe Rusia të ndjekë të njëjtën gjë dhe t’i japë fund agresionit që vazhdon në Ukrainë.

“Një armëpushim është vendimi i duhur që çon në fund të luftës. Do të thotë shpëtimi i jetëve, braktisja e shkatërrimit të qyteteve dhe fshatrave, dhe lejimi i termocentraleve dhe infrastrukturës tjetër të funksionojnë normalisht, duke siguruar kështu kohën dhe kushtet e nevojshme që diplomacia të japë fryte.

Ukraina gjithmonë ka bërë thirrje për një armëpushim në luftën e zhvilluar nga Rusia këtu në Evropë kundër shtetit dhe popullit tonë, dhe ne mbështesim armëpushimin në Lindjen e Mesme dhe Gjirin, i cili hap rrugën për përpjekje diplomatike. Ukraina i përsërit Rusisë: ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë nëse rusët ndërpresin sulmet e tyre”, u shpreh ai në X.

Sipas udhëheqësit të Kievit, “është e qartë për të gjithë se një armëpushim mund të krijojë parakushtet e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje. Disa vende ishin të përfshira në procesin e negociatave, dhe është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë këtë hap diplomatik.”

Ndërkohë Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga tha gjithashtu në rrjete sociale se pas armëpushimit me Iranin, Shtetet e Bashkuara ta përqendrojnë vëmendjen e tyre te lufta në Ukrainë.

"Ne mirëpresim marrëveshjen midis Presidentit Trump dhe regjimit iranian për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe armëpushimin, si dhe përpjekjet e ndërmjetësimit të Pakistanit. Vendosmëria amerikane po funksionon. Ne besojmë se ka ardhur koha për vendosmëri të mjaftueshme për ta detyruar Moskën të armëpushojë dhe t'i japë fund luftës kundër Ukrainës", shkroi Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga në X.

Gjatë 24 orëve të fundit të paktën 13 persona janë vrarë dhe 77 të tjerë janë plagosur në sulmet ruse kundër Ukrainës. Rusia lëshoi ​​176 dronë kundër Ukrainës gjatë natës, tha Forca Ajrore, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase kapi 146 prej tyre.