Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke deklaruar se Republika Islamike “do të pushojë së ekzistuari” nëse Uashingtoni vendos të përshkallëzojë më tej konfliktin.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump konfirmoi se forcat amerikane kanë goditur depo iraniane raketash dhe dronësh, si edhe sisteme radarësh, duke i cilësuar sulmet si përgjigje ndaj, sipas tij, shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit nga ana e Teheranit.

“Ka shumë të ngjarë që ata të mos e mësojnë kurrë mësimin. Mund të vijë një moment kur nuk do të jemi më në gjendje të veprojmë me arsye dhe do të detyrohemi ta përfundojmë me mjete ushtarake operacionin që kemi nisur me sukses të madh. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit do të pushojë së ekzistuari”, shkroi Trump.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se Marina dhe Forcat Ajrore amerikane kanë goditur 10 objektiva ushtarake brenda dhe pranë Ngushticës së Hormuzit. Sipas autoriteteve amerikane, operacioni u ndërmor si kundërpërgjigje ndaj sulmit me dronë të Iranit ndaj një anijeje me flamur të Panamasë në Ngushticën e Hormuzit 

Tensionet janë përhapur edhe në vendet e Gjirit. Në Kuvajt, objektiv i sulmeve iraniane ka qenë aeroporti ushtarak Ali Al Salem, ku janë të dislokuara forca amerikane. Ndërkohë, në Bahrein është goditur baza e Marinës së SHBA-së, e cila ka qenë disa herë në shënjestër që nga fillimi i konfliktit. Teherani ka marrë përsipër përgjegjësinë për të dyja sulmet.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar se bazat ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit do të përjetojnë një “ferr” në ditët në vijim, duke shtuar se çdo veprim i mëtejshëm nga SHBA-ja do të marrë një “përgjigje të pamëshirshme”.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar këtë muaj, Irani ka marrëveshje për kontrollin e kalimit dhe lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, dhe që tani e tutje, anijet që shkelin rregullat do të ndëshkohen.