Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj, ka reaguar për emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv lidhur me arratisjen e 'ushtarit' të Çopjave Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit, ditën e djeshme.

Sipas Sufajt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është informuar se Altin Ndoçi, i shoqëruar për vizitë tek kirurgu, është larguar nga ambientet e spitalit, ndërsa e cilësoi këtë si një ngjarje të rëndë.

Ai theksoi se drejtoria po vlerëson situatën për të marrë masa parandaluese në shoqërimin e të burgosurve drejt spitaleve apo gjykatave, me qëllim shmangien e rasteve të tilla në të ardhmen.

Sufaj sqaroi gjithashtu se arratisje të tilla janë shumë të rralla, ku e fundit ka qenë në vitin 2010.

‘Në 13 janar nga Drejtoria e Burgjeve jemi informuar se nga ambientet e spitalit Durrës ishte arratisur Altin Ndoçi që kishte shkuar për vizitë tek kirurgu. Menjëherë janë dërguar të dhëna në policinë e shtetit për shpalljen në kërkim dhe kërkimin e tij. Një ekip i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka shkuar në pranë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale Durrës po ashtu edhe Prokuroria e Rrethit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm që po kryejnë verimet hetimore.

Drejtori i Përgjithshme ka pezulluar disa punonjës deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një ngjarje e rëndë për burgjet dhe për komunitetin. Drejtoria është duke vlerësuar situatën për marrjen e masave parandaluese për shoqërimin e të burgosurve në spitale apo gjykata. Dua të sqarojë se ngjarje të tjera janë shumë të rralla, kjo është rasti i dytë pas një arratisje nga spitali në 2010 që u arrestua pas 24 orësh’, tha ai.

Për avokatin Arbër Hoxha përgjegjësia për transferimin dhe shoqërimin e të dënuarve i takon Policisë së Burgjeve. Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për një person me rrezikshmëri të lartë, për të cilin masat e sigurisë duhej të ishin maksimale.

‘Transferimi i të dënuarve është detyrë e policisë së burgjeve. Kishim të bënim me një person me rrezikshrëmi të lartë dhe numri i policëve që duhet ta shoqëronin duhet të ishte 5. Ai duhej të ishte nën pranga dhe zinxhirë, këto masa kanë dështuar sepse ishte një numër i vogël punonjësish policie dhe pa pranga. Kemi të bëjmë me neglizhencë të grupit që ka bërë transportimin e tij drejt spitalit.

Nga ana e tij janë marrë masa që të ketë mundësi të largohet. Largimi nga vendi i qëndrimit i të burgosurit dënohet nga 2 deri në 3 vite burg. Është një ngjarje shumë e rëndë, sepse Veliaj shoqërohet me forca të shumta të policisë së burgjeve dhe persona që janë me rrezik të lartë shoqërohen me një ose me dy policë. Ka hije dyshimi , por ta lëmë Prokurorinë e Durrësit që të bëjë punën e saj’, tha ai.