DURRËS- Zv.shefi i Policisë Burgut të Durrësit, Dezdemon Pazaj, 5 efektivët që shoqëronin të arratisurin Altin Ndoci dhe kryeinfermieri i burgut Aulon Çuko, kanë rënë në pranga një ditë pas arratisjes spektakolare të ushtarit të grupit të Çopjave. Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka nisur edhe një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci. Përveç 5 efektivëve që e shoqëruan Ndocin dhe të paraburgosurin tjetër nga qelia në spitalin e Durrësit, në pranga ka rënë edhe një grua, edhe Violeta Uka, personel i shërbimit të brendshëm.

5 efektivët akuzohen se nuk kanë zbatuar detyrën, duke mos i vendosur prangat Ndocit në momentin e shoqërimit. Ky fakt i cili evidentohet lehtësisht edhe përmes kamerave, pranohet edhe nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila në një deklaratë për mediat thotë se Policia e Burgut të Durrësit nuk ka respektuar procedurën standarde të shoqërimit të një të paraburgosuri.

Shoqërimi i Ndocit nga qelia në spital

Drejtoria e Burgjeve thotë se Ndoci ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e burgut, Aulon Çuko, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Brenda së njëjtës ditë, strukturat e Burgut të Durrësit kanë planifikuar dërgimin e tij në spital.  Çuko është personi që ka plotësuar dokumentacionin mjekësor, ku paraqitej se Altin Ndoci vuante nga probleme me veshkat.

Më pas, strukturat e Burgut të Durrësit kanë organizuar shoqërimin e tij drejt spitalit, por pa vënë në dijeni Policinë e Durrësit dhe as Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Po ashtu, Burgu i Durrësit nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

"I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset", thuhet në deklaratën e Policisë së Burgjeve. 

Për këto shkelje, Drejtoria e Burgjeve ka pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të Burgut të Durrësit, mes tyre edhe drejtorin Indrit Cerloj, i cili ka qenë me leje. 

Itinerari i arratisjes

Pasi ka marrë mjekimin brenda në repartin e Infektivit të Durrësit, Ndoci ka vënë në jetë edhe planin e arratisjes, duke iu kërkuar policëve që e ruanin te dera që të shkojë në tualet. Sapo 2 policët kanë hapur derën, ai i ka goditur dhe është larguar me vrap nga shkallët e katit të tretë në ambientin e jashtëm të spitalit ku e ka pritur një audi luksoz A7. Report Tv me gazetarin Sokol Dema, përmes burimeve ka arritur të zbardhë edhe itinerarin e mjetit, i cili fillimisht ka kaluar në zonën e Spitallës dhe më pas është shfaqur në Shënavlash. Mjeti më pas ky hyrë në aksin Durrës-Tiranë , ku është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë, por më pas humb gjurmët. Dyshimet janë se Ndoci fshihet në Tiranë, por grupi hetimor ende po punon me qëllim lokalizimin e tij.

Kontrolle në kërkim të Ndocit janë kryer në disa zona të ndryshme të Tiranë, në Astir, Don Bosko, Selitë, etj. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.

Policia e Durrësit është njoftuar menjëherë sapo Ndoci është larguar, duke u vënë në lëvizje për gjurmimin e tij. Por, ndërkohë lidhur me shoqërimin e tij drejt spitalit, pas verifikimit të plotë rezulton se Policia e Durrësit nuk është njoftuar në asnjë formë nga Drejtoria e Burgjeve. 

Kush është Altin Ndoci? 

Pjesë e krahut të armatosur të organizatës kriminale të Çopjave të Elbasanit, i rekrutuar si vrasës me pagesë nga Talo Çela dhe i akuzuar në disa vrasje mafioze në vend, Altin Ndoci cilësohet nga autoritetet si një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndoci me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”. Dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë e kanë përfshirë në disa vrasje të bujshme, mes tyre edhe masakra e Bradasheshit. 

EMRAT E TË ARRESTUARVE
Aulon Çuko- kryeinfermieri i Burgut të Durrësit (pezulluar nga detyra)
Dezdemon Pazaj- Zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit  (pezulluar nga detyra)
Dorian Saraçi- Kryeinspektor (pezulluar nga detyra)
Sali Ferollari- Inspektor (pezulluar nga detyra)
Preng Marvataj- Inspektor (pezulluar nga detyra)
Fation Baçi- Inspektor  (pezulluar nga detyra)
Aranit Çela - Kryeinspektor (pezulluar nga detyra)
Violeta Uka- Komisare (pezulluar nga detyra)

 

TË PEZULLUAR NGA DETYRA
Indrit Cerloj – Drejtor i Burgut Durrës;
Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

*Raportojnë për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët Sokol Dema dhe Artur Korriku

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Arratisja e Ndocit, Drejtoria e Burgjeve: Nuk u respektua procedura standarde për shoqërimin! Nuk u informuam as ne dhe as Policia e Durrësit për vizitën mjekësore

1768311180_altinndoci.jpg

Altin Ndoci

Policia e Burgjeve ka reaguar për arratisjen e Altin Ndocit. 

Deklarata e plotë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.

I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:

• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;

• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;

• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Ora 10:43
Policia ‘bastisje’ në disa zona të Tiranës, kërkohet për Altin Ndocin! Familjarët: Nuk e dimë se ku ndodhet

1768335527_arrastisjaealtinndocit.jpg

Foto nga momenti i arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit

Gazetari i Report Tv Sokol Dema raporton se kontrolle në kërkim të Ndocit janë kryer në disa zona të ndryshme të Tiranë, në Astir, Don Bosko, Selitë, etj. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.

Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.

Ora 10:30
Zbardhet itinerari i arratisjes së Altin Ndocit, u largua me ‘Audi A7’ drejt Tiranës

1768383261_altinndocimakinaarratisjesaltinndocit.jpg

Audi A7 me të cilin është arratisur dhe Altin Ndoci

Policia ka zbardhur itinerarin fillestar të arratisjes së 38-vjeçarit Altin Ndoci, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë. Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë. Arratisja ka ndodhur mesditën e së martës nga Spitali i Durrësit.

Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema bëjnë me dije se Policia e Durrësit është njoftuar menjëherë sapo Ndoci është larguar, duke u vënë në lëvizje për gjurmimin e tij. Nga verifikimet rezulton se 38-vjeçari kishte marrë mjekimin e nevojshëm dhe, pas përfundimit të procedurave mjekësore, ka ndërmarrë aktin e arratisjes.

Ndërkohë, lidhur me shoqërimin e tij drejt spitalit, pas verifikimit të plotë rezulton se Policia e Durrësit nuk është njoftuar në asnjë formë nga Drejtoria e Burgjeve. Po gjatë ditës së djeshme, Burgu i Durrësit i ka kërkuar policisë shoqërimin e një tjetër të dënuari për një rast fatkeqësie, konkretisht për varrimin e një familjari, shoqërim që është kryer nga uniformat blu. Njoftimi i policisë për arratisjen është bërë menjëherë sapo është larguar me makinën "Audi A7".