Shoqërimi i Altin Ndocit në Spitalin e Durrësit për të kryer një vizitë mjekësore nga ku edhe u arratis, për avokatin Alban Duraj ndodhi pasi ai ishte pa asnjë masë sigurie.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Duraj tha se Ndoci ishte pa pranga kur u shoqërua, ndonëse duhej të shoqërohej nga policia sipas rregullave të sigurisë.
Avokati tha se për shoqërimin e të burgosurve përdoren standarde të dyfishta, pasi në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë një vizite mjekësore në një klinikë në Durrës u shoqërua me masa të forta sigurie.
‘S’më takon mua që të bëjë akuzën por me atë që kemi parë nga kamerat i ndaluari ishte pa pranga, ndërkohë që duhej që të bëhej shoqërimi nga policia. Në këtë rast ka një standard të dyfishtë sepse Veliaj shkoi në një klinikë ku bëri një vizitë në Durrës dhe qëndroi policia aty sikur ai është një i akuzuar për 20 vrasje dhe kemi një person tjetër që është me rrezik që ecën me duar në xhepa. Ata sikur ishin shok me njëri-tjetrin dhe jo sikur ishin polic dhe i burgosur. Kjo është ajo që ne s’na pëlqen se ka një standard të dyfishtë. Bëhet fjalë për 5 vrasje që ai mund ti ketë kryer edhe pse nuk kemi një vendim përfundimtar të gjykatës’, tha ai.
Duraj tha se të burgosurit që kanë kryer vepra të rënda nuk duhet që të qëndrojnë në të njëjtin burg me ata të burgosur që kanë më pak rrezikshmëri. Ai theksoi se në burgje ka edhe të dënuar që favorizohen.
‘Ata të burgosur që kanë kryer vepra të rënda, rrinë me njerëz që kanë bërë vepra që kanë dënim të ulët dhe s’kanë rrezikshmëri dhe kjo është ajo që ne na shqetëson. Kemi krimin e organizuar që për shkak të ndikimit të madh financiar që ka trajtohet në një mënyrë shumë komode se të tjerët. Ne kemi rastin ku në një burg shkonte një gocë e botës së shoëbizit që takonte të dënuarin, këto janë toleranca që bëhen për shkaqe përfitimi.
Ata që kanë akuza më të lehta s’mund të qëndrojnë me ata që kanë akuzua të rënda. Institucioni i Durrësit nuk duhet që ti kishte pranuar. Si e ka marrë këtë vendim? Kjo është e ndaluar, nuk mundet që ata të ishin në këtë institucion dhe fakti që ka nisur lëvizja, u bë sepse u bë shumë e madhe arratisja e Ndocit’, tha Alban Duraj.
Një koment e pati edhe për deklaratën e ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Presidentit Donald Trump, John Bolton, i cili tha se vendimet e SHBA-së për shpalljet ‘non grata’ merren mbi baza faktike dhe jo nga lobimet.
Duke iu referuar non gratës së Berishës nga SHBA, avokati tha se SHBA ka fakte se Berisha mund të ketë bashkëpunuar me segmente ruse dhe serbe në cënim të interesave të SHBA.
‘Në rastin e Berishës ka informacione që mund ta lidhin me interesat gjeopolitike të SHBA që mund të ketë përfshirja e tij kur ka qenë kryeministër me segmente të caktuara ruse dhe serbe. Berisha mund të ketë bashkëpunuar në dëm të interesave të SHBA. Ai ka thënë edhe vet që kam furnizuar me armë dhe naftë ish-Jugosllavinë dhe informacione të tjera që mund të kenë SHBA për të. SHBA me përfaqësuesit e shteteve të tjera, pra me liderat bashkëpunon edhe kur ka njerëz të korruptuar, ata kanë interes që të bashkëpunojnë deri në momentin kur nuk cënohen interesat e tyre. Janë 300 emra për vendet e rajonit që mund të shpallen non grata’, tha ai.
Komente










