SHKUP - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka komentuar për herë të parë arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski. Ish-partneri i koalicionit të Gruevskit në qeverisje ka thënë se është detyrë e drejtësisë të bëjë punën e saj. Sipas tij nuk duhet të ketë drejtësi selektive, por shtoi se as arratisja e Nikola Gruevskit nuk duhet të përdoret për interesa politike.
Në vazhdimësi kemi kërkuar dhe kërkojmë që në vendin tonë të instalohen standarde që na ofrojnë me BE-në dhe NATO-n, dhe nuk do të donim asnjëherë që të ketë drejtësi selektive. Por këto çështje s’duhet t’i problematizojmë dhe që të shërbejnë për politika ditore.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI
Nikola Gruevski u arratis nga Maqedonia përmes Shqipërisë nga ku udhëtoi me një automjet të ambasadës hungareze në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë, duke përfunduar në Hungari, ku ka kërkuar azil politik. Ai është dënuar me dy vite burg nga gjykata e Shkupit për çështjen "Tanku", blerjen e një "Mercedesi" 600 mijë euro në shkelje të ligjit. Një ditë më parë, Gruevski u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale se Hungaria kishte pranuar kërkesën e tij për azil.