TIRANE-  Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, pranë Ministrisë së Brendshme, referoi në Prokurorinë e Tiranës dosjen hetimore për arratisjen e Arnolt Canametit. Burimet thanë për Shqiptarja.com se nga hetimi i kryer nga inspektorët e Shërbimit të Brendshëm, nuk janë konstatuar elementë të shpërdorimit me dashje të detyrës nga punonjësit e policisë.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë në aeroport është vënë re se asnjë prej policëve, nuk ka dhënë ndihmë ndaj Canametit për arratisjen. E vetmja ndihmë që ai ka përfituar, ka qenë ajo Murat Hysës 50 vjeç dhe Ylber Ndoit 29 vjeç, që e pritën dhe larguan nga Rinasi Canahmetin. Ata u arrestuan me akuzën e dhënies së ndihmës së të dënuarit për t’u larguar nga vendi i qëndrimit. 

Nga hetimi i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, është mësuar se në momentin që të kthyerit kanë mbërritur në Rinas ka patur një fluks shqiptarësh të deportuar prej 250 personash nga Franca dhe nga Gjermania çka ka krijuar një situatë kaosi në aeoport. Po kështu ka munguar edhe një listë paraprake të personave, për të mësuar nëse ndonjë prej të riatdhesuarve kishte probleme me ligjin. 

Në përfundim të hetimeve punonjësit e policisë do të hetohen për "Shkleje të rregullave në punë" .20-vjeçari ishte i kërkuar nga policia shqiptare për “Tentativë vrasje”, në Burrel

Arratisja
Arnolt Canameti u arratis pasditen e së martës, momentin e mbërritjes në Aeroportin e Rinas, teksa kryheshin verifikimet e dokumenteve. Kohën kur i riu shoqërohej për kryerjen e procedurave në aeroport i paprangosur, është larguar drejt daljes së aeroportit, duke kaluar më pas rrethimin ku pritej nga dy personat tashmë të arrestuar nga policia. 20-vjeçari deportohej nga Franca pasi i kishte mbaruar leja e qëndrimit në atë vend. Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se Arnolt Canameti prej disa muajsh është shpallur në kërkim së bashku me dy të afërm të tij, me dyshimin e përfshirjes në një konflikt me armë, ku për pasojë kanë tentuar të vrasin një person në qytetin e Burrelit.

Pezullimi 
Pas ngjarjes së shënuar pasditen e së martës në Aeroportin e Rinasit, pesë punonjësit e Komisariatit të Policisë së Rinasit, të cilët shoqëronin 20-vjeçarin e kërkuar për vrasje janë pezulluar nga detyra. Ndërkohë, emrat e tyre nuk bëhen ende të ditur. Burime nga policia kanë bërë me dije se i kërkuari për vrasje dyshohet të jetë ndihmuar nga punonjësit e policisë që e shoqëronin momentin e mbërritjes në Rinas. “Lëre mos e bëni alarmante se Arnolti do kthehet se e njoh unë.

Nuk ka ku të shkojë”, mësohet t’u jetë shprehur njëri nga punonjësit e policisë kolegëve të tij, tashmë i pezulluar nga detyra. Ndërkohë, Shërbimet e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brëndshme vijojnë hetimet për rastin në fjalë me dyshimin se mund të kenë qenë të përfshirë punonjësit e policisë që i kanë lehtësuar “arratisjen”, Arnolt Canametit. Policia po punon po kapjen e të arratisurit 20-vjeçar, ndërsa materialet procedurale iu dërguan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.