Kryeministri Rama tha se fundi i pandëshkueshmërisë është ndryshimi historik që po ndodh, deklaratë që vjen pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit. Ai shtoi se arsyeja e ekzistencës së organeve të drejtësisë është pamundësia e drejtuesit të një vendi për të mos ditur një sërë informacionesh për vartësit e tij.

Në këtë linjë, Rama shprehu mbështetje të vazhdueshme për organet e drejtësisë së re.

“Unë premtova Rilindjen dhe një qeverisje ku askush nuk do të shkelte në dërrasë të kalbur dhe as një administratë shembullore. Unë u zotova për çlirimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm. Ky është ndryshimi historik që po ndodh. Pyetja me vend s’është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur vartësi shkel ligjin, por si mund ta dijë? Kryeministri nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e një individi, as të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo kurdiset për të punuar së prapthi. Prandaj demokracitë kanë organe drejtësie, prandaj e kam kërkuar reformën në drejtësi dhe e mbështes drejtësinë e re, përtej lajthitjeve”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Vlora Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal