Arresti, shtyhet me 2 ditë Këshilli
 i Imunitetit, Doshi: Jam sëmurë!
Foto/ Raporti: Doshi me të përziera

Arresti, shtyhet me 2 ditë Këshilli<br /> i Imunitetit, Doshi: Jam sëmurë!<br />Foto/ Raporti: Doshi me të përziera
TIRANE - As këtë të hënë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk mundi të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
 
Ishte deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi, i cili kërkoi sërish shtyrjen e mbledhjes të Këshillit, ashtu sikurse ndodhi edhe në takimin e të shtunës pasdite. Këtë radhë Doshi paraqiti një raport mjekësor përmes avokatit të tij Vladimir Meçe, ku theksohej se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk ishte në kushte të favorshme për të parashtruar para deputetëve mbrojtjen e tij. Në kërkesën për shtyrje të mbledhjes, Doshi shprehet se mbas dy ditësh do të ishte i gatshëm për të bërë mbrojtjen përballë kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tij. Kjo kërkesë u pranua nga anëtarët e Këshillit.
 
Po ashtu në mbledhjen e kësaj të hëne nuk ishte i pranishëm as kreu demokristian Mark Frroku, për të cilin Prokuroria kërkoi gjithashtu arrestimin nën akuzën se kanë inskenuar atentatin që Doshi pretendon se ishte planifikuar gjashtë muaj më parë për vrasjen e tij.
 
Frroku paraqiti mbrojtjen me shkrim në Këshill, ndërsa të mërkurën të dy kolegët deputetë pritet të dëgjohen publikisht në një mbledhje të hapur për mediat.

Ashtu sikurse në mbledhjen e shkuar, Këshilli ishte nën kryesimin e nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule, pasi Meta është tërhequr për të shmangur konfliktin e interesin, duke qenë se është personi ndaj të cilit Doshi pretendon se ka paguar për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi.

Kjo mbledhje vjen në vijim të takimit të së shtunës, i cili u shty pasi dy kolegët kërkuan kohë të njihen me materialet e organit të akuzës.

FOTO/ Raporti mjekesor qe avokati i Doshit i dorezoi Keshillit te Imunitetit

letra 1
letra 2

Ora 11:55
Subashi: Të mërkurën dëgjojmë dy deputetët, s’ka arsye të shtyhet më

Anëtari socialist në Këshill, Armando Subashi tha se këshilli ende nuk ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë, por se të mërkurën do të dëgjohen të dy deputetët bashkë. Subashi tha se mbledhja e 24 Marsit nuk ka arsye të shtyhet më.
  
“Kishim një kërkesë zyrtare mbi tavolinë që kërkonte shtyrjen e mbledhjes, bashkangjitur saj ishte edhe raporti. Nuk e di sa ditë është raporti, por nga kryesuesi i këshillit u tha se në kërkesë ishte thënë që “besoj se mbas dy ditësh do jem gati të bëj mbrojtjen time”, tha Subashi.




Ora 11:38 Halimi: Mbledhja u shty për të mërkurën, deputetet do degjohen publikisht
Anëtari i opozitës në Këshillin për Imunitetin Eduard Halimi në përfundim të mbledhjes dha një deklaratë për mediat ku tha se mbledhja u shty për të mërkurën. Kjo pasi sipas tij, Doshi ka dorëzuar një raport mjekësor përmes avokatit të tij, duke justifikuar mos prezencën e tij në mbledhje, e ku ka kërkuar që mbledhja të shtyhet me 5 dite. Por deputetët e Këshillit vendosën që mbledhja të shtyhet vetëm me dy ditë.
 
Halimi tha se Këshilli vendosi të pranojë një kërkesë të PD-së për të zhvilluar mbledhjen e radhës jo më me dyer të mbyllura por në prani të medias.
 
“Deputetët do të dëgjohen në mënyrë publike. Kërkesa për ta shtyrë për arsye shëndetësore qëndrimi i grupi të opozitës është i njëjtë: në çdo kohë ne jemi në favor të kërkesave të prokurorisë siç kemi qenë gjatë dhjetë viteve të fundit, ashtu sic kemi qenë pro transparencës. Deputetët e PS pranuan kërkesën e Doshit për ta shtyrë me dy ditë”, u shpreh Halimi.
 
Ndërsa kërkesa e dytë për heqjen e imunitetit edhe të deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima nuk është dhënë një vendim.
 
“Çështja e dytë procedurale kishte të bënte me kërkesën e bërë edhe në seancën e kaluar edhe nga Ristani për vendosjen në rend dite edhe të një deputeti tjetër, Kokëdhimës, se është po ky këshill që vendos për ktë proces. Ka tre javë që kërkesa është në dyert e kuvendit ende nuk ka nisur në Këshillin e Rregullores. Për Kokëdhimën nuk morëm përgjigje se nënkryetari i Kuvendit do të konsultohej me të tjerët”, tha Halimi. 


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën