Nevoja që Prokuroria e Posaçme të mos pengohet në hetimin e rasteve të korrupsionit, ishte emëruesi i përbashkët deklaratave të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadave të dy vendeve anëtare, Gjermanisë dhe Hollandës si dhe asaj të Britanisë së Madhe, që shoqëruan votimin e sotëm në parlament, ku me votat e shumicës u rrëzua kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.
Por për kryeministrin Edi Rama “shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”, duke vënë në dukje se ndaj Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion dhe se Spak-u është I lirë të hetojë “pa yshtjen e faktorëve të jashtëm”.
Delegacioni i Bashkimit europian ndërsa kujtonte se “angazhimi ndaj sundimit të Ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE”, vuri në dukje se “sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.
Thuajse në të njejtën linjë, por pak më të drejtpërdrejta, ishin dy vendet e anëtare, Gjermania dhe Hollanda që reaguan veçmas por me të njejtin tekst: “Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar këtë proces”.
Me herët, para se të votohej në parlament, ambasada britanike kishte theksuar se “ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”.
Kryeministri Edi Rama, qartazi nuk u pajtua me këto qëndrime. Në krye të reagimit në platformën ‘X’, ai shprehet se bie dakort 100 për qind, por vetëm mbi parimet e ngritura e jo për çështjen.
Në shtjellimin e tij mbi rastin, ai vë në dukje se synimi për anëtarësim në BE në vitin 2030 mbetet i palëkundur, se lufta ndaj korrupsionit vazhdon më këmbëngulëse dhe se nuk ndryshon asgjë në mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi e ndaj SPAK-ut.
Rama nënvizoi se Balluku nuk është e akuzuar për korrupsion, dhe se “hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor”.
Kryeministri u shpreh më tej i bindur se shumica e tij qeverisëse, “bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës” ku sipas tij, kalimi i kërkesave të prokurorisë, edhe thjesht për nisje hetimesh “është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”.
Ai la të kuptohej se shumicës po i kërkohej diçka e ndryshme nga çfarë ndodh në vendet europiane, normat e të cilave “ne i kemi respektuar plotësisht”. Sipas tij “ kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!”

Ambasada e Suedisë në Tiranë ka reaguar pas vendimit të sotëm të Kuvendit, i cili votoi kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të saj në Facebook, Ambasada e Suedisë në Tiranë shkruan se përparimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE varet nga lufta kundër korrupsionit në nivelet më të larta.
Po ashtu në njoftimin e saj, Ambasada e Suedisë në Tiranë ka shkruar se udhëheqja politike shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e vijimësisë së procesit të integrimit të vendit në BE.
Ata i bëjnë thirrje drejtësisë që të vijojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa pengesa.
Njoftimi i Ambasadës së Suedisë në Tiranë:
Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.
Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Udhëheqja politike shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi.

Pasi mazhoranca socialiste bashkë me 3 deputetët e Partisë Socialdemokrate rrëzuan në Kuvend me 82 vota kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Komisioni Europian në një reagim për Report Tv tha se "BE-ja mban shënim rezultatet e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë."
Gjithashtu, në reagim thuhej se "angazhimi për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian."
Reagimi i plotë i Komisionit Europian për Report Tv:
BE-ja mban shënim rezultatet e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë.
Angazhimi për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Ambasada e Holandës në Shqipëri ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 82 votat e mazhorancës dhe deputetëve të Partisë Soclaldemokrate kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, duke i hequr imunitetin parlamnetar. Ambasada holandeze thotë në reagimin e saj "Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta."
Reagimi i plotë:
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar këtë proces.

Pas deklaratave të ambasadës britanike e asaj gjermane, të cilat kërkonin që Prokuroria e Posaçme të mos pengohej në hetimin penal ndaj Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se "Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor".
Me 82 vota të mazhorancës dhe deputetëve të Partisë Socialdemokrate rrëzoi sot kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut. Në reagimin e tij, Rama thekson se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme u trajtua dhe u analizua me seriozitet në Kuvend.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%.
Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:
* Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian
* Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.
* Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.
* Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
* Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë.
Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë!
Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B
Ambasada e Gjermanisë në Shqipëria reagoi në rrjete sociale disa minuta pasi Kuvendi rrëzoi me 83 vota kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Belinda Ballukut.
Në reagim thuhet se kusht i domosdoshëm që Shqipëria të shënojë progres në rrugën e integrimit europian është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.
Ambasada gjermane thekson se edhe në raste si ky i Ballukut, ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa.
Reagimi i ambasadës gjermane:
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron:
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.
Ambasada Britanike në Tiranë shkoi se imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike dhe se në asnjë formë nuk duhet të bëhet pengesë për llogaridhënie të barabartë përpara ligjit.
Reagimi i Ambasadës Britanike Tiranë
"Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkruhet në postimin e Ambasadës Britanike.












