Gramoz Ruçi – Unë do të kërkoja është që të mos bëhen asnjëherë ndryshime të njëanshme në Rregullore, pasi ajo është Kushtetuta e të gjithëve. Askush të mos mendojë që ta bëjmë Rregulloren në mënyrë të njëanshme! Nëse dikush do ta përdorë politikisht këtë problem, nuk ka të drejtë, sepse në radhë të parë bën autogol, sepse Kushtetuta ka marrë 140 vota, ndërsa Kodi Penal ka marrë 84 vota dhe i kanë votuar si pozita, ashtu edhe opozita. Si rrjedhim, ne jemi të detyruar ta implementojmë.
LSI kundërshton këtë praktikë me argumentin se kurrsesi Këshilli i Mandateve nuk mund të kthehet në Gjykatë për të vlerësuar provat.
Nasip Naço – Kërkohen prova në këtë komision, gjë që është e papranueshme që ky komision të kthehet në një gjykatë, pra as sot, as nesër. Personalisht, një herë, nuk kam për ta votuar. Janë shtuar gjëra që këtë komision e kthejnë në gjykatë: t’i bëjmë pyetje prokurorit, t’i bëjmë pyetje deputetit, çka i bie që ne të shqyrtojmë provat, por nuk jemi ne organi që gjykon provat. Pra, nëse u hap një herë ky debat, u hap një praktikë me zotin Tahiri dhe të vazhdojmë në këtë rrugë është më e gabuara.
Edhe PD deklaron votën kundër, me të njëjtat argumente si ato të LSI-së.
Dhurata Çupi Tyli – (...) ne nuk mund të përdoremi dhe vota jonë nuk mund të përdoret për të marrë dhe për të shfrytëzuar propagandën e radhës se u miratua Kodi i Etikës, në mënyrë krejt urgjente, pra ashtu siç keni edhe ju dëshirë, me procedura të përshpejtuara dhe të veçanta. Doni ta votoni, votojeni me 71 vota, i keni votat; presionin e votave e përdorni në çdo takim, në çdo mbledhje. Tani, në qoftë se ju doni të ndryshoni Rregulloren dhe e vetmja pikë e saj është që të vijë prokurori aty dhe t’i bëhet gjyq, besoj se kjo bëhet qesharake. PS i ka depozituar propozimet në janar, me argumentin se ndryshimet janë të pashmangshme pasi Rregullorja e Kuvendit, bie ndesh me Kushtetutën e re dhe me Kodin e ri të Procedurës Penale.
Debatet në mbledhjen me dyer të mbyllura
Gramoz Ruçi – (....) E dyta, është në lidhje me ndryshimet e Rregullores që kemi bërë në një mbledhje të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që e shtymë. Jua theksoj edhe një herë, se nuk është kjo pikë për t’u diskutuar. Ka plot probleme të tjera Rregullorja jonë. Kur të bini dakord si forca politike, unë jam gati këtu të mblidhemi dhe t’i implementojmë propozimet e ndryshme që keni, por ajo që unë do të kërkoja është që të mos bëhen asnjëherë ndryshime të njëanshme në Rregullore, pasi ajo është Kushtetuta e të gjithëve. Askush të mos mendojë që ta bëjmë Rregulloren në mënyrë të njëanshme!
Ne, shqiptarët, vuajmë nga një gjë: kur jemi në opozitë, kërkojmë ta bëjmë Rregulloren për të favorizuar opozitën, kur jemi në pushtet kërkojmë të bëjmë Rregulloren për të favorizuar pushtetin, pa e ditur që sot jemi në opozitë dhe nesër vijmë në pushtet dhe sot jemi në pushtet dhe nesër kthehemi në opozitë. Prandaj kërkohet që Rregullorja të jetë me konsensus. Ajo miratohet duke pasur një kuorum prej 71 deputetësh dhe mund të miratohet edhe me 71 vota. Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për një gjë: ai draft nuk ka se si të bëhet arenë e qëndrimeve politike apo partiake në parlament. Pse? Për atë draft strukturat e Kuvendit thjesht kanë marrë dhe kanë implementuar ndryshimet kushtetuese që kemi bërë në Kushtetutë dhe në Kodin Penal, të cilat i kemi bërë me konsensusin e të dyja palëve. Nuk ka asnjë kuptim që kur neni aktual 118 të thotë kështu, Kushtetuta të thotë kështu, do të ndryshojë kështu siç thotë Kushtetuta dhe këtu nuk vend për diskutim dhe për ta përdorur politikisht këtë problem.
Nëse dikush do ta përdorë politikisht këtë problem, nuk ka të drejtë, sepse në radhë të parë bën autogol, sepse Kushtetuta ka marrë 140 vota, ndërsa Kodi Penal ka marrë 84 vota dhe i kanë votuar si pozita, ashtu edhe opozita. Si rrjedhim, ne jemi të detyruar ta implementojmë.
Sigurisht, kur vjen puna për të diskutuar, jua kam thënë edhe radhën e parë, nëse Kodi i Procedurës Penale thotë se kërkesa e Kryetarit të Kuvendit kur ka ndalime, hetime deputetësh e të tjera e të tjera, Rregullorja aktuale thotë: ia drejton Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa Kodi i Procedurës Penale thotë: ia drejton çdo prokurori.
Sigurisht, për një Kryetar Parlamenti normal prevalon Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës
Penale, apo jo? Pse të mos unifikohen Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale dhe Rregullorja? Kaq. Asnjë fjalë më shumë, asnjë fjalë më pak. Prandaj, ju lutem shumë, ta shikoni edhe këtë çështje! Moza, draftin që më keni sjellur mua, siç është neni i Rregullores sot, ç’thotë Kushtetuta për këtë nen dhe si do të riformulohet neni i Rregullores, në zbatim të Kushtetutës dhe të Kodit të Procedurës Penale, jepua të gjithë anëtarëve të Këshillit me qëllim që kur të vijë momenti, të jemi të gjithë të gatshëm për të diskutuar! Urdhëroni!
Nasip Naço – (...) Për sa i përket ndryshimit të Rregullores, ju thoni që janë marrë parasysh ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Në dijeninë time, për aq sa e kam parë, ndryshimet e Rregullores, që na janë dhënë në seancën e kaluar, nuk kanë qenë vetëm kaq, por nga leximi i atij projekti duket qartë se ky komision do të kthehej në një gjykatë me ato ndryshime. Pra, aty parashikohet që mund t’i bësh pyetje prokurorit, mund t’i bësh pyetje këtij...
Domethënë, kërkohen prova në këtë komision, gjë që është e papranueshme që ky komision të kthehet në një gjykatë, pra as sot, as nesër. Personalisht, një herë, nuk kam për ta votuar nëse do të ketë ndryshime nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës, madje këtë mendim timin ia kam kaluar edhe Grupit Parlamentar të LSIsë.
Nëse ndryshimet do të jenë në Kodin e Procedurës, që janë normale dhe kanë ardhur këto ndryshime, apo edhe në Kushtetutë, sigurisht do t’i votojmë. Nëse do të futen bashkë me këto nene edhe nene të tjera, për ta kthyer në arenë këtë komision dhe parlamentin, ne jemi gati për ta kthyer edhe në arenë. Por, në dijeninë time, janë shtuar gjëra që këtë komision e kthejnë në gjykatë: t’i bëjmë pyetje prokurorit, t’i bëjmë pyetje deputetit, çka i bie që ne të shqyrtojmë provat.
Sigurisht, ligji, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës thonë se shoqërohet me një relacion, me provat e paraqitura, por nuk jemi ne organi që gjykon provat. Pra, nëse u hap një herë ky debat, u hap një praktikë me zotin Tahiri dhe të vazhdojmë në këtë rrugë është më e gabuara. Mjafton të lexosh vendimin e Komisionit të Venecias për ta kuptuar çdokush qartë se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk e jep votën vetëm kur ka të bëjë me interferenca politike. Në rastet e korrupsionit e të tjerë, sigurisht që çdo kërkesë e ardhur do të gjejë mbështetjen e Grupit Parlamentar të LSI-së.
Dhurata Çupi Tyli – (...) ne nuk mund të përdoremi dhe vota jonë nuk mund të përdoret për të marrë dhe për të shfrytëzuar propagandën e radhës se u miratua Kodi i Etikës, në mënyrë krejt urgjente, pra ashtu siç keni edhe ju dëshirë, me procedura të përshpejtuara dhe të veçanta.
Jam e mendimit se kjo nuk duhet të miratohet me këtë lloj procedure, as të veçantë apo të përshpejtuar, por duhet diskutuar, sepse nuk bëhet fjalë... Nëse doni ta votoni, votojeni me 71 vota, i keni votat; presionin e votave e përdorni në çdo takim, në çdo mbledhje, ku thoni: “Duam, e miratojmë” dhe e miratoni vetë. Doni ta miratoni, miratojeni, sepse ne nuk kemi shqetësimin e atleteve të Kryeministrit apo bluzën e Kryeministrit në seancat plenare, me stampat e partisë në pushtet. Ky është shqetësimi më i vogël. Shqetësimi është respektimi i opozitës dhe i çdo deputeti të saj në atë seancë, ku i mbyllet fjala, ku nuk lejohet të diskutohet, kur nuk i merret mendim për çështjet më themelore, kur Prokurori i Përgjithshëm votohet me 69 vota. Këto janë çështjet që duhet të diskutohen.
Ne e dimë fjalorin e tmerrshëm që përdoret atje, ne i dimë fyerjet që bëhen ndaj zonjave deputete apo zotërinjve deputetë, ne e dimë që nuk respektohen deputetët e opozitës. Kështu që, shqetësimi sot nuk është Kodi i Etikës apo, për ta thjeshtuar, nuk është shqetësim sot nëse Kryeministri vesh atlete apo këpucë.
Tani, në qoftë se ju doni të ndryshoni Rregulloren dhe e vetmja pikë e saj është që të vijë prokurori aty dhe t’i bëhet gjyq, besoj se kjo bëhet qesharake. Çdo shqiptar e kupton se miratimi ose jo i Rregullores apo i Kodit të Etikës nuk është qëllimi juaj, por ju doni të bëni propagandën e radhës. Ndaj, mendoj se Partia Demokratike nuk mund të bëhet pjesë e kësaj propagande tuajën. Doni ta votoni, votojeni, jeni të lirë, keni 71 vota dhe mund t’i votoni vetë.
d.b/shqiptarja.com