Arrestimi i Doshit e Frrokut, Basha
"Larje hesapesh e Metës e Ramës"     

Arrestimi i Doshit e Frrokut, Basha<br />
TIRANE - “Larje hesapesh mes Ramës, Metës, Tahirit, Doshit e Frrokut”.  Këtë qëndrim mbajti kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndaj vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Por pavarësisht se organi i akuzës në tre javë hetime nxori konkluzionit se pretendimi i Doshit për një atentat ndaj tij të urdhëruar nga Meta ishte i inskenuar, Basha këmbënguli në dorëheqjen e kryeparlamentarit. Në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike lideri i opozitës tha se me Metën në krye të Kuvendit, e vërteta rreth historisë së atentatit që pretendon Doshi, nuk do të mësohet kurrë.

“I akuzuari kryesor vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy në Kuvend. Kryeministri Rama, zoti Meta, Saimir Tahiri, paralajmëruan një mbyllje të shpejtë të hetimit. Pyetjet mbeten nëse Rama, Meta, Tahiri e dinin këtë prej gjashtë muajsh pse nuk e bënë këtë para gjashtë muajsh pse nuk kërkuan transparencën para gjashtë muajsh dhe çështja do të mbyllej. Pse e lanë Fajton Skënderaj të ikte në Gjermani dhe shkuan e morën vetë e kthyen në Shqipërisë. Sa kohë Meta vazhdon në krye të Kuvendit e vërteta do të mbetet e strukur”, u shpreh Basha.
 
Basha: Do te vijojme protestat per doreheqjen e Metes

Në këto kushte, Basha tha se protestat e opozitës do të vijojnë dhe se kërkesa për dorëheqjen e Metës do të jetë sërish kauzë e tyre.
 
“Protestat do të vazhdojnë për dekriminalizimin, një kauzë që s’e ka shqiptuar dot as Meta as Rama. Kjo aferë shkon përtej atyre 5 individëve, është kauza e shqiptarëve, për të cilët jemi ngritur në protesta. Krimi është ulur në poltronët e shtetit, papërgjegjshmëria është ulur në prehrin e krimit. Shqiptarët të bashkohen më shumë dhe më fortë se kurrë. Pa pikë dyshimi po, do vazhdojmë me kërkesën për dorëheqjen e Metës”, tha Basha.

Kerkesa per arrestimin e Doshit e Frrokut, Basha: Cdo kush duhet te jape pergjigje para drejtesise
Në deklaratën e tij Basha la të nënkuptohet se opozita është pro arrestimit të Doshit dhe Frrokut, duke lënë të nënkuptuar gjithashtu se deputetët e opozitës do të votojnë pro heqjes së mandatit te dy deputeteve te akuzuar në Kuvend.

“Unë përshëndes çdo vendim të institucioneve të vendit që nuk pengohen për të trajtuar të barabartë para ligjit këdo. Është e paimagjinueshme që të hedhim hap për të bllokuar hetimet, hetimet duhet të bëhen të plota, çdo kush duhet të japë përgjigje para drejtësisë”, tha Basha.

Protestat e opozites dhe vendimi i Prokurorise
Prej ditësh opozita nisi protestat para Parlamentit, madje edhe dy herë në ditë për të kërkuar largimin e Metës nga drejtimi i Kuvendit. Protestat e saj u mbështetën mbi akuzat që ish-deputeti socialist Tom Doshi bëri për kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, duke e akuzuar atë si porositës për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi.
 
Prokuroria prej dy javësh ka shqyrtuar këtë kërkesë dhe vetëm sot ka marrë këtë vendim:
 
“Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën