Arrestimi i dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë Tom Doshi dhe Mark Frroku ditën e djeshme, ka bërë jehonë dhe në mediat ndërkombëtare si Reuters, Afp, Abc News etj.
 
 Agjencia e lajmeve Reuters raporton se arrestimi i dy deputetëve shqiptarë erdhi pas akuzave të tyre ndaj implikimit të zyrtarit qeveritar në një komplot të dyfishtë vrasjesh. Ndërsa sqaron se më herët parlamenti u kishte hequr imunitetin për t’i lënë dorë të lirë prokurorisë për hetimet ndaj tyre, Reuters shkruan se anëtarët e vendeve të NATO-s ishin mbërthyer nga akuzat e ngritura prej deputetit të partisë socialiste në pushtet Tom Doshi dhe Mark Frroku i aleancës së Partisë Kristian Demokrate , me të cilët ka pasur akuza e kundër akuza të vazhdueshme në televizion e mediat sociale. Duke sqaruar më tej dinamikën e ngjarjeve ata sqarojnë se kreu i kuvendit, Ilir Meta, i akuzuar për komplotin e vrasjeve, nuk i pranon akuzat duke i konsideruara si të motivuara politikisht.
 
Në shkrimin e publikuar veçohet gjithashtu dhe fakti se opozita demokrate që mbështeti apelin e prokurorisë, nuk votoi në heqjen e imunitetit duke deklaruar se nuk donin të bënin pjesë në këtë “farse”. E njëjta linjë mbahet dhe nga mediat franceze AFP dhe Francë 24 sipas të cilave prokurori i vendit i quan akuzat të pabaza, e nëse akuzat e arrestimit të tyre për “dëshmi të rreme dhe kërcënim” vërtetohen, ata rrezikojnë të dënohen me mbi 5 vite burg. Ata nuk kanë lënë pa përmendur marrjen në pyetje të zyrtarëve të lartë të vendit përfshirë dhe kryeministrin Rama dhe faktin se këto akuza shihen nga opozita si shpifje për “destabilizimin e vendit”, në një kohë që Brukseli kërkon që Tirana zyrtarë të bëjë më shumë mbi luftën ndaj krimit të organizuar dhe reformave në drejtësi.
 
ABC News nga ana tjetër sqaron me detaje komplotin duke përmendur dhe shifrën për planifikimin e këtyre vrasjeve, bazuar në akuzat e Doshit. Associated Press që luan të njëjtën linjë raportimi veçon faktin se arrestimet e dy deputetëve u transmetuan live nga televizionet lokale dhe i kushton vëmendje gjithashtu dhe protestave të opozitës dhe kërkesave për shkarkimin e tij nga detyra.
 
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)