Ministrja e Jashtme Olta Xhacka, do të takohet me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Vassilis Kaskarelis, në lidhje me rastin e Fredi Belerit. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek Vassilis Kaskarelis, në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se takimi do të zhvillohet në Oslo, për të ngritur çështjen e lirimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës.

“Në orët në vijim do të takohem me Ministren e Jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka në Oslo, për të ngritur çështjen e lirimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe partnerit të tij Pandeli Kokaveshit”, thotë Kaskarelis në postimin e tij.

Mediat greke thonë se ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, së fundmi është takuar me Belerin dhe Kokaveshin dhe ka pasur komunikim të vazhdueshëm me familjet dhe avokatët e tyre.

Fredi Beleri, i cili fitoi bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 majit, ndodhet në burg që prej datës 12 maj pasi akuzohet se ishte duke blerë vota. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.