Në Venezuelë, familjet e të burgosurve politikë shpresojnë që situata e re politike në vend pas kapjes dhe arrestimit të Presidentit Nicolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara do të çojë në lirimin e tyre.
Në këtë kontekst, ideja e një amnistie të përgjithshme po fiton përsëri terren.
"Situata është konfuze, por në të njëjtën kohë premtuese", raporton El Pais nga Karakasi, duke vënë në dukje se "në këtë kohë, po bëhen përpjekje në nivelet më të larta për ta sjellë çështjen në plan të parë", shkruan La Stampa.
Sipas disa burimeve, presidentë, ministra, ish-presidentë dhe figura të tjera me ndikim po bëjnë thirrje në këtë drejtim, ndërsa familjet e të burgosurve janë mobilizuar gjithashtu.
I pari që foli, disa orë pas rënies së Maduros, ishte Edmundo Gonzalez, kandidati i cili, sipas vëzhguesve të zgjedhjeve dhe organizatave ndërkombëtare, fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale në korrik 2024. "Normalizimi i vërtetë i vendit do të jetë i mundur vetëm kur të lirohen të gjithë venezuelianët e privuar nga liria për arsye politike, pengje të vërteta të një sistemi persekutimi", deklaroi Edmundo.
Një nga të burgosurat më të njohura është Rocio San Miguel, një analiste dhe eksperte prestigjioze e Ushtrisë Bolivariane. Ajo u arrestua në shkurt të vitit 2024 me akuzën e pjesëmarrjes në një komplot për të vrarë Maduron, një akuzë që organizatat e të drejtave të njeriut do ta përdorin si të rreme.
"Shpresojmë që ajo të lirohet së shpejti. Është paksa konfuze, por besojmë se është koha e duhur që kjo të ndodhë", tha Mini Diaz Paruta, kunata e saj. OJQ-të e të drejtave të njeriut numërojnë gati 1,000 të burgosur politikë në Venezuelë dhe kanë bërë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm si një hap i parë drejt një tranzicioni politik.
Burgjet venezueliane janë mbipopulluar me të burgosur politikë gjatë dekadës së fundit, periudhës së tensionit të shtuar politik nën administratën Maduro. Ndër të burgosurit më të shquar janë aktivistët e të drejtave të njeriut Javier Tarazona, Carlos Julio Rojas, Eduardo Torres dhe Kennedy Tejeda, si dhe San Miguel.

Delcy Rodriguez duke bërë homazhe në varrin e Hugo Chavez
Me të marrë detyrën e re pas kapjes së Nicolas Maduros dhe të shoqes nga forcat amerikane, presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez vizitoi varrin e Hugo Chavezit. E shoqëruar me një shpurë zyrtarësh ku përfshihej i vëllai Jorge Rodriguez që është edhe president i Asamblesë Kombëtare, kryetarja e bashkisë së Karakas, Carmen Melendez dhe admirali Anibal Coronado, Delcy Rodriguez nënvizoi besnikërinë ndaj idealeve dhe vendosmërisë për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe të paqes në vend"
Rodriguez u betua në parlament si presidente në detyrë e vendit mbrëmjen e së hënës, dy ditë pasi forcat Delta të SHBA-ve, kapën Nicolas Maduron dhe të shoqen dhe i vunë para drejtësisë në New York
Rodriguez, e cila ka sinjalizuar se do të jetë bashkëpunuese me Washingtonin, u tha ligjvënësve në parlament se po e bëntë këtë hap 'në emër të të gjithë venezuelasve".
Komente










