2 policë të Komisariatit janë arrestuar nga ana e ShÇBA-së. Pas hetimeve të kryera nga Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe prokuroria e Vlorës, Gjykata vendosi masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, ndaj dy punonjësve të policisë.
 
Nën komisar Bujar Arapi, me detyrë Përgjegjës Shërbimesh në seksionin e qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe komisari Ilirjan Rokaj, me detyrë shef seksioni për Autopatrullat e Përgjithshme dhe Shërbimeve ndaj të tretëve në sektorin e rendit pranë D.P.Q Vlorë akuzohen pët shpërdorim detyre.
 
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se Arapi dhe Rokaj në 7 raste kanë bllokuar në pikën e bllokimit Triport, Vlorë, automjete të cilat kishin kryer aksidente të ndryshme automobilistike me pasojë dëmtime fizike në njerëz dhe këto mjete të bllokuara, më pas janë lënë të lira duke shkelur çdo proçedurë në rastet kur veprohet me to.
 
Nga veprimet hetimore të kryera është provuar se në të gjitha rastet e aksidenteve të ndodhura, megjithëse janë kryer veprimet e para proçeduriale nga oficerët e policisë gjyqësore Bujar Arapi dhe Ilirjan Rokaj, nuk është bërë referimi i këtyre materialeve hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)