Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Graqanicë tre persona që po distribuonin fletëpalosjet e fushatës së EULEX-it, e cila ka filluar dje në Kosovë, duke dyshuar se janë aktivistë të Vetëvendosjes.
‘Kanë menduar se jemi aktivistë të Vetëvendosjes, mbase për shkak të motos së fushatës e cila thotë se ‘EULEX nuk ka bërë asgjë’”, tha kontraktori i misionit të BE-së për sundimin e rendit dhe të Ligjit, Arben Osmani.
Sipas tij tre distributorët e fletushkave janë dërguar në stacionin e Policisë në Graçanicë, ku janë mbajtur për afro 10 minuta.
“Janë sjellur telefonat dhe është qartësuar se aktivistët nuk janë pjesëtarë të Vetëvendosjes që po bëjnë fushatë kundër EULEX-it, por se janë persona të kontraktuar për të distribuuar materialin informues të tij nëpër komunat e Kosovës.
Ndryshe, EULEX –i dje ka filluar fushatën informuese, e cila po zhvillohet në të gjitha komunat e Kosovës, ku po shpërndahen rreth 36 mijë fletushka që përmbajnë informatat përkitazi me atë që bën EULEX në Kosovë.

“EULEX-i nuk është duke bërë asgjë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta” është slogani i fushatës së re e cila sapo ka filluar të emetohet në stacionet televizive në Kosovë. Spoti i kësaj fushate është duke u transmetuar në të gjitha televizionet kryesore, kurse në tërë Kosovën janë duke u shpërndarë më shumë se 35,000 fletushka me të njëjtën porosi si dhe fanella dhe freskues ajri për makina në mbështetje të Agjencisë Kosovare Kundër korrupsionit.”

/rg/shqiptarja.com/