Një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban është arrestuar nën dyshimet për mashtrim ekonomik. Bëhet fjalë për Gyorgy Matolcsy, ish-guvernatorin e Bankës Qendrore të Hungarisë, të cilin Orban dikur e kishte quajtur “krahu im i djathtë”.
Sipas prokurorisë hungareze, Matolcsy dyshohet se u përpoq të siguronte kontrollin mbi pasuri me vlerë rreth 547 milionë euro, në mënyrë që ai dhe djali i tij të mund të kryenin investime për përfitime personale. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende sa është dëmi financiar.
Ish-guvernatori u ndalua të mërkurën (21 tetor), ndërsa për djalin e tij, Adam Matolcsy, është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person, Gyorgy Stofa.
Sipas Financial Times dhe Daily News Hungary, hetimet përqendrohen te një marrëveshje e nënshkruar në shkurt 2025, pak përpara largimit të Matolcsyt nga drejtimi i Bankës Qendrore.
Prokuroria dyshon se përmes kësaj marrëveshjeje u tentua që pasuritë e një fondacioni të lidhur me bankën të viheshin nën kontrollin e njerëzve të ish-guvernatorit edhe pasi ai të largohej nga posti.
Bëhet fjalë për fondacionin PADME, pasuritë e të cilit administroheshin përmes një strukture investimesh. Marrëveshja përfshinte kompaninë Optima dhe fondin Central European III Private Equity Fund, të përfaqësuar nga Quartz Befektetési Alapkezelő.
Sipas prokurorisë, marrëveshja për huadhënien e titujve financiarë u përdor për të transferuar kontrollin mbi një shoqëri që administronte pasuri me vlerë tregu rreth 200 miliardë forinta hungareze, ose afërsisht 547 milionë euro.
Matolcsy dyshohet për mashtrim ekonomik që ka shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare dhe për përdorimin e një dokumenti privat të falsifikuar.
Ai u mor në pyetje për disa orë të mërkurën, por nuk dha deklarime lidhur me dyshimet ndaj tij, sipas avokatit Pal Batki. Pas marrjes në pyetje, ish-guvernatori u transferua në ambientet e ndalimit të policisë.
Prokuroria ka kërkuar që ai të mbahet në paraburgim, ndërsa vendimi pritet të merret nga gjykata. Në kuadër të të njëjtit hetim janë ndaluar edhe dy persona të tjerë.
Hetimet ndaj Matolcsyt lidhen edhe me investimet e kryera gjatë kohës kur ai drejtonte Bankën Qendrore. Institucioni investoi më shumë se 1.5 miliardë euro nga të ardhurat e një skeme konvertimi valutor.
Sipas hetimeve të Zyrës Shtetërore të Auditimit dhe vetë Bankës Qendrore, nga këto investime përfituan disa persona të afërt me ish-guvernatorin, përfshirë djalin e tij.
Matolcsy dhe djali i tij i kanë mohuar shkeljet.
Emri i ish-guvernatorit ishte përmendur edhe në qershor të këtij viti, kur u bë e ditur se kishte marrë rreth 483 mijë euro pas largimit nga drejtimi i Bankës Qendrore, në mars 2025.
Nga kjo shumë, rreth 345 mijë euro ishin kompensim për pushimet vjetore të pashfrytëzuara gjatë 12 viteve në detyrë. Rreth 136 mijë euro të tjera ishin kompensim për kufizimin ligjor që nuk e lejonte të punonte në institucione financiare për gjashtë muaj pas largimit nga posti.
Guvernatori i ri, Mihaly Varga, kishte urdhëruar një kontroll të brendshëm për të verifikuar nëse pagesat ishin llogaritur dhe kryer sipas ligjit dhe rregullave të bankës.
Matolcsy ka qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Orbanit në hartimin e politikave ekonomike të Hungarisë. Ai u bë ministër i Ekonomisë në vitin 2010 dhe më pas drejtoi Bankën Qendrore nga marsi 2013 deri në mars 2025.
Ish-guvernatori ishte arkitekti i modelit ekonomik të njohur si “Orbanomics”, i mbështetur te ndërhyrja e shtetit në ekonomi, taksat e larta ndaj kompanive të huaja dhe krijimi i një elite biznesi besnike ndaj qeverisë.
Ai është zyrtari më i lartë i ish-qeverisjes së Orbanit që është ndaluar që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit Peter Magyar, në maj të këtij viti.
Qeveria e Magyarit ka nisur një fushatë kundër korrupsionit, të quajtur Operacioni “Zjarri Spastrues”, në kuadër të së cilës janë arrestuar edhe dy ish-ministra dhe disa biznesmenë të afërt me Orbanin. Ndërkohë, ish-kreu i strukturës kundër terrorizmit përballet gjithashtu me akuza.
Qeveria ka ngritur autoritete të reja kundër korrupsionit, ka zëvendësuar drejtues të prokurorisë dhe ka zgjeruar kompetencat e institucioneve ekzistuese.
Partia Fidesz e Orbanit ka kërkuar që hetimet të zhvillohen në mënyrë të paanshme dhe pa presion politik, duke theksuar respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor.
Vetë Orban, gjatë një takimi me mbështetësit fundjavën e kaluar, deklaroi se është objektivi kryesor i qeverisë së re.
“Po më ndjekin mua, po kërkojnë rrugën që të çon tek unë. Po më qëllojnë me bazuka. Gjithçka që duhet të bëjnë të gjithë ata që janë arrestuar është të thonë se unë i kam urdhëruar dhe do të jenë të lirë të largohen, ndërsa unë do të përfundoj në burg”, deklaroi ish-kryeministri.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë edhe për sekuestrimin e dyshuar të paligjshëm të një autokolone ukrainase që transportonte para në mars, si dhe për të përcaktuar nëse Orban kishte dhënë urdhër për këtë veprim.
Nëse ndaj tij ngrihen akuza dhe shpallet fajtor, ish-kryeministri mund të përballet me disa vite burg. Ai i ka hedhur poshtë pretendimet, duke e cilësuar çështjen si përndjekje politike.











Komente
Komento