DURRËS- Elvis Gaçaj 44 vjeç i cili ra në prangat e policisë ditën e sotme. pritet të jetë personi i parë, ndaj të cilit do të aplikohen ndryshimet e Kodit Penal, për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit atij iu gjet një armë pa leje, dhe tani rrezikon 15 vite heqje liri ashtu siç parashikon Kodi i ri Penal, i cili hyri në fuqi ditën e djeshme. Gaçaj është një emër i njohur për drejtësinë për një sërë veprash penale. 

Arrestimi i tij është bërë në rrugën "Taulantia" në Durrës, i cili ka qenë duke udhëtuar bashkë me nje person tjetër.

Klajdi Driza, që ishte në drejtimin e automjetit sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi, por është bllokuar nga uniformat blu, ku është vënë në pranga bashkë me Elvis Gaçajn, që ishte pasagjer.

Gaçaj është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprat penale kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa ai ishte edhe me masë sigurie "Arrest në shtëpi".

Klajdi Driza, është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje. Driza akuzohet për veprat penale "Moskallëzimi i krimit "dhe "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë CZ çeke, dy krehër me 26 fishekë kalibër 9 mm dhe automjeti tip BMW.

Kush është Elvis Gaçaj

Në Prill të këtij viti ai u arrestua së bashku me Leonard Dukën në Tiranë, ndërsa armën e hodhën nga ballkoni i banesës sapo konstatuan policinë.

Elvis Gaçaj, ne 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek "Lulishte 1 Maji" në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos.  Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i dispononte dhe financonte me lëndë narkotike.

Në atentatin tek Lulishte "1 Maji"  u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg.

Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu. Gaçaj akuzohet se ka kryer një vrasje në vitin 1992 dhe një plagosje në vitin 2008.

Elvis Gaçaj

Pistoleta e sekuestruar nga policia