DURRES - Arrestohet kapiteni ukrainas Volodomir Demakov i anijes ‘Era-1’, në të cilën një ditë më parë në portin e Durrësit u sekuestruan 47 ton cigare kontrabandë.

Arrestimi i Demakov vjen pas hetimeve të bëra nga hetuesit e Drejtorisë së Përgjithshme te Doganave ku rezultoi se kjo anije është përfshirë në transportimin e cigareve si një mall kontrabandë, sasi prej 47 ton e destinuar për t’u futur e më pas tregtuar në Shqipëri.

Në itinerarin e saj, anija që ishte nisur nga Greqia, kishte si destinacion Malin e Zi ndërsa qëndroi 1 ditë në portin e Vlorës si rezultat i motit të keq. Pas përmirësimit të motit anija me flamurin e Tanzanisë u largua nga porti i Vlorës pa njoftuar autoritetet portuale për t’u ndalur në portin e Durrësit nga autoritetet doganore, ku iu nënshtrua një kontrolli pas dyshimeve lidhur me ngarkesën që ajo mbante.

Pas kontrollit në bordin e anijes u gjet sasia e cigareve kontrabandë, ku kapiteni së bashku me stafin e tij kishin planifikuar t’i shkarkonin në Durrës, dhe jo siç rezultonte në dokumentacionin e tyre me destinacion përfundimtar Malin e Zi. Aktualisht po punohet dhe për identifikimin e personave që kishin porositur cigaret kontrabandë si dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve në Shqipëri.

Për sasinë e cigareve të sekuestruara ka reaguar dhe kryeministri Rama, i cili me anë të një shënimi në Facebook tha se doganat shqiptare nuk mund të blihen me para siç ka ndodhur në të shkuarën.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)