BERAT – Artur Zotkaj, vëllai i kryetarit të bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj (ne foto), kapet me drogë. Ai u arrestua nga policia si pjesë e një grupi që kultivonin dhe shisnin lëndën narkotike. Policia e Beratit zbuloi në biznesin e Artur Zotkajt 19 kilogramë marijuanë.
 
Bashkë me vëllain 46-vjeçar të kryebashkiakut, në pranga ranë edhe Kreshnik Hasenbelli 24 vjeç, Abedin Nurellai, 38 vjeç dhe Destared Allko 23 vjeç, banues në Poliçan.
 
Finalizimi i operacionit antidrogë të koduar “Pronovik” erdhi pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim të policisë me Prokurorinë. 46-vjeçari kishte disa magazina në fshatin Provnik ku u gjet lënda narkotike nga forcat e policisë, të cilat prej kohësh ishin duke hetuar për këtë person.  Lënda narkotike ishte e paketuar dhe e presuar e bërë gati për tregun vendas.

Mësohet se, Artur Zotkaj, është pronar i një fabrike të përpunimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm.

Në kuadër të këtij aksioni u shpall në kërkim një 22-vjeçar nga Poliçani me inicialet E.H si bashkëpunëtor i këtij grupi.
 
Ata akuzohen për  veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)