Është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Ilha Bela të Brazilit Ervin Mata. Policia njofton se ai kishte përdorur dokumenta të falsifikuara angleze, për t’ju fshehur autoriteteve braziliane.

Urdhër-arresti ndaj biznesmenit Ervin Mata ishte lëshuar nga Gjykata e Lartë Federale në Brazil (vend ku ai ishte zhvendosur), ndërsa shteti shqiptar kërkonte arrestimin e tij që nga viti 2023. Arrestimi i tij në Brazil është bërë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Urdhri për arrestimin e tij ishte lëshuar nga gjyqtari Alexandre de Moraes, i Gjykatës Federale të Lartë të Brazilit, ndërsa në vendim thuhet: “Unë dekretoj arrestimin paraprak të Ervin Mata-s, duke urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti, përmbushja e të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj GJYKATE SUPREME, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit të interesuar”.

Ervin Mata është shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 me urdhër të SPAK për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, me aktivitet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë. Mata në të njëjtën kohë, është lidhje krushqie me Erzen Breçanin (ish-zv.drejtori i Policisë së Tiranës), të cilit i ka dhënë motrën për djalin e madh. Djali i Erzen Breçanit dyshohet se ishte pjesë e grupit të Matës, për kryerjen e trafiqeve të lëndëve narkotike. Eralbi Breçani u vetëdorëzua në Policinë e Spanjës në prill të këtij viti.

Sipas SPAK grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të trafikimit të lëndeve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve të Europës. Po ashtu, grupi kriminal ku ai bënte pjesë, dyshohet edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.

Mata është i njohur për drejtësinë edhe pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Asokohe, pati një sherr mes anëtarëve të dy grupeve rivale, konflikt që përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës.

Bëhet fjalë për 4 raste sekuestrimi droge
Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Si rezultat i partneritetit të ngushtë me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, finalizohet një tjetër fazë e operacionit “The Wanted”.

Akuzohet se koordinoi pjesëtarët e grupit kriminal ku bënte pjesë, për trafikimin e 240 kilogramëve Kokainë, arrestohet në Brazil, 39-vjeçari.

39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.

Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve.

Si rezultat i shkëmbimit dhe koordinimit të informacioneve, në kohë reale, ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u kap në Brazil, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 39 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Në vitin 2023, gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.

Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri

Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtoret e tij, për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike Kokainë, më datë 29.09.2020.

39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M., në Shqipëri.

Lajm në përditësim...

-----------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:36
Në kërkim për trafik ndërkombëtar droge, momenti i arrestimit të Ervin Matës në Brazil! Me dhjetëra efektivë pjesë e operacionit (VIDEO)

 

Kanë dalë pamjet nga momenti i arrestimit të biznesmenit Ervin Mata në Brazil. Nga pamjet duket se me dhjetëra efektivë dhe disa makina policie kanë marrë pjesë në operacionin për prangosjen e tij.

Mata ishte shpallur në kërkim nga SPAK që në vitin 2023, për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se kishte trafikuar tonelata me kokainë nga Amerika Latine drejt shteteve të Europës.

Ora 21:15
U arrestua në Brazil/ Nga krushqia me Breçanin, lidhja me Elvana Gjatën e te masakra e ish-Bllokut, kush është Ervin Mata

1777317487_xfgyujuuu.jpg

Emri i Ervin Matës, i arrestuar ditën e sotme në Brazil, u lakua publikisht për herë të parë mbrëmjen e 4 tetorit 2018, për masakrën e ndodhur në ish-Bllok.

Konflikti ndodhi në kushtet kur në lokal ishin Ervis Martinaj dhe Eljon Hate ky i fundit i njohur edhe me emrin Esmeraldo, dhe 2 persona të tjerë të paidentifikuar, ndërsa diku më larg Ervin Mata, e dashura e tij Elvana Gjata, Fabio Alushi, Meviol Billo si dhe 2 të tjerë ende të paidentifikuar. Rreth orës 21:30 në lokal shkoi Fabian Gaxha truproja i Ervis Martinit. Sapo e ka parë Mata i ka kërkuar të sqarohen për një ngacmim që i kishte bërë të dashurës së tij, këngëtares Elvana Gjata dhe një vajze tjetër të shoëbizit.

Duke parë tensionin pronari i lokalit Redi Popesku i kërkoi Elvanës të largohet. Sherri nisi kur Fabiani u afrua dhe Mata e ka goditur disa herë me grusht duke e ulur në tokë. Më pas në ndihmë të Fabianit erdhën Ervis Martini dhe Eljon Hate. Ky ishte momenti kur nisi shkëmbimi i zjarrit mes palëve dhe çasti kur Meviol Bilo një ekspert i armëve të zjarrit, qëlloi mbi grupin rival duke vrarë Fabian Gaxhan dhe duke plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haten.

Mata u dorëzua në Komisariatin e Policisë, 5 muaj pasi ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Kur u pyet, ai tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës. Ai shtoi se ishte larguar nga frika. Vetëm dy ditë pas vetëdorëzimit, Gjykata e la me detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori, e cila kishte kërkuar ndaj tij arrest me burg. Mbi Matën u ngritën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin 2023 Mata u shpall në kërkim si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash, mes tyre ish-kryepolici Erzen Breçani. Ky grup kriminal dyshohet për trafikimin e tonelatave me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Mata po ashtu është në krushqi me Breçanin, djali i të cilit i ka marrë motrën për grua.