Dy javë pas arrestimit të Julian Meçajt të bandës së Durrësit në Dubai, një tjetër emër i botës së krimit ka rënë në prangat e policisë në të konsideruarin “vendi më i vështirë në botë për ekstradime”.

Bëhet fjalë për Denis Brajoviç alias Bajri, i shpallur në kërkim në megaoperacionin “Metamorfoza” dhe më konkretisht për eliminimin e Gjin Boriçit në Vau Dejës më 9 gusht 2020, kërkuar si detyrë nga i zhdukuri Ervis Martinaj sepse po e konkuronte në fushën e lojërave të fatit.

Policia e Shtetit thotë se lokalizimi fillestar i tij është bërë nga agjentët shqiptarë, të cilët njoftuan homologët në Dubai, dhe më pas ata mundën ta prangosin 36-vjeçarin në operacionin që e koduan “Rishtas”.

Shqipëria do të tentoj të ekstradoj Denis Bajrin dhe për këtë do të përdor çdo praktikë të mundshme që ka rezultuar e suksesshme nga partnerët ndërkombëtar, ndërsa prej disa muajsh tashmë është dërguar drafti i përgatitur për një marrëveshje ekstradimi midis dy vendeve.

Deri në këtë fazë burime i thonë Report Tv se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kthyer përgjigje se drafti është marrë dhe po konsultohet, asgjë më shumë. Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri.

Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.

Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.