FIER-Policia ka arrestuar pronarin e pikës së furnizimit me gaz të automjeteve në fshatin Portëz që shpërtheu ditën e djeshme, ku fatmirësisht nuk pati asnjë të plagosur, por vetëm dëme të shumta materiale. I arrestuari është Sokol Meçe 62 vjeç. Sipas policisë në pikën e gazit ka rënë një zjarr dhe si pasojë ka pasuar shpërthimi, ku janë dëmtuar 6 banesa e godina përreth. Pronari akuzohet për "Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radiokative" dhe "Shkelja të rregullave të mbrojtjes në punë" e mbetur në tentativë.
Pronari i karburantit Sokol Meçe tha dje për Report Tv se "Ishte duke punuar punëtori dhe vë re një problem. U mundua të fikte atë dhe gazi po avanconte më tepër. Kur erdhi zjarrfikësja ai e kishte fikur çdo gjë. Pati dëme vetëm në disa llamarina. Ne reaguam menjëherë me fikëset e zjarrit. Edhe zjarrfikësja erdhi, por ne e kishim nën kontroll", u shpreh pronari Meçe.
Deklarata e pronarit të karburantit për Report TV
Ndërkohë gazetari i Report Tv, Kristaq Thano ka shkuar në vendin e gjarjes, ku ka raportuar se nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar 6 banesa dhe mes tyre ka qenë edhe një biznes, 'Bar Kafe' që për shkak të dëmtimeve të mëdha që ka pësuar është detyruar që të mbyllet deri në rregullimin e ambientet.
Lokalit në fjalë i janë thyer të gjithë xhamat. Të gjitha objektet e dëmtuara kanë qenë shumë pranë me impiantin e gazit që shpërtheu. Ndërkohë banorët e prekur nga shpërthimi kanë kërkuar dëmshpërblim ku sipas tyre shteti duhet të gjendet pranë tyre. "Më është dëmtuar porta poshtë, dera lart, janë thyer xhamat, kërkojmë të riparohen dëmet. Nga shpërthimi sa e dëgjuam dhe u larguam nga shtëpitë, kur u kthyem i gjetëm dyert të mbaruara kur u futa. Kërkoj ndihmë të m'i sjellin dyert sikur i pata" thanë banorët për Report Tv.