Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të enjten se qarkullimi i mjeteve paraqet vështirësi në aksin Krumë-Qafë Prush dhe Kukës – Peshkopi si pasojë e rrëshqitjeve masive.

Burime zyrtare të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për problematikën e raportuar në aksin Krumë-Qafë Prush, bëjnë të ditur se në këtë aks, në vendin e quajtur Bregu i Vlanës, vazhdojnë rrëshqitjet e masivit poshtë rrugës dhe si rrjedhojë edhe shkarje dhe shkëputje të trupit të rrugës.

Aktualisht prej disa ditësh kalimi në këtë segment kryhet në një korsi, por ARRSH vlerëson se kjo situatë mund të çojë drejt bllokimit të rrugës për qarkullim. Hedhja e materialeve inerte për të mbushur trupin e rrugës që ka rreshqitur, rrezikon të shkaktojë rrëshqitjen totale të masivit, si rrjedhojë e rritjes së ngarkesës.

Grupi i specialistëve të ARRSH ka konkluduar pas analizimit dhe inspektimit disaditor se situata paraqitet kritike, pasi shpati malor paraqet paqëndrueshmëri gjendje kjo e krijuar dhe nga dherat e rrëshqitjes të trupit të rrugës. Ndërkohë, ARRSH ben te ditur se do të njoftojë në kohë për situatën qytetarët dhe masat që do të merren për qarkullimin në këtë segment.

Në aksin Kukës–Peshkopi, segmenti Domaj–Bushtricë, ARRSH informon se pati çedim të trupit të rrugës, si pasojë e rrëshqitjes masive të skarpatës së rrugës. Në këtë aks ndodhet aktualisht grupi i punës së ARRSH-së për të verifikuar dhe vlerësuar nga afër situatën. Ndërsa bëhet e ditur se aksi i Rrugës së Kombit është i hapur me të katër korsitë e tij. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)