TIRANE, 4 Shkurt/ATSH/-Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të mërkurën mbasdite se në veri dhe verilindje të vendit për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta, disa akse rrugore paraqesin vështirësi për qarkullimin e mjeteve. Po ashtu, ARRSH informon se edhe në asket rrugore në jug të vendit ka probleme në qarkullimin e mjeteve për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve të disa akseve. Ne zonat veriore dhe juglindje të vendit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të ngricave të formuara.
Situata ne oren 15.00:
Tiranë
Ka patur reshje bore në aksin Qafe Priskë-Shëngjergj. Qarkullimi kryhet normalisht në gjithë akset e tjerë të këtij Qarku. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafë Priskë-Bizë. Të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.
Durrës
Nuk ka probleme në akset e ketij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, dhe të respektohet sinjalistika rrugore, pasi parashikohen reshje shiu të dendura gjatë ditës së sotme.
Elbasan
Në aksin Librazhd-F.Studë ka rreth 40 cm dëborë, po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Segmenti F.Studë- Steblevë është i bllokuar. Po punohet për hapjen e tij. Në segmentin Librazhd -Q.Thanë ka rreth 25 cm borë në të dyja anët e rrugës, por asfalti është i pastër. Aksi është i kalueshëm pa zinxhirë. Aksi Elbasan - Gjinar momentalisht është i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Segmenti Shelcan - Gjinar ka rreth 25-30 cm dëbore. Po merren masa për pastrimin. Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh - Kaçivel - Elbasan. Në aksin Elbasan-Cingare-Gramsh ka patur dalje dherash e gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e aksit dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Rënie gurësh e dherash ka patur edhe në Derven , në aksin Elbasan-Rrogozhinë. Eshtë pastruar aksi dhe qarkullimi kryhet normalisht. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Librazhd - F.Stude. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rëshqitje të rrugës. Të evitohet kalimi nga këto akse. Eshtë ndërprerë qarkullimi në këtë pikë të aksit Elbasan -Gjinar.
Berat
Në aksin Ura e Pilzës -Corovodë ka rënie gurësh në zonën e shkëmbit të "Selanit". Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të qarkut. Të bëhet kujdes me qarkullimin në akset ku ka rrëshqitje, si pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve.
Vlorë
Në qarkun e Vlorës ka reshje të dendura shiu. Aksi i vjetër Levan-Vlorë është i qarkullueshëm si pasojë e rënies së nivelit të Vjosës. Nuk dihet për sa kohë do të zgjasë kjo situatë, sepse në Gjirokastër ka reshje të shumta që mund të sjellin përsëri rritjen e nivelit të Vjosës. I bllokuar per momentin është edhe një pjesë e aksit Vlore - Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës. Në autostradën Levan-Vlorë, kanë ndodhur dy dëmtime si pasojë e reshjeve. E para ka ndodhur në krahun e majtë të rrugës në drejtim të Vlorës. Ka shkarë traseja, por pa prekur pjesën kaluese të autostradës. Problemi i dytë ka ndodhur te Ura e Mifolit, ku është dëmtuar mbushja pas shpatulles së urës. Nuk është prekur pjesa kaluese e rrugës.
Gjirokastër
Në Gjirokastër ka reshje të dendura shiu. Në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka rënie gurësh në rrugë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh dhe rruga është me një kalim. Po punohet për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë.
Korçë
Ka patur reshje të lehta dëbore, sidomos në akset e rrethit të Ersekës dhe zonat malore. Kompanitë e mirëmbajtjes kanë kryer kriposja e segmenteve apo pjesëve të veçanta të akseve rrugore, për të evituar problematikën. Situata po mbahet nën monitorim për orët në vazhdim. Të bëhet kujdes në qarkullim. Të gjitha mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë. Akset Korçë-Ersekë, Ersekë - Çarshovë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë, dhe K/Libonik-Grabove, qarkullohen të gjitha me zinxhirë.
Kukës
Përsëri ka patur shembje në aksin Traget - Lekbibaj, që kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Në aksin B.Curri - Valbonë ka reshje borë që kanë arritur trashësinë 130 cm. Vazhdon të punohet për ta mbajtur rrugën të hapur. Qarkullimi bëhet me një korsi dhe ndërrimi i mjeteve bëhet në xhepa. Të gjitha akset e Tropojës janë hapur dhe janë kriposur. Po mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë . Të tregohet kujdes në qarkullim si pasojë e borës dhe lagështisë në rrugë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin B.Curri - Valbonë.
Dibër
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun . Rrugët janë pastruar. Në aksin Skuraj - Burrel ka patur rënie dherash në rrugë, të cilat janë pastruar nga konrtaktori. Në Kalanë e DOdës, është duke rënë dëbore. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në pothuaj shumicën e akseve. Të bëhet kujdes , sepse nga rreshjet mund të shkaktohen rrëshqitje dherash.
Shkodër
Koha është me shi. Rrugët janë të gjitha të hapura. Në aksin Shkodër-Qafë Qele, në Ganjolle, për shkak të rrëshqitjes së dherave qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi të zgjeruar. Po punohet për ta bërë rrugën me dy kalime. Gjatë natës ka patur një rrëshqitje masive në km 2 të aksit Q.Laç - Koman. Eshtë bërë e mundur hapja e njerës korsi. Po punohet që të hapet edhe korsia tjetër. Rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullim, si pasojë e kohës me shira, të cilat mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe ngrica në rrugë. Të gjitha akset e Pukës qarkullohen pa zinxhirë.
Fier
Gjendja në akset e Fierit është normale. Vazhdon puna për pastrimin e autostradës nga mbetjet për shkak të vërshimit të ujërave. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të rrëshjeve dhe të respektohet sinjalistika rrugore.
Lezhë
Ka reshje shiu në të gjithë qarkun. Të gjitha akset janë pastruar . Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë./a.gjonaj//a.ke/










