Arsenal ka kaluar pa shumë në fazën e 1/16 të FA Cup. ‘Topçinjtë’ eliminuan me rezultatin e pastër 3-0 Oxfordin në transfertë, me golin e parë që erdhi në minutën e 63 nga Elneny. Më pas vulosi kualifikimin ‘dopieta’ e Nketiah, ndërsa në turin pasardhës do jetë menjëherë superpërballja me Manchester City-n.
Ndërkohë në Seria A Atalanta ka marrë 3 pikëshin në javën e 17, duke fituar 1-2 me përmbysje kundër Bologna-s. Në Dall’Aara vendasit kaluan në avantazh shumë shpejt, pasi mëngjarashi Orsolini ndëshkoi bergameskët në minutën e 6. Pjesa e parë do mbyllej me këtë rezultat, ndërsa sapo nisi e dyta Koopmeiners riktheu baraspeshën. Më tej goli vendimtar kishte autorësinë e Hojlund, i cili e ngjiti Atalantën në vendin e gjashtë me 31 pikë, po aq sa Lazio e vendit të pestë.
Sakaq sonte Interi do presë Parma-n në San Siro për fazën e 1/8 të Kupës së Italisë. Zikaltërit vijnë pas barazimit zhgënjyes me Monza-n dhe fitorja është detyrim për të ngjallur entuziazmin. Gjithsesi trajneri Inzaghi pritet të bëjë rrotacion në formacion, i detyruar në disa raste edhe nga dëmtimet. Nga minuta e parë përveç mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani priten edhe sulmuesit Lautaro Martinez dhe Joachim Correa.