Arsenal, edhe pse me vështirësi, ia ka dalë të ruajë kreun e Premier League edhe pas javës së 18 të kampionatit. ‘Topçinjtë’, në Fly Emirates, mposhtën me rezultatin e ngushtë 2-1 Brightonin. Vendimtar do të rezultonte goli i Odegard në minutën e 14, ndërsa për të pritur dyfishimin e rezultat u desh të kalonte gjatë. Në pjesën e dytë skuadrën e Arteta-s e nderoi një autogol i Rutter, ndërsa vetëm pak çaste më pas miqtë ngushtuan me Gomez.

Edhe pse pati disa minuta në dispozicion Brighton nuk ia doli të dilte me pikë nga kjo përballje.

Në krye të Premier League Arsenali u ngjit në kuotën e 42 pikëve, 2 më shumë se Manchester City që këtë të shtunë mposhti 1-2 Nottingham Forest. Pas pjesës së parë pa gola në të dytën të besuarit e Guardiolës zhbllokuan me Rijenders, ndërsa pa kaluar shumë vendasit barazuan rezultatin. Për City-n, heroin në këtë përballje do ta bënte Ryan Cherki, i cili siguroi 3 pikët.

Fitore mori edhe Liverpool, që duket se më në fund e ka kaluar totalisht krizën. Të besuarit e Slot ia dolën 2-1 kundër Wolves, duke siguruar suksesin e 3 radhazi në kampionat. Gravenberch dhe Ëirtz realizuan në pjesën e parë për vendasit, ndërsa në pjesën e dytë Bueno vulosi rezultatin përfundimtar të kësaj sfide. Në sfidën Burnley-Everton Broja u rikthye të luante titullar, por skuadra e tij nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0.

Në Seria A Lecce e Ylber Ramadanit u mposht 0-3 nga Como, ndërsa Torino e Kristjan Asllanit dhe Ardian Ismajlit, të cilët luajtën titullarë, u përmbysën 1-2 nga Cagliari.