Arshi Pipa: Mitologjia shqiptare 
ja pse në të mungojnë zotat

Arshi Pipa: Mitologjia shqiptare <br />ja pse në të mungojnë zotat
Mitologjia shqiptare, një temë mjaft joshëse për të huajt, u bë pjesë e diksionerit francez të mitologjive në vitin 1981. Arshi Pipa kishte përgatitur enkas për këtë botim një studim të përmbledhur mbi mitologjinë shqiptare, që ai e quan që në fillim  “mitologji e tipit pagan ballkanik”, por që dallohet nga të tjerët se “kjo mitologji nuk ka zota.

Hyjnitë janë të dorës së dytë dhe nuk kanë emra të përvetshëm, ose emri i tyre është kolektiv. Betohet për qiell e për tokë, thërritet dielli e hëna. Por janë vetëm personifikime elementesh ose sendesh fizike, jo persona”, shkruan Pipa.

Redaktori i këtij botimi është poeti i madh francez nga Yves Bonnefoy dhe studimi i Arshi Pipës u botua në vëllimin e parë në faqet 5-7. Më poshtë e sjellim të plotë këtë studim që u bë i njohur për lexuesit francez ën vitet ’80-të.
 
DIKSIONER  I  MITOLOGJIVE
SHQIPËRIA  ( Mitologjia e L’)
Editor  Y. Bonnefoy  Flamarion  Paris 1981 Vol. I ff. 5-7  

Mitologjia shqiptare nuk përbën ende objektin e një monografije, por subjekti është trajtuar në shumë ese dhe artikuj të gjuhësisë, folklorit dhe etnografisë. Mund të thuhet se kjo mitologji është e tipit pagan ballkanik.

Fetë monotesite që i janë mbivendosur – katolike në Veri, ortodokse në Jug, islamike në mbarë vendin – pakë e kanë prekur natyrën e saj. Historia e shqiptarëve, origjina e të cilëve fillon që nga migrimet e para indoeuropiane në Ballkan, është një vazhdimësi pushtimesh nga ana e popujve që i rrethojnë: romakë, gjatë Lashtësisë, sllavë, grekë e italianë në Mesjetë, turqë, në fillim të erës moderne.

Prandej pritet që mitologjia shqiptare të jetë mjaft sinkretike. Mund të flitet për shtresa alogjene përgjatë boshtit të një konstanteje lehtësisht të identifikueshme që është: kulti i karakterit (genit) të racës.

Hyjnitë e kësaj mitologjije janë thuajse të gjithë paganë. Aty janë nuset e malit dhe këshetat, por edhe shtojzavallet dhe zanat. Gjenden gjigantë të kobshëm balozët, katallajt, por edhe thopçat (xhuxhat që argëtohen duke shpotitur njerëzit). Ndeshen edhe karkanxholët dhe një variant i kacilmicit. “Përbindshat janë me shumicë: gogolët, kuçedrat , lubitë.

Metamorfozat janë të shpeshta: burri shndërrohet në dre, ujk, hut; gruaja në nuse lale, qyqe, turtulleshë. Hyjnitë e shtëpisë mund të kenë një formë njerëzore si nana e votrës ose shtazore (vitore, një lloj gjarpëri). Flijohen kafshët ( dikur femrat) mbi themelet e një ndërtese; Bëhen magjira ( p. sh. për ta bërë mashkullin impotent).

Ka këngë namatisjeje, të tjera për`të sjellë shiun. Gjuhet me gurë hëna e eklipsuar për të trembur ujqërit që e sulmojnë. Objektet magjike – pasqyrat, nuskat, unazat – luajnë një rol të madh. I besohet syrit të keq, ëndrrave paralajmëruese. I besohet fuqisë së gurëve, bimëve. Por kryesisht i besohet fuqisë së heroit.

Kulti i heroit, i dëshmuar na një traditë e gjatë kombëtare që pasqëyrohet në epopenë popullore si dhe në të drejtën zakonore, ka ruajtur një karakter mitik në disa krahina të Shqipërisë së Veriut.

Të mbrojtur nga male të thepisur, banorët e tyre kanë mundur t’u rezistojnë kolonizimeve romake dhe sllave dhe madje kanë mundur të ruajnë një lloj autonomije gjatë sundimit turk. Barinjtë e Veriut, në pjesën më të madhe katolikë, vazhdojnë te quhen Uk, Dash, Shpend, Sokol: ata adhurojnë zjarrin ( ta pështysh është tabu), betohen për Qiell e për Tokë, vajtojnë të vdekurit e tyre duke gërdhishtur fytyrën sipas një rituali që është mbeturinë e një valleje; u besojne orëve të vendit, shpirtrave, djajëve, magjistareve, vampirëve.

Totemizmi dhe animizmi përzihen me mitet klasike dhe me legjendat mesjetare. Uliksi e Perseu i kanë ekuivalentët e tyre. Polifemi shqiptar ( KK5) quhet katallâ, në kujtim të mizorive të mercenarëve katalanas të shek. XIV të. Zana, mbrojtësja e heroit, është deri etimologjikisht e afërt me Dianën (perëndesha romake shoqërohet nga një drenushë, kafsha e hyjnise shqiptare është dhija e egër), kurse për funksionet e saj ajo merr nga zana sllave , Vila. Vetë emri shtojzavalle është një rast sinkretizimi pagano –kristian: Shtoj, Zo(t), vallet.

Shumë nga këto besime pagane janë të njëllojta për më shumë se një popull ballkanik, ndërsa të tjera janë me origjinë latine e ndoshta kelte. Atëherë çfarë paraqet si fizionomi të veten, si tipare dalluese, mitologjia shqiptare?

Kjo mitologji nuk ka zota. Hyjnitë janë të dorës së dytë dhe nuk kanë emra të përvetshëm, ose emri i tyre është kolektiv. Betohet për qiell e për tokë, thërritet dielli e hëna. Por janë vetëm personifikime elementesh ose sendesh fizike, jo persona. Ndërmjet elementeve toka është mbizotëruese. Cilësia sipërore e heroit, ose i heroinës të çon tek ajo: burri i dheut, e bukura e dheut. Beja më gur është solemne. (Gjeçov $  534). Kush betohet mbi gurë do të ngurtësohet nëse e shkel betimin e tij. (zanat e kanë fuqinë e vështrimit që ngurtëson) Gjenden murana aty ku dikush ka qenë vrarë për gjakmarrje ( Çabej 360). Dhe hidhen gurë për të lehtësuar lodhjen – (me lanë pritesën).

Një tjetër tipar`dallues është mungesa e një jete përtej –varrit. Qielli nuk ka asgjë qiellore, nuk ekziston ferri. Besimi te kukuthët, lugetërit, vurkullakët  është i përhapur; por këta janë shpirtra të munduar që toka i flak jashtë për shak të ndonjë keqbërjeje të rëndë. Ky shpirt është një hie ose  një abe një mbështjellje trupore e pajisur me nje mbeturinë materialiteti ( ai mund të ngrejë pesha).

Mitologjia shqiptare me zana e me djaj, por pa zota e pa eskatologji dhe ku vetë konceptimi i shpirtit është plotësisht negativ, është pra, krejtësisht tokësor. Ajo është organizuar rreth bipolaritetit etik të së mirës dhe së keqes. Nga njëra anë ka një monstër – kulçedra ose kuçedra, mamadraga  - e përfytyruar si një gjarpër me shtatë koka që than ujrat dhe helmon ajrin. Në anën tjetër ka është një hero mitik që e përball në shpellën e tij dhe e mbytë. Në Jug, ku pushteti i Sulltanit zëvëndësoi atë të Perandorit bizantin, shpesh ky hero është fisnik ( djali i mbretit), ndërsa në Veri ai është një bir i popullit i lindur drangue. Njeriu-drangue ka flatra nën krahë, ai mund të fluturojë. Këtu njihet miti i Herkulit që lufton Hydrën, që u bë pastaj ai i Shën Gjergjit që mbyt dragoin. Shën Gjergji është shumë popullor në Shqipëri, dhe festa e tij përket me ardhjen e pranverës.

Gjergj është gjithashtu emri i një heroi që çliron vendin e vet nga një monstër i zi i dalur nga deti , n’atë që është, ndoshta, rapsodia më e bukur shqiptare.

Mitologjia shqiptare, monumenti i së cilës është cikli i rapsodive të Veriut, ekzalton një konceptim të jetës heroike tepër etnike. Heronjtë kryesorë të këtij cikli, Muji e Halili, kanë emra myslimanë, të huazuar nga këngët epike boshnjake, nga të cilat huazojnë edhe metrikën (rapsoditë këndohen nën tingujt e lahutës).

Por këto elemente alogjene nuk e prishin aspak substraktin autokton të këngëve mitike. Muji është një bari që zanat e maleve, në këmbim të një shërbimi që ai u ka bërë, e kaë pajisur me një fuqi mbinjerëzore – ai mund të shkulë me rrënjë lisat ( KK7). Një rapsodi tjetër ia atribuon këtë fuqi talentit të tij prej gjahtari: ai ka mundur të kapë tri dhitë me brirë ari ku fshihet fuqia e zanave ( KK1).

Muji i masakron armiqtë e tij, sllavët, por jo pa pësuar dhe ai vetë. Një rapsodi e tregon të plagosur rëndë, të shoqëruar nga shpirti i tij mbrojtës, ora, mes një gjarpëri që i kujdeset dhe një ujku që e ruan ( KK23). Kur ai vdes, armiku vjen ta provokojë në varrin e tij. Ai zgjohet dhe thërret, me ndërmjetësinë e një zogu, ndihmën e Halilit, që vret Sllavin dhe çvarros vëllain e vet ( KK32). Muji kthehet në jetë. Një ditë ai bën mbi dorën e vet provën e plumbit. Kur e sheh dorën e shpuar, ai e di që koha e tij ka mbaruar. Ai zhduket atëherë nën tokë, si Edipi në Kolonë, për të pritur, me durim, kthimin mbi tokë të erës heroike (KK Parathënie).

Vico e konceptoi histornë e njerëzimit si një proces ciklik që kalon nëpërmjet tri fazave: teologjike, historike dhe njerëzore. Mendësija mitologjike shqiptare e ka zbehur të parën, për t’u ndjerë e kënaqur në të dytën, duke refuzuar të dalë jashtë saj. Muji nuk është i vetmi përfaqsues i kësaj mendësije. Një shembull tjetër është ai i vetë heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skanderbeg (1405- 1468). Humanisti shiptar, Marin Barleti, që ka shkruar të parën histori në formë romani të heroit, (v.1510) tregon se nëna e tij ëndërroi se po lindëte një dragua, trupi i të cilit mbulonte gjithë Shqipërinë, dhe që goja e tij shqyente turqit.

Populli e kaq përpunuar këtë mit, duke e bërë Skandërbeun një titan që mund të shtrije përtokë “pesëdhjetë burra” dhe musteqet e të cilit janë “katër pëllëmbë”. Ai hjedh kundër armiqve që e rrethojnë shkëmbinj “të mëdhenj sa një shtëpi”, dhe ndalon me “një të rënë të këmbës” ujrat  e një lumi për të mos i lënë armiqtë të kalojnë. Ai është i pacënueshëm mbasi “ka lindur me këmishë” (d.m.th. i mbështjellur me placentën). Kali i tij fluturon nga një shkrep te tjetri, duke lënë, kur prek tokën, gjurmët e patkojve të tij – që shihen edhe sot. Dhe kur Skanderbeu vdes, populli e çvarros për të bërë me kockat e tij nuska ( Ska. 113, 116, 113, 24,25, 127,206).
A.P.
 
BIBLIOGRAFI
HAHN, J. VON.  Albanesiche Studien 1-3, Iena, 1854; Griechische und albanische Märshen I-II, Leipsig, 1864. PEDERSEN, HOLGER : Zur albanesischen Volkskunde, Copenhague, 1898. LAMBERTZ, MAXIMILIAN, Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen  Volkskunde, Vienne, 1922. JOLK, NORBERT, Linguistisch- kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, Berlin-Leipzig. 1923 Visaret e Kombit II; Kangë kreshnikësh e legjenda, “Le Trésor de la Nation II ; Chants épiques et légendes” ( B. PALAJ, D.KURTI) Tirana 1937 (shkur. KK) . GJEÇOV, SHTJEFËN, Codice di Lek Dukagjini ossia diritto consuetudinario delle montagne d’Albania ( përk. P.DODAJ) Romë 1941. CABEJ, EQREM, “Albanische Volkskunde “ te Südost-Forschungen XXV (1996): 333-87 ( përmban një listë pothuajse të plotë të hyjnive dhe të monstrave). Tregime dhe këngë popullore për Skenderbeun, (Q. HAXHIHASANI, Z.SAKO) Tirana 1967 ( shkur. Sca)
PIPA. A.  Rusha, Munich 1968 ( poemë epike që përmban elemete mitike). CAMAJ, M. Legjenda, Romë 1964 ( poema lirike të bazuara mbi legjenda e mite) 
 
Përktheu nga frëngjishtja: Nedret Kalakulla

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit